TAGS-AT E JAVËS

Forum15 Shkurt 2025, 18:12

Kush po kërkon trazira para zgjedhjeve?

Shkruar nga Artur Ajazi

Kush po kërkon trazira para zgjedhjeve?

Besoj se, as Belindi dhe as Gazi, dhe shumë të tjerë, nuk do të duan që pas humbjes, Berisha të vazhdojë të mbajë më postin e kryetarit të PD.

“Në rast se, mblidhen edhe njëherë njerëz para SPAK-ut, unë do të bëj antimiting”. Këtë kërcënim e ka bërë 2 ditë më parë kreu i PD Sali Berisha. Njeriu që ka thyer çdo lloj mase arresti (sikur të ishte Zoti vetë) nga organet e hetimit, njeriu që ka sot të paktën 2 dosje penale që po hetohen nga drejtësia e re dhe njeriu që në 34 vjet ka sjellë jo pak trazira në këtë vend.

Ai me patjetër kërkon trazira edhe para zgjedhjeve. Rasti i Mul Nokës në Parlament të enjten e kaluar, ishte sinjali i parë, i asaj që para njofton Berisha. Partia Demokratike, simbolizon në Shqipëri, doktrinën e dhunës dhe do të mbahet mend gjatë si partia që ka qeverisur në mënyrën më kriminale në vend. Dalja nga arresti shtëpiak, e bëri Berishën me “fletë”.

Konferenca shtypi, dalje mes selisë, shesheve dhe bulevardit, deklarata të pakontrolluara dhe aspak politike, që ndjellin rrëmuja dhe trazira, sidomos para zgjedhjeve. I duhet një alibi, një shkak, një rast i mirë, ku të kapet, ku ta shfrytëzojë për të futur vendin në kaos. Duke e ditur fatin e asaj partie edhe në 11 Maj, duke parandjerë humbjen e sigurt, Berisha po përpiqet të sjellë amulli, anarshi, dhe pse jo edhe raste ekstreme për të njollosur zgjedhjet.

Mjafton të kujtojmë grupet paramilitare të asaj partie në zgjedhjet e kaluara, për tu mjaftuar në nxjerrjen e konkluzionit se, ai po kërkon prishjen e zgjedhjeve.

Është e vetmja mënyrë e duhur, për të legjitimuar postin e kryetarit të partisë pas humbjes. Besoj se, as Belindi dhe as Gazi, dhe shumë të tjerë, nuk do të duan që pas humbjes, Berisha të vazhdojë të mbajë më postin e kryetarit të PD. Skenarin e ka gati, mjafton një “shkëndijë”, për të krijuar situata kritike për stabilitetin e vendit. Roli i tij si nxitës i trazirave, apo dhe roli i sejmenëve të tij në Parlament  dhe bulevarde, duhet të mos anashkalohen  nga strukturat ligjzbatuese.

Shqipëria nuk mund të mbetet peng i një njeriu që është nën hetim dhe nën gjykim, as i një partie, e cila ka si busull drejtimi, dhunën, mashtrimin, dhe anarshinë. Edi Rama duhet të mos tolerojë më, zgjatimin e veprimtarisë antiligjore të një kryetari partie, që u ka sjellë shqiptarëve në 34 vjet, veçse  halle, probleme, dhe telashe jetësore. KQZ-ja gjithashtu nuk duhet t’i bindet në asnjë moment kërkesave dhe vullnetit imponues të një partie të shkërrmoqur politikisht. Mbetet detyrë e organeve ligjzbatuese, të dëgjojnë zërin e qytetarëve që apelojnë për frenimin e tendencave të tilla, nga një parti politike, që vazhdimisht ka vënë në rrezik stabilitetin e vendit, dhe jo vetëm.

Lini një Përgjigje