
Harrova Esat Pashën që kishte hyrë në marrëveshje me djallin e të birin për Princ në një copë Shqipëri, ndërsa Veriun e Jugun ishte i gatshëm t'ua dorëzonte kujdo, përfshirë serbëve dhe grekëve
Çmimet kombëtare për kushtet e vendit tonë mund të nënkuptohen edhe mbarëkombëtare dhe anasjelltas, por jo ndërkombëtare, edhe sikur të vijnë arbëreshë, arvanitas dhe arnautë dhe jo siç na i prezanton një Institut liberal në Tiranë që ka shtëpi botuese, shtypshkronjë dhe çmime kombëtare që i quan ndërkombëtare dhe i shpërndan në parcelën e vet.
Për të dalë aty ku synohet, nuk mjaftojnë miqtë në Juri, por ndryshojnë edhe rregullat e konkurrimet, hiq më herët se kur do të shpallin fituesin. Dihet nga kushdo se rregullat e konkurrimit nuk mund t'i ndryshojë askush, përfshirë dhe ata që duken se vijnë në të ashtuquajturin konkurrim, pasi e kanë garantuar trofenë, madje presin t'i falënderojnë për nderin që po u bëjnë organizatorëve me pjesëmarrjen e tyre. Nuk mund t'i ndryshojnë as punonjësit e Dikasterit të Kulturës që duken rrallë në veprimtaritë kulturore, por nuk mungojnë asnjëherë, kur i kanë premtuar dikujt se do të jetë fitues, pa e marrë në konsideratë kërkesën elementare për korrektesë në konkurrim dhe as dinjitetin që duhet të ketë një fitues.
Desh harrova, a është risi, nëse Ismail Qemali ka zbritur në Durrës apo në Porto Romano? Edhe nëse është risi, duket si qiqra në hell, se ka dhe risi të tjera, fjala vjen, kujt ia dha dorën të parit, kush ia mbajti valixhet; kush i gatoi ushqimin; kush i bëri roje atë natë.
Po sjell edhe unë një risi (paqartësi) për vaporin, që nuk ka ndonjë nevojë të ftillohet. Drejtori i policisë së Triestes njofton eprorët ndër të tjera, se prijësi i shquar i shqiptarëve Ismail Qemal Beu, në përcjellje të 14 krerëve shqiptarë, ka udhëtuar me avulloren "Linz" nga këtu për në Durrës (Marenglen Verli. Ledia Dushku, Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912), Vëllimi VI, 257-259.) Për çudi një dokument tjetër flet ndryshe: "Më 18 nëntor 1912, Ismail Qemali, së bashku me grupin që shoqërohej, u nis nga Trieste me anijen austriake “Baroni Beck”.(Telegram i Ismail Qemalit dërguar Komisionit Përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, me të cilin kërkon të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në Durrës ose Vlorë(AQSH, F. 71, D. 1 Nr. III/4037, Cit. sipas QPV, 2-6-27).
Harrova Esat Pashën që kishte hyrë në marrëveshje me djallin e të birin për Princ në një copë Shqipëri, ndërsa Veriun e Jugun ishte i gatshëm t'ua dorëzonte kujdo, përfshirë serbëve dhe grekëve. Pas kësaj gjëme që ai e vazhdoi me kryeneçësi, edhe ndonjë akt atdhetarie i tij, i shkëputur nga konteksti i veprimtarisë së Pashait Toptanas, duhet analizuar në kuadrin e të gjithë bëmave të tij, pavarësisht se ata që gjuajnë risitë duan të thonë: Kujdes, i keni rënë më qafë Pashait, duke harruar faktin se historiografia është shkencë që merren me ligjësitë dhe jo me përjashtimet, ngjarjet rastësore apo dytësore.
Lini një Përgjigje