TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Prill 2025, 16:35

Kërcënimet, një lëvizje taktike; Trump dhe Putin gati të firmosin marrëveshje të mëdha ekonomike

Shkruar nga Giulia Pompili
Kërcënimet, një lëvizje taktike; Trump dhe Putin gati
Vladimir Putin dhe Donald Trump /

Ndërsa Putin e mban Trumpin të zënë me bisedime, po përfiton nga koha për të forcuar makinerinë e luftës. Pardje firmosin rekrutimin e 160.000 burrave të tjerë në ushtrinë ruse deri më 15 korrik, ose 10.000 më shumë se 150.000 që u rekrutuan vitin e kaluar dhe 134.500 në vitin 2022.

Pas disa javësh me një sjellje dukshëm më të ngrohtë ndaj presidentit rus Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump ka treguar për herë të parë një padurim të lehtë ndaj liderit të Kremlinit.

Ai tha se ishte “i zemëruar” me Putinin, sepse marrëveshja e paqes me Ukrainën nuk po shkon siç ishte planifikuar. Trump foli për këtë në telefon me gazetaren e NBC, Kristen Welker, dhe sipas mediave amerikane, reagimi i presidentit amerikan mund

të jetë shkaktuar nga kërkesa e përsëritur e Putinit për vendosjen e një “qeveri kalimtare” në Kiev.

“Nëse Rusia dhe unë nuk mund të arrijmë dot një marrëveshje për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë, dhe nëse mendoj se ky është faji i Rusisë… atëherë do të vendos tarifa dytësore për të gjithë naftën që del nga Rusia”- i tha Trump Welkerit.

Një nga strategjitë e administratës Biden kundër Rusisë, menjëherë pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, ishte ta detyronte Kremlinin “të paguante një çmim shumë të lartë” për vendimin e tij për ta filluar luftën.

Në marsin e 2022-shit, Biden njoftoi ndalimin e importit të gjithë naftës, gazit dhe energjisë nga Rusia, duke shpjeguar se ato ishin edhe burimet kryesore të të ardhurave për regjimin dhe makinerisë luftarake të Moskës.

Kësaj lëvizjeje iu përshtat edhe Bashkimi Evropian, duke arritur që ta kapërcente propagandën ruse që po godiste qytetarët evropianë, bazuar në skenarin e një dimri të ftohtë për ta. Por gjatë 3 viteve që pasuan, Kremlini, i ndihmuar nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, ka mësuar se si të anashkalojë sanksionet ekonomike dhe si të tregtojë naftën e tij pavarësisht sanksioneve.

Mundësia e vendosjes së sanksioneve dytësore nga SHBA, ndaj atyre vendeve që bëjnë biznes duke shitur naftën ruse, do të ishte një goditje shumë e rëndë për Putinin. Por në praktikë ajo që tha Trump, duket më shumë si një mesazh për Kinën dhe Indinë, blerësit kryesorë të naftës ruse.

Vendosja e tarifave për të gjithë naftën e papërpunuar ruse, do të thotë sipas Trump se “nëse blini naftë nga Rusia, atëherë nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara”. Dhe do të ketë një tarifë 25-50 për qind për të gjithë naftën ruse.

Nju Delhi gëzon një pozicion të privilegjuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe deri më tani është përpjekur ta bindë Trumpin të eliminojë tarifat për importet e gazit natyror të lëngshëm nga Amerika për të rritur sasinë e blerjeve.

Por India e kryeministrit Narendra Modi, është gjithashtu vendi që ka blerë naftën ruse me çmime shumë të ulëta pas pushtimit të Ukrainës, dhe nëse Trump do t’i kërkojë të devijojë furnizimet e saj, do të përballej me një problem të madh.

Clyde Russell i Reuters shkroi se “Kina ka më pak gjasa t’i përkulet presionit të SHBA-së, pasi ajo mbetet e vetmja blerëse kryesor e naftës së papërpunuar iraniane, dhe vazhdon të jetë importuesi më i madh i naftës ruse”.

Nëse do të vendosen tarifa të reja deri në 50 për qind mbi importet amerikane nga Kina, përveç 20 përqindëshit të vendosur tashmë nga Shtëpia e Bardhë, Pekini mund të hyjë në një fazë të re të “vuajtjes për ekonominë e tij, që po përpiqet të fitojë ritmet e dikurshme shumë të larta”.

Por deri tani, kanë lëvizur pak indekset e tregut të lidhura me naftën, dhe ndoshta të gjithë presin të kuptojnë nëse njoftimi i Donald Trumpit është konkret apo thjesht një kërcënim.

Sepse administrata amerikane, është e njëjta që gjatë negociatave të G7 hodhi poshtë propozimin e Kanadasë, presidentit aktual të G7, për të ngritur një task-forcë për t'u marrë në mënyrë të koordinuar me të ashtuquajturat depozitat fantazmë të naftës ruse.

Trump kërcënon vazhdimisht - duke përfshirë Iranin dhe Venezuelën - por deklaratat e tij kanë pak efekt në diplomacinë ndërkombëtare. Të dielën ai deklaroi për mediat, se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “po përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja për mineralet e rralla, dhe nëse e bën do të ketë shumë probleme”.

Zelensky tha të premten e kaluar, se në projekt-marrëveshje, ka disa gjëra të reja që nuk ishin diskutuar më parë, dhe se ai nuk do të nënshkruajë asgjë që do të “përbëjë një kërcënim për pranimin e Ukrainës në BE”.

Në të njëjtën kohë Kirill Dmitriev, drejtor i Fondit të Investimeve Direkte Ruse, deklaroi për mediat se Moska dhe Uashingtoni kanë filluar diskutimet mbi projektet që përfshijnë mineralet e rralla ruse, dhe se “tashmë ka pasur interes nga kompanitë amerikane për marrëveshje të mundshme”.

Ndërsa Putin e mban Trumpin të zënë me bisedime, po përfiton nga koha për të forcuar makinerinë e luftës. Pardje firmosin rekrutimin e 160.000 burrave të tjerë në ushtrinë ruse deri më 15 korrik, ose 10.000 më shumë se 150.000 që u rekrutuan vitin e kaluar dhe 134.500 në vitin 2022./Pamfleti nga "Il Foglio"

trump putin kërcënimet marrëveshje ekonomike

Lini një Përgjigje