Rrethi vicioz në politikë mund të prodhojë efekte të njëjta, por kjo nuk do të thotë se Kosova tani duhet të nënshtrohet.Përgjigjja që ju dha Serbisë më 24 shtator, duhet të jetë leksion për shumë palë në ndërmjëtsimin e dialogut.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron: "...E them me shumë qartësi ne ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga Franca sepse ka të bëjë me respektimin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet.”
Një përgjigje paraprake në raport me fjalën e dhënë, e që ndërlidhet me planin franko-gjerman, kryeministri Kurti e riartikuloi po dje në Tiranë.
“Sot gjatë takimit të drekës, kam kërkuar nga kryeministrja që ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit. Unë jam që të zbatohen ato pikërisht tani që presidenti Vuçiq është i zënë në Kinë, unë kam thënë le ta nënshkruajmë meqë është kaq shumë e interesuar për normalizim me Kosovën, por ajo sërish nuk ishte e interesuar”, tha Kurti për media.
Si po interpretohet kjo deklaratë e presidentit francez prej mediave të kontrolluara nga Edi Rama dhe oligarktët në të dy Shqipëritë tona?
A kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo me një kumt disi të ngjashëm, siç kishim në prag të ratifikimit të kufijve me Malin e Zi [21/03/2018]?
Atë botë kreu i Republikës që po e trajtonte atë si peng të tij të lloit të vet, deklaronte: "Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës."
Franca dhe jo vetëm ajo, por edhe Brukseli zyrtar, kishte paralajmëruar në prag të takimit të 24 shkurtit, kur pritej nënshkrimi i marrëveshjes frënko-gjermane, se pala që nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen do të ndëshkohet rëndë.
A u mbajt fjala e dhënë nga Franca dhe Brukseli në atë rast?
Sigurisht që jo.
Po dje presidenti i Francës Emanuel Macron i bëri thirrje presidentit të Serisë që të distancohet dhe ta dënoj qartë aktin e 24 shtatorit.
A mjafton kaq?!
Nga kush të distancohet presidenti serb, nga vetëvetja?!
Ai ishte jo vetëm ideatori, por edhe drejtuesi real i aktit të agresionit të 24 shtatorit. Këtë fakt e kanë të ditur ata që duan ta dinë. Këtë fakt e ka të qartë më mirë se shumkush presidenti Emanuel Macron.
Kjo sjellje e Perëndimit ndaj Serbisë edhe sot e kësaj dite, shih për këtë, është një ogur i keq për paqen në rajon.
Serbia nuk është ndëshkuar për katër luftërat e inicuara nga ajo gjatë dekadës së fundit të shekullit 20-të. Përkundrazi, ajo është shpërblyer me një entitet shtetëror si Republika Serbe, që i është imponuar boshnjakëve, duke e shndërruar kështu Bosnjën në shtet jofunksional edhe sot e kësaj dite. Ngritja e një Republike të re serbe mbi gërmadhat e gjenocidit serb ndaj boshnjakëve, ishte një dhuratë e llojit të vetë që Serbia e mori në fund të procesit të shkërmoqjes së Jugosllavisë.
Insistimi për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe edhe pas 24 shtatorit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë atë ditë kur pesë policët kosovarë, pas rënies së shokut e komandantit të tyre, kishin bërë një luftë pesëorëshe, si në legjenda, për mbrojtjen e veriut të Kosovës, do të trimëroj Serbinë për reprizimin e 24 shtatorit.
Rrethi vicioz në politikë mund të prodhojë efekte të njëjta, por kjo nuk do të thotë se Kosova tani duhet të nënshtrohet.
Përgjigjja që ju dha Serbisë më 24 shtator, duhet të jetë leksion për shumë palë në ndërmjëtsimin e dialogut. Shkëputja e Serbisë nga orbita e ndikimit rus dhe rikthimi i saj në tavolinën europiane, nuk kalon dot me dhurata të tipit të Republikës Serbe në dëm të Kosovës pa luftë.
Lini një Përgjigje