
Duke e pranuar se korrupsioni mund të jetë gjithashtu një “forcim” i besimit midis elitave, një institucion i vërtetë i përbërë nga rregulla të përbashkëta, kjo do të thotë të kuptosh se lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm tek transparenca apo masat shtypëse...
Diskutimi i sotëm mbi korrupsionin, nuk mund të kufizohet tek debati mbi rregulloret e caktuara apo sjelljen e individëve të veçantë. Ai duhet të përshtatet në një qasje më të gjerë, e cila duhet të marrë parasysh pabarazitë sociale në rritje, transformimet socio-ekonomike dhe politike të viteve të fundit dhe natyrën ciklike që e karakterizon këtë dukuri.
Një shembull emblematik është rasti i ish-zëvendëspresidentit të CSM, i cili pranoi drejtimin e një kompanie të lidhur me një sipërmarrës të përfshirë në një hetim mbi një rast të madh korrupsioni. Ky rast, nxjerr në pah dinamikën komplekse që shfaqet kur figura të larta nga gjyqësori apo bota politike kalojnë në role kryesore në sektorin privat.
Dhe sidomos kur konteksti është i njollosur nga dyshime apo akuza të këtij lloji. Ky fenomen është pjesë e një problemi më të madh, të njohur si “dera rrotulluese” , ku ish-gjyqtarë, politikanë dhe zyrtarë publikë, marrin poste të larta në sektorin privat, shpesh në kompani të përfshira në procese gjyqësore apo shumë të rregulluara nga shteti.
Fenomeni i “dyerve rrotulluese”, ngre shumë dyshime për pavarësinë dhe paanshmërinë e institucioneve, duke lehtësuar praktikat korruptive, dhe duke krijuar një rrjet marrëdhëniesh, që mjegullon ndarjen midis interesave publike dhe atyre private.
Debati aktual politik në Itali, i karakterizuar nga synimi për shfuqizimin e krimit të shpërdorimit të detyrës dhe propozimi për kufizimin e masave paraprake, duket se bie ndesh me rekomandimet e Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë forcimin e masave kundër korrupsionit. Këto vendime politike, mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin e ligjshmërisë dhe drejtësisë në vend, duke rrezikuar të nxisin një klimë mosndëshkimi për ata që veprojnë në skajet e përcaktimeve ligjore. Ato mund të nxisin një rreth vicioz, në të cilin fuqia dhe ndikimi personal i tejkalojnë rregullat dhe parimet e integritetit publik.
Një nga elementët më domethënës të ndryshimit të vazhdueshëm, është evoluimi i marrëdhënieve ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Ndërvarësia në rritje midis këtyre dy fushave sjell nevojën për t’i përshtatur rregullat dhe masat e kontrollit me realitetet e reja, ku konflikti i interesave është shpesh më i nuancuar dhe i vështirë për t’u identifikuar.
Për këtë arsye, korrupsioni nuk është më vetëm një çështje e akteve të qarta të paligjshme, por manifestohet edhe nëpërmjet mekanizmave ligjorë që i lejojnë figurat me pushtet publik të ndikojnë tek vendimet në favor të interesave private, si gjatë ashtu edhe pas largimit nga posti i tyre publik.
Në këtë kontekst, një rol vendimtar luajnë pabarazitë socio-ekonomike. Ato jo vetëm që krijojnë një distancë mes qytetarëve dhe institucioneve, por mund të stimulojnë edhe fenomenet korruptive, pasi grupet më të privilegjuara kanë burime më të mëdha për të ndikuar mbi vendimet politike dhe administrative në favor të tyre.
Kur qasja tek të mirat publike ndërmjetësohet nga interesat private, zhvillohet një sistem në të cilin merita dhe ligjshmëria sakrifikohen shpesh në favor të atyre që kanë fuqinë ekonomike ose politike për të ushtruar një ndikim të tillë.
Një aspekt thelbësor që duhet mbajtur parasysh, është natyra ciklike e luftës kundër korrupsionit. Shpeshherë, përpjekjet e dukshme dhe në dukje të suksesshme në luftën ndaj korrupsionit, gjenerojnë një reagim që mund të çojë në një rikthim të korrupsionit në forma të ndryshme apo edhe më të rafinuara.
Në Itali, pas fushatës “Mani Puliti” (Duart e Pastra), kemi qenë dëshmitarë të daljes në skenë të figurave si Berlusconi, qasja e të cilit ndaj shtetit ligjor ka qenë më së paku e diskutueshme. Po ashtu, në Brazil, pas periudhës së luftës kundër korrupsionit, rikthimi në pushtet i figurave si Bolsonaro ka treguar qëndrueshmërinë e disa mekanizmave që favorizojnë korrupsion.
Ky cikël përparimi dhe regresi, nxjerr në pah një problem ekuilibri:shpeshherë shoqëria përpiqet të gjejë një pikë të qëndrueshme midis luftës kundër korrupsionit dhe shfaqjes së tij në forma të reja. Prandaj, është thelbësore që korrupsioni të luftohet jo vetëm në mënyrë reaktive, por edhe të mendohet për institucione alternative që mund të parandalojnë rikthimin ciklik të tij.
Për më tepër, korrupsioni përdoret shpesh si një mjet politik, veçanërisht nga liderët populistë të cilët e paraqesin veten si kryqtarë kundër korrupsionit për të fituar mbështetjen e publikut.
Por sapo ngjiten në pushtet, të njëjtët udhëheqës mund ta shfrytëzojnë korrupsionin si një mjet për të konsoliduar pushtetin e tyre, siç tregohet nga rastet e Bukeles në El Salvador apo Lukashenkos në Bjellorusi.
Ky shfrytëzim i korrupsionit, nxjerr në pah funksionin e tij të dyfishtë:nga njëra anë, denoncohet si një e keqe për t’u çrrënjosur; nga ana tjetër, përdoret si një mjet për t’i “bërë gjërat të funksionojnë”, veçanërisht në kontekste ku institucionet janë të dobëta ose ku janë të mëdha pabarazitë.
Në Itali, kur administrata publike shndërrohet në akt qeverisjeje, “kryerja e punëve” mund të justifikojë më pak transparencë në procedura. Ndërsa në Rusi, korrupsioni është aq shumë i rrënjosur, saqë konsiderohet si një institucion që e lejon sistemin të mbetet koheziv.
Pas pushtimit të Ukrainës, mungesa e kundërshtimit nga elitave ruse, tregon se sa të fortë janë këta mekanizma kohezivë. Për ta luftuar me efektivitet korrupsionin sot, nevojitet një ndryshim i qasjes që shkon përtej thjesht goditjes së krimeve specifike.
Ky ndryshim, duhet të përfshijë forcimin e masave parandaluese, rregulla më të rrepta ndaj fenomenit të “dyerve rrotulluese”, si dhe një vëmendje më e madhe ndaj dinamikës së pushtetit që buron nga pabarazitë socio-ekonomike.
Vetëm në këtë mënyrë, mund të shpresojmë të rivendosim një ndarje reale midis publikut dhe privatit, duke siguruar që interesi i përgjithshëm të mbizotërojë mbi atë të pakicave të privilegjuar përmes riaktivizimit të mekanizmave të virtytshëm të lëvizshmërisë sociale.
Duke e pranuar se korrupsioni mund të jetë gjithashtu një “forcim” i besimit midis elitave, një institucion i vërtetë i përbërë nga rregulla të përbashkëta, kjo do të thotë të kuptosh se lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm tek transparenca apo masat shtypëse.
Ne duhet të punojmë për të krijuar institucione alternative, të cilat mund të garantojnë të njëjtin nivel besimi pa iu drejtuar korrupsionit. Vetëm në këtë mënyrë, mund të shpresojmë të thyejmë ciklin e hapave përpara dhe atyre pas, duke e çuar shoqërinë drejt një ekuilibri më të qëndrueshëm dhe të drejtë./Përshtati Pamfleti nga “ll Fatto Quotidiano”
Shënim: Daniela Mainenti, profesoreshë e të Drejtës Krahasuese Procedurale Penale.
Lini një Përgjigje