Normalizimi i pragut të përdorimit të armëve bërthamor nga Rusia mbi Ukrainën e ka shkatërruar besimin. Ndaj tani është koha që SHBA-ja të rivendosë këtë parandalim...
Shtetet e Bashkuara kanë një strategji të re bërthamore. Në mars, presidenti Joe Biden miratoi një plan për t’iu kundërvënë kërcënimit të arsenalit bërthamor në rritje të Pekinit. Ky dokument strategjik, i cili do të shkojë në Kongres përpara se Biden të largohet nga detyra në janar 2025, zbulon se si SHBA-ja mund të neutralizojë rrezikun e Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut për të nisur në një ditë sulme bërthamore të koordinuara.
Edhe pse një hap inkurajues përpara, sërish është shumë i vogël dhe tepër i vonuar. Sepse kur Biden e mori detyrën e presidentit në janar 2021, Kina zotëronte vetëm 400 bomba bërthamore.
Nga fundi i vitit 2023, arsenali i saj bërthamor ishte rritur në 500, dhe mund të arrijë në 1000 deri në vitin 2030.
Ky zgjerim, vjen nga mbështetja që i jep presidenti kinez Xi Jinping rritjes së kapacitetit të ushtrisë kineze për të “luftuar dhe fituar në luftën moderne”. Në kundërpërgjigje të kësaj sfide në rritje, SHBA-ja zgjodhi t’i jepte përparësi diplomacisë mbi strategjinë ushtarake të parandalimit.
Duke u mbështetur tek përpjekjet e dështuara të SHBA-së për ta ulur Kinën në bisedimet e reja për reduktimin e armëve strategjike (START) me Rusinë në vitin 2020, SHBA mbajti bisedimet e para jozyrtare mbi armët bërthamore me Kinën në qershor të këtij viti.
Këto negociata përfunduan në mesin e muajit korrik, pasi Kina pezulloi dialogun mbi eksportet e armëve amerikane në Tajvan, dhe mund të mos rifillojnë shumë shpejt. Por më shqetësues, është fakti që SHBA-ja ishte edhe më pasive në reagimin e saj ndaj zhvillimit të armëve të tjera bërthamore nga Koreja e Veriut.
Në këmbim të eksportimit të miliona predhave të artilerisë dhe raketave balistike Hëasong-11 në Rusi, Koreja e Veriut ka kërkuar ndihmën e rusëve në zhvillimin e teknologjisë satelitore. Duke pasur parasysh pretendimin e Rusisë, se programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut është brenda parametrave të vetëmbrojtjes legjitime, Moska mund të mbështesë ambiciet e Phenianit për modernizimin e forcës të tij bërthamore.
Departamenti Amerikan i Thesarit, i është kundërpërgjigjur armiqësisë së Phenianit duke forcuar sanksionet kundër subjekteve në Rusi, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që dyshohet se ndihmojnë programet e armëve të shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut.
Por këto sanksione kanë pak vlerë parandaluese, dhe nuk janë të shoqëruara as me kontakte diplomatike ndaj Phenianit dhe as me kundërmasa ushtarake konkrete. Qasja e Biden i ngjan shumë strategjisë së “durimit strategjik” të Obamës, duke i hapur rrugën zgjerimit të paprecedentë bërthamor të Phenianit në vitin 2017.
Në dukje, përgjigja e administratës Biden ndaj kërcënimit bërthamor rus ka qenë më premtuese.
Duke ndezur dritën jeshile për dorëzimin e avionëve luftarakë F-16 dhe raketave ATACMS në Ukrainë, dhe duke shprehur solidaritet me sulmin e shpejtë të Kievit në Kursk, Shtëpia e Bardhë nxori në pah zbrazëtinë e blofeve bërthamore të Putinit.
Po ashtu, SHBA ka mundur të mbështetet deri më tani tek Kina dhe India për ta dekurajuar Rusinë nga përdorimi i armëve bërthamore taktike, gjë që përbën një triumf diplomatik jetëshkurtër. Megjithatë, ajo është shumë më pak e përgatitur për kërcënimin afatgjatë bërthamor që vjen nga militarizimi i hapësirës nga Rusia.
Në maj, një raketë ruse “Soyuz” u lëshua nga baza e Plesetsk dhe dërgoi të paktën 9 satelitë në orbitën e ulët të Tokës. Në orbitë hyri “Cosmos 2576”, i cili shërben si një armë e kundër- hapësirës, mund të sulmojë satelitët amerikanë. Hapi i ardhshëm i Rusisë, mund të jetë lëshimi i një arme të ngjashme por me aftësi bërthamore.
Në shkurt, shërbimi sekret amerikan u përpoq të mësonte nëse Rusia po punonte për një armë kundër-hapësirës me energji bërthamore apo që mbante armë të tilla. Ky hendek informativ mbi këtë çështje duhet të korrigjohet shpejt. Dhe e gjitha kjo çon në pyetjen thelbësore: Si mundet SHBA-ja të rrisë kapacitetin e saj parandalues kundër kërcënimeve bërthamore në rritje nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut?
Përshpejtimi i modernizimit të forcave të saj bërthamore është hapi i parë thelbësor, dhe tashmë në këtë drejtim është shënuar njëfarë progresi. Departamenti i Energjisë po modernizon kokat bërthamore të SHBA-së, ndërsa janë duke u zhvilluar përmirësime tek lëshuesit dhe raketat balistike ndër-kontinentale (ICBM).
Ndërkohë, e njëjta energji që përdoret për shtimin e prodhimit të municioneve dhe artilerisë, duhet të shkojë edhe për modernizimit e arsenalit bërthamor. Rusia ka përfunduar tashmë mbi 90 për qind të modernizimit të saj arsenalit të saj strategjik bërthamor, teksa Kina ka shpallur planet e saj zyrtare për zhvillimin e armëve të reja bërthamore.
Perëndimi duhet të veprojë me urgjencë. Për më tepër, mbështetja e rezistencës së Ukrainës kundër agresionit rus, është një mënyrë po aq e sigurt për të frenuar kundërshtarët e tjerë të armatosur me armë bërthamore. Në rast se lufta e Ukrainës përfundon në mënyrë të pafavorshme për Rusinë, kjo do t’i dërgonte një mesazh Kinës dhe Koresë së Veriut se shantazhi bërthamor nuk do ta frikojë aq shumë Perëndimin, sa të mos i kundërvihet agresionit të tyre.
Po ashtu, marrëdhënia midis Moskës dhe Phenianit do të dobësohej sapo të përfundonte arsyeja kryesore për partneritetin e tyre të fortë: lufta në Ukrainë. Pasi të përfundojë kjo luftë, SHBA do të jetë në gjendje të përqendrohet më shumë tek programi bërthamor i Kinës dhe të zgjerojë ombrellën e parandalimit në rajonin e Indo-Paqësorit.
Vendimi i prillit të vitit 2023 i SHBA-së për të stacionuar periodikisht nëndetëset e armatosura me armë bërthamore pranë brigjeve të Koresë së Jugut, e pengoi Seulin të vazhdonte forcimin e parandalimit të vet bërthamor.
Duke e zgjeruar partneritetin jozyrtar AUKUS, aleatët e tjerë të SHBA-së, si Filipinet dhe Japonia, mund të përfitojnë nga shfaqje të ngjashme të forcës. Megjithatë, normalizimi i pragut të përdorimit të armëve bërthamor nga Rusia mbi Ukrainën e ka shkatërruar besimin. Ndaj tani është koha që SHBA-ja të rivendosë këtë parandalim./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Shënim: Dr.Samuel Ramani, është bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) në Britaninë e Madhe.
Lini një Përgjigje