
Bosnje Hercegovina po përjeton aktualisht një nga fazat e saj më kritike. Tridhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës dhe siguroi kuadrin institucional, kriza e shkaktuar nga urdhri i arrestit të gjykatës federale në Sarajevë ndaj presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për shkak të projektit të tij separatist, po kërcënon që ta zhysë në kaos të gjithë vendin.
Megjithatë, ndërsa Dodik po e sfidon vendimin, duke udhëtuar fillimisht në Izrael dhe më pas në Moskë. Dhe teksa vetë gjykata ka kërkuar nga Interpoli të lëshojë një urdhër arresti ndërkombëtar, ka nga ata që e interpretojnë këtë situatë si “Këngën e mjellmës” së udhëheqësit të entitetit serb të Bosnjës.
Por eurodeputeti çek Ondřej Kolář, raportues në Parlamentit Evropian për Bosnje Hercegovinën, thotë se me deklaratat për shkëputje Dodik u përpoq të tregonte muskujt, por tani nuk ka më letra për të luajtur. Gjithsesi, ai shpreh shqetësim për rolin në prapaskenë të kryeministri hungarez Orban dhe presidentit rus Putin, që janë të interesuar të destabilizojnë rajonin, ndërsa Brukseli po shfaqet apatik.
A ekziston rreziku që nëse arrestohet Dodik, kjo mund të nxisë një kryengritje popullore në Republika Srpska?
Nuk e besoj. Dodik ka gabuar në çdo lëvizje, dhe tani s’ka më letra për të luajtur. Ai thjesht po përpiqet të mbijetojë politikisht. Por është gjithnjë e më i izoluar edhe brenda Republika Srpska. Dhe përveç partisë së tij, gati askush në Bosnje nuk e mbështet. Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç duket i gatshëm ta braktisë, sepse mbështetja e tij është bërë shumë e kushtueshme politikisht.
Aleatët e vetëm të mbetur janë Rusia dhe Hungaria. Dodik mendoi gabimisht se do përkrahej nga SHBA. Ai supozonte se Trump do të refuzonte menjëherë Marrëveshjen e Dejtonit, një krijesë e amerikanëve. Por tani për tani, administrata e re nuk e ka vënë në pikëpyetje kuadrin institucional të Bosnjes.
A përbën rrezik real projekti antikushtetues i “Serbisë së Madhe”?
Jo, sepse përveç Dodik, edhe Vuçiç gjendet në vështirësi të mëdha, dhe duhet të fokusohet tek mbijetesa e tij politike. Diskursi mbi “Serbinë e Madhe”, është vetëm një retorikë e drejtuar ndaj opinionit të brendshëm. Por tani kujt i drejtohet ai realisht? Dyshoj se turmat e mëdha që protestojnë kundër Vuçiç janë të interesuara për këtë projekt. Është një lojë që po e humbasin që të dy liderët. Nëse kemi parasysh se të dyja vendet synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ata duhet të kuptojnë se nuk do të lejohen ta bëjnë diçka të tillë.
Pavarësisht thirrjeve nga Parlamenti Evropian, nuk janë vendosur ende sanksionet kundër Dodik dhe atyre që janë përgjegjës për krizën në Bosnje Hercegovinë. Pse?
Mendoj se nuk është koha e duhur për sanksione. Sepse do të rrezikonim të humbnim plotësisht kontrollin e dinamikës së brendshme në Republika Srpska. Edhe pse dyert nuk janë plotësisht të hapura, ka ende një hapësirë të vogël përmes së cilës mund të angazhohemi. Vendosja e sanksioneve do t’i mbyllte ato plotësisht.
BE-ja ka tentuar të vendosë sanksione edhe në të kaluarën, por dështoi për shkak të vetos së Hungarisë në Këshill. E njëjta gjë do të ndodhte tani, dhe Orban do të festonte një tjetër dështim të bllokut. Nuk duhet t’i japim më shanse për të minuar unitetin e BE-së, sepse pikërisht kjo është strategjia e tij.
Po cila është strategjia e Orban në Ballkan?
Strategjia e tij synon të dëmtojë unitetin e Bashkimit Evropian jo vetëm në Ballkan, por kudo ku BE-ja po përpiqet të arrijë përmes politikës së saj të zgjerimit, si për shembull në Gjeorgji. Hungaria e Orban nuk është gjë tjetër veçse një vegël e Putinit. Ai po bën gjithçka për ta ndihmuar Rusinë në çdo front dhe për ta dobësuar Bashkimin Evropian në tërësi, duke bllokuar sa më shumë çështje dhe duke pretenduar se BE-ja nuk po funksionon.
Edhe për sa kohë do të vazhdojë ta destabilizojë rajonin aleanca Dodik-Vuçiç-Orban?
Është e sigurt që ata zotërojnë ende kapacitete për të destabilizuar rajonin, por pyetja është gjithnjë e njëjtë: Kush është tani audienca e tyre? Ata mund të krijojnë kaos, por për një luftë të re në Ballkan, u mungon fuqia për të mobilizuar njerëzit, të cilët nuk janë më të gatshëm të luftojnë. Dodik është i izoluar, dhe Vuçiç nuk do t’i vijë në ndihmë. Vetë ky i fundit po përballet me protesta në shtëpi, ndaj nuk mund të dërgojë ushtrinë serbe diku tjetër.
A ekziston rreziku që Rusia të jetë karta e fundit nën mëngët e Dodik?
Sulmet kibernetike dhe mjetet hibride të luftës, janë diçka që Rusia po përdor dhe do të vazhdojë të përdorë. Duhet kujtuar se pavarësisht dështimit ushtarak në Ukrainë, diplomacia ruse është ende në një nivel shumë të lartë. Kjo do të thotë se ata do ta ndihmojnë Dodik, por vetëm deri në momentin që ai do të bëhet i padobishëm për qëllimet e tyre.
Për shembull, kur Dodik i kërkon Moskës të bllokojë zgjatjen e misionit EUFOR Althea në Bosnje, duke vënë veton ndaj tij në OKB, vetë rusët janë të vetëdijshëm se nëse do ta bënin këtë, NATO do të zëvendësonte EUFOR-in. Pra do të ishte një humbje për Rusinë.
Ndërkohë, a mund të ndihmojnë politikat e Trump në riaktivizimin e liderëve nacionalistë në Ballkan?
Trumpit nuk mund t’i besohet për asgjë. Duket sikur ai ka në Shtëpinë e Bardhë një rrotë fati, dhe çdo ditë që nis, nuk mund ta parashikosh dot se çfarë do të thotë apo bëjë. Ai ndryshon mendje çdo ditë. Është prototipi i një populisti dhe Evropa ka nisur ta kuptojë këtë. Nëse duam të zgjerojmë bllokun dhe ta ndërtojmë një Evropë më të fortë, duhet të fillojmë të jemi vërtet proaktivë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’u ngritur, dhe këtë herë nuk kemi luksin të dështojmë.
Si duhet të reagojë Bashkimi Evropian?
Ne duhet të ndalojmë së supozuari se gjërat do të shkojnë gjithmonë ashtu siç duam, pa ndërmarrë veprimet e duhura. Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, duhet t’i japë prioritet absolut Ballkanit Perëndimor, pasi ai është një rajon vendimtar.
Në listën e atyre që aspirojnë anëtarësimin në BE janë disa vende dhe ne s’mund dështojmë. Sa i përket Bosnje Hercegovinës, mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se duhet të merren drejtpërdrejt me problemet e tyre. Ne kemi vendosur standarde në Bruksel, dhe nuk mund të bëjmë kompromise kur hapim negociatat e anëtarësimit me një vend kandidat.
Boshnjakët duan të jetojnë sipas standardeve evropiane, dhe janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se nëse duan të anëtarësohen në BE, politikanët si Dodik s’kanë asgjë për t’u ofruar. Këtë e tregojnë të gjithë ata që largohen nga Bosnja për të kërkuar mundësi diku tjetër, në vend se të mbeten në një vend ku institucionet pengojnë arritjen e këtij qëllimi./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje