TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Qershor 2025, 17:04

Komedia ku ka përfunduar politika: Saliu vijon justifikimet qesharake, Edi lumturohet!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Komedia ku ka përfunduar politika: Saliu vijon justifikimet qesharake, Edi

Kush e ka në favor këtë sjellje qesharake të Saliut? Sigurisht që këtë e ka në favorin e vet brilant Edi Rama; sepse ai e di që me Saliun përballë, Partia Socialiste i fiton zgjedhjet vijimisht...

Vijon "kriza" e procesit të votimit, maj 2025, në rinumërimin e votave.

Rinumërimi i votave është praktikë e Saliut, sepse ai mendon se, duke futur duart në numërimin e fletëve të votimit, mund të bllokojë rezultatin; ose kërkon të qetësojë veten me arsyetimin e manipulimit të zgjedhjeve nga Partia Socialiste, që të mos japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë. Por a do ta respektojë ndonjëherë Saliu statutin?

Për ndërtimin psikik që ai ka, nuk e bën dot; sepse respektimi i statutit të Partisë Demokratike është normë taksative – kryetari që humbet zgjedhjet, duhet të japë dorëheqjen.

Dhe Saliu, që nuk e përfill këtë normë, vijon me një fantazi fëminore; flet për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare pa asnjë provë faktike, por me një mundësi poetike – domethënë, pa fakte.

Edhe gjatë rinumërimit, edhe tani, Saliu vijon përditë të paraqesë shembuj abstraktë për një manipulim zgjedhor fals, por pa paraqitur asnjë forcë provuese.

E dini pse?

Sepse Saliu nuk pranon të japë dorëheqjen, dhe bën gjithë këtë zhurmë për t'u bërë presion krerëve me kompetencë në Partinë Demokratike.

Po kush e ka në favor këtë sjellje qesharake të Saliut?

Sigurisht që këtë e ka në favorin e vet brilant Edi Rama; sepse ai e di që, me Saliun përballë, Partia Socialiste i fiton zgjedhjet vijimisht.

Ja kjo është gjendja e Partisë Demokratike, që dallohet qartë se krerët e saj janë të nënshtruar.

Kurse Rama gëzon njëlloj si në dhjetë vitet rresht, me absurdin e Saliut që nuk do të japë dorëheqjen dhe nuk respekton statutin e partisë së vet.

Dhe koha kështu do të ecë; derisa të çlirohet Partia Demokratike.

Prandaj...

Prisni të shikoni një komedi të zgjatur politike.

Lini një Përgjigje