TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Prill 2025, 14:48

A do të përballet edhe Edi Rama me protesta studentore antikorrupsion

Shkruar nga Fadil Lepaja

 

A do të përballet edhe Edi Rama me protesta studentore antikorrupsion
Erdogan, Vuçiç dhe Edi Rama /

Edi Rama, i vëllazëruar politikisht me udhëheqësit autoritarë të Turqisë dhe Serbisë, përpos që duket se e ka humbur orientimin, e ka humbur edhe dominimin mediatik me të cilin e mbulonte hutinë politike të tij...

Protestat në Serbi dhe Turqi janë shembuj të fuqishëm të mobilizimit qytetar kundër regjimeve autoritare, por ato dallojnë në motivet, metodat dhe kontekstin politik.

Çka po ndodhë në Serbi, apo Turqi me protestat masive, me lëkundjen e themeleve të regjimeve autoritare, kleronacionaliste?

A do të vazhdojë kjo të përhapet në rajon, a do të bëhet model për të gjitha vendet ku autoritarizmi i individëve apo oligarkëve e ka ngulfatur vullnetin e lirë të qytetarëve?

Përse politika po dështon të adresojë problemet e qytetarëve?

A është shndërruar politika në zë të interesave dhe jo të qytetarëve?

Ndërkohë që Serbia prej 5 muajsh po përballet me protesta studentore, me një solidarizim të jashtëzakonshëm qytetar; në Turqi protestat shpërthyen muajin e kaluar dhe mobilizimi qytetar është më i kufizuar.

Përderisa në Serbi, mungesa e politikanëve në krye të protestave e ka bërë lëvizjen më masive dhe mundësitë e regjimit kleronacionalist për të përdorur forcën më të vogla; në Turqi, kjo nuk ka ndodhur, pasi protestat i udhëheq partia e Kryebashkiakut të Stambollit, Imamoglu duke e shndërruar krejt këtë në një luftë mes rivalëve politikë, në mes alternativës demokratike dhe asaj kleronacionaliste dhe neoperandorake të Erdogan.

Në të dyja vendet, protestat janë nxitur nga pakënaqësia e thellë ndaj korrupsionit dhe autoritarizmit.

Në Serbi, protestat filluan pas një tragjedie në Novi Sad, ku një stacion treni i rinovuar u shemb, duke vrarë 16 persona. Kjo ngjarje nxori në pah korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhimin. Në Turqi, arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një rival politik i Erdoganit, shkaktoi protesta masive edhe pse regjimi e akuzonte për korrupsion dhe terrorizëm. Ndërsa protestat në Serbi janë kryesisht të udhëhequra nga studentët dhe janë pa liderë politikë të qartë, në Turqi ato janë të organizuara nga Partia Popullore Republikane (CHP), një nga partitë më të vjetra dhe më të rëndësishme në Turqi, e themeluar qysh në vitin 1919 nga Mustafa Kemal Atatürk, i cili ishte edhe themeluesi i Republikës së Turqisë.

Në Serbi, motivet përfshijnë kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie; ndërsa në Turqi, protestat synojnë mbrojtjen e demokracisë dhe lirimin e Imamoglu. Metodat në të dyja vendet përfshijnë demonstrata paqësore, por në Turqi ka pasur përplasje me policinë dhe përdorim të gazit lotsjellës. Erdogan ka ndaluar tubimet dhe ka arrestuar mijëra protestues, duke e quajtur lëvizjen "terrorizëm rrugor”.

Vuçiç nga ana tjetër  ka përdorur propagandën dhe ka kërcënuar protestuesit me masa ligjore, ka ndërmarrë fushata dhe aktivitete të fshehta për të përçare dhe komprometuar lëvizjen studentore.  

Përderisa opozita në Serbi, sidomos ajo demokratike nuk ka një ofertë të qartë politike, parimore, të liruar nga interesat e oligarkëve dhe nuk ka ndonjë peshë politike, gjendja në Turqi paraqitet ndryshe.

Protestat në Turqi po i udhëheqë Partia Popullore Republikane (Cumhuriyet Halk Partisi - CHP), parti kjo e qendrës së majtë që mbështet vlerat e demokracisë, sekularizmit dhe drejtësisë sociale, dhe e cila ka luajtur një rol të dorës së pare në procesin e modernizimit dhe sekularizimit të Turqisë. Ajo ka një histori të gjatë në promovimin e reformave arsimore, të drejtave të grave dhe zhvillimit ekonomik dhe kjo është alternative më serioze përballë ambicieve neoperandorake të regjimit në Turqi. Në vitet e fundit, kjo parti ka fituar mbështetje të gjerë në qytetet e mëdha si Stambolli dhe Ankaraja, duke u bërë një simbol i rezistencës ndaj autoritarizmit.

Për çudi, Evropa, përkatësisht BE nuk është se ka reaguar zëshëm lidhur me këto zhvillime. Hutia në Evropë është ende e madhe, pas ardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ndikimi i tij në marrëdhëniet me Rusinë, dhe luftën në Ukrainë, sikur e bëjnë BE të hezitojë për hapjen e vatrave të reja të krizave dhe sidomos përfshirjen e saj në to. Sidoqoftë lidhur me zhvillimet në Turqi, ajo  ka kërkuar respektimin e vlerave, ndërsa lidhur me zhvillimet në Serbi ka pasur një  heshtje relative.

Moska dhe Uashingtoni, renditja këtu nuk është e rastësishme, edhe po të jenë të përziera në këto zhvillime, nuk duket se kanë ndërmend të shfaqen haptazi, duke lënë të kuptojnë prioritetet e tyre, por edhe duke inkurajuar me “mospërzierjen” e tyre në rreshtimet e reja gjeopolitike. Si po rreshtohet Shqipëria në këto zhvillime globale dhe reflektimin e tyre në rajon, është ende krejtësisht e paqartë.

Në kohën kur nën ndikimin e fuqishëm të Turqisë dhe vendeve të tjera, për festën e Bajramit sheshi i madh në Tiranë ngjan më tepër me ndonjë vend Islamik sesa Evropian, kur Kishat kontrollohen nga qendra jashtëshqiptare, dhe oligarkët shqiptarë të ndikuar skajshëm nga interesa shpesh konkurrente, apo të kundërta, nuk kanë shkuar tutje përtej një legjitimimi të interesave të huaja gjeopolitike në vend, duke u angazhuar për një baraspeshë dhe harmoni të tyre dhe një përfitim nga secila nga ato. 

Se sa është e mundshme kjo në një vend i cili synon të jetë i hapur dhe i sigurt, në një regjion me turbulenca dhe me konfrontim të fuqishëm interesash mbetet të shihet. Dikur ideologjitë e ndryshme, sidomos ato fetare i neutralizonte rilindja kombëtare,  apo lufta çlirimtare, ndërkohë që tashmë nacionalizma shqiptare, madje edhe patriotizmi, duket se nuk janë dominuese askund ku shqiptarët janë shumicë.

Edi Rama, i vëllazëruar politikisht me udhëheqsit autoritarë të Turqisë dhe Serbisë, përpos që duket se e ka humbur orientimin, e ka humbur edhe dominimin mediatik me të cilin e mbulonte hutinë politike të tij.

A do ti ndodhin edhe Edit protesta antikorrupsion dhe kundër autoritarizmit, vështirë është të thuhet kur opozita është po aq e kompromentuar lidhur me këto vlera që promovojnë studentët në Serbi, të cilët suksesshëm po rezistojnë të përfshihen në politikë apo ta pranojnë udhëheqjen e partive politike. A është këtu fuqia  apo pafuqia e kësaj lëvizjeje studentore? Është revolucion apo reformim i politikës? Të Shohim!/Pamfleti

edi rama protesta studentore

Lini një Përgjigje