Por fakti është se ata që me ndërgjegje mungonin dje në fjalën e Bill Clinton që firmosi çlirimin e Kosovës, duhet të ndajnë mendjen bashkë me Albin Kurtin: do punojnë për një Kosovë të njohur me mbështetjene SHBA-BE dhe Shqipëri të demokracisë funksionale e tregut të lirë, apo do vazhdojnë të spërkasin votuesit e tyre me parrulla konspiracioniste anti-perëndimore.
3 dhe 4 vite më parë dy ngjarje në dukje të parëndësishme, sot përbëjnë profeci fatkeqe për Shqipërinë e sidomos Kosovën. E para ishte një konferencë e Qëndrës për Studime Strategjike George Marshall Center me qëndër në Gjermani, e cila financohet nga SHBA dhe Gjermania. Tema ishte “Rreziku nga ndërhyrjet e huaja në Ballkan”. Ndërsa ngjarja e dytë ka të bëjë me një studim të financuar Fondacioni Konrad Adenhauer në Sofje, me objekt ndikimin e mediave që bëjnë propagandë anti-perëndimore në vendet e Ballkanit. Ngjarjet dukeshin të parëndësishme për njerëzit që çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe kombëtare (në thelb janë e njëjta gjë) i injorojnë në kohë paqeje, dhe për kohën që nuk ishte ende ajo e luftës në Ukrainë që shpërtheu në 2022, pra pak vite më vonë. Por në fakt këmbana e alarmit kishte rënë që në 2014, në një samit të NATO-s, ku ministrat e mbrojtjes së vëndeve të Balltikut, ngritën zërin për prezencën e shtuar ushtarake të Rusisë përmes stërvitjeve, në kufijtë e NATO-s.
Konferenca e mbajtur në Hotel Tirana në 2019 mblodhi ekspertë të çështjeve të sigurisë, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe Presidentin e Republikë në atë kohë Ilir Meta dhe ish Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Çështjet kishin të bënin kryesisht me rrezikun e investimeve të vendeve jo-miqësore me perëndimin dhe Shqipërinë, projektet e tyre në infrastrukturë dhe sektorë strategjike. E po ashtu dhe me propagandën anti-perëndimore të mediave të caktuara. Për hir të së vërtetës, pikërisht në ato vite Shqipëria po përjetonte tensione të forta të provokuara pa shkaqe reale në raport me situatën në vend siç ishte bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe djegia e mandateve të deputetëve nga opozita.
Dhe këto ishin vazhdim i “cadrës” së 2017 ku u dëgjuan dhe “piskamat’ e para ndaj “ambasadorëve të korruptuar”, që nuk i morëm vesh kurrë se kush ishin. E natyrisht në sfond qëndronin botimet e kontratave të lobimit të PD përmes Biniatta Trade, një kompani off-shorë me pronarë rusë, që një Zot e di për çfarë i shërbyen PD!
Por ndërkohë, studimi i Adenhauer që është edhe Fondacion partner i PD, ngrinte një shqetësim sa paralel por po aq dhe të njëjtë me atë të Marshall Center. Dizinformacionin dhe propagandën e nxitur kryesisht prej fuqive autokratike lindore ndaj BE, NATO dhe SHBA. Receta është anatemimi i perëndimit si “I korruptuar”, “I degjeneruar” dhe “në krizë identiteti politik e kulturor”. Çuditërisht por dhe jo aq, këto media të listuara në atë studim qëndronin në vijën e parë të marrëzive të opozitës në protestat me Molotov nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit e deri tek një shkollë 8-vjecare në Shkodër.
Por tashmë këto janë histori dhe çështja e PD është “e arkivuar”! Nuk ka SHBA e BE që të ringjallin një parti të vdekur prej vetë dorës së saj. Çështja me rëndësishme është Kosova. Pikërisht sepse jo vetëm është më e rëndësishme se opozita e Tiranës për shqiptarinë në përgjithësi, por sepse është një nga dy çështjet që bashkë me Bosnjen, mund të destabilizojnë Ballkanin dhe Evropën në këtë kohë lufte vetëm 2000 kilometra larg Ukrainës.
Pasi kemi thënë e stërthënë dëmin që po i shkaktojnë Vuçiç dhe Kurti me rradhë dialogut Sërbi-Kosovë që do çonte drejt marrëveshjes së njohjes reciproke, duhet të vinte edhe vetë Bill Clinton të ritheksonte “marrëzinë e asaj që po ndodh në Kosovë”, duke ju referuar pa emër pikërisht Albin Kurtit. I cili jo rastësisht ka dhe në Tiranë megafonët e tij politikë dhe mediatikë. Biles njëri prej tyre është aq i cçerrë saqë na njoftoi mospjesëmarrjen e tij, a thua se është Allbright dhe jo një i punësuar që shitet për pronar.
Koha po tregon se 2 ngjarjet e cituara në hyrje të shkrimit nuk ishin as të parakohshme e as të pakuptimta. Dhe as nuk shbëjnë përgjegjësitë e mazhorancës në Tiranë për keq-qeverisje të dukshme apo dhe korrupsion që i jep oksigjen pakënaqësive të nxitura nga propaganda anti-perëndimore. Jo më kot disa prej tyre janë kandidatë për qelitë e burgjeve, sepse kanë larguar investime të mundshme perëndimore dhe ndikuar drejtëpërdrejtë në stanjacionin ekonomik. Por fakti është se ata që me ndërgjegje mungonin dje në fjalën e Bill Clinton që firmosi çlirimin e Kosovës, duhet të ndajnë mendjen bashkë me Albin Kurtin: do punojnë për një Kosovë të njohur me mbështetjene SHBA-BE dhe Shqipëri të demokracisë funksionale e tregut të lirë, apo do vazhdojnë të spërkasin votuesit e tyre me parrulla konspiracioniste anti-perëndimore. Nëse të parët që veprojnë në Tiranë janë me një këmbë në varr, gjithnjë në kuptimin politik të fjalës, Kurti është ende në kohë që të mos dëmtojë Kosovën e në fund të shkatërrojë veten. Sepse Shqipëria e Kosova e kanë vendin në Evropë e jo në librat e pagesave të stepave të largëta që na kanë lënë 50 vite mbrapa.
Lini një Përgjigje