Evropa duhet ta pranojë: se është e bllokuar midis një Rusie shumë agresive dhe Shteteve të Bashkuara që nuk janë më aleati i besueshëm, dhe që sigurisht nuk do të jenë garanti i sigurisë evropiane...
Fiona Hill, 59 vjeçe, është një nga ekspertet më të shquara perëndimore mbi Rusinë dhe hapësirën post-sovjetike. Ajo ka punuar si analiste dhe këshilltare sigurie për 3 administrata amerikane: nën presidentët Bush Jr., Obama dhe në mandatin e parë të Trump.
Herën e fundit, ajo mbajti pozicionin e zëvendës/ndihmëses së presidentit dhe Drejtoreshës së Lartë për Çështjet Evropiane dhe Ruse në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së gjatë viteve 2017-2019. Vajza e një minatori dhe një infermiereje nga periferia e Anglisë, ajo u diplomua në Universitetin e Harvardit, për të ndërtuar një karrierë të shkëlqyer dhe për t’u bërë shtetase amerikane.
Dëshmia e saj e vitit 2019 gjatë hetimit të Kongresit Amerikan për shkarkimin e Trump, konsiderohet gjerësisht si një simbol i pavarësisë së gjykimit. Ajo foli për ne në Madrid, ku ishte e ftuar nga Fondacioni Ramón Areces për të mbajtur një leksion.
Hill, aktualisht anëtare e Bordit të Mbikëqyrësve të Universitetit të Harvardit, dhe këshilltare në rishikimin e strategjive në Ministrisë britanike të Mbrojtjes, beson se Trump e sheh veten si perandor, dhe u bën thirrje evropianëve të forcojnë unitetin dhe mbrojtjen e tyre përballë një peizazhi ndërkombëtar armiqësor.
Ju personalisht i keni vëzhguar ndërveprimet midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në të kaluarën. Si do ta përshkruanit marrëdhënien e tyre?
Për Putinin, është një marrëdhënie në të cilën ai përpiqet të përfitojë nga dobësitë e Trumpit, për të qenë në gjendje që ta manipulojë. Ndërsa Trump s’ka qenë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë në lidhje me Putinin, pasi është shumë i magjepsur pas këtij të fundit, si një simbol dhe si shembull i asaj që dëshiron të jetë vetë.
Trump dëshiron vërtet që të jetë një autokrat. Ai e sheh veten si një mbret apo perandor. Si një kolos që ecën në skenën botërore. Dhe e sheh Putinin si llojin e udhëheqësit të madh që dëshiron të jetë edhe vetë. Fatkeqësisht, nuk e sheh Putinin për atë që është vërtetë, pra si një lider me shumë dobësi. Ai nuk e sheh që Rusia nuk është më superfuqia që ishte dikur Bashkimi Sovjetik.
Putini e ka bërë të qartë se synon të rivendosë një lloj sfere të ndikimit rus. Pra është e qartë se po përpiqet të përçajë Perëndimin dhe ka një interes të madh për dobësimin e SHBA-së, që ajo të jetë më pak efektive në skenën botërore. A po fiton në këtë aspekt?
Në dukje po. Trump duket sikur po i jep Putinit gjithçka që dëshiron. Po ashtu, edhe ai po flet mbi botën në termat e sferave të ndikimit , diçka që nuk e kanë bërë presidentët e mëparshëm të SHBA-së. Trump po synon që SHBA-ja të marrë kontrollin e gati të gjithë Hemisferës Perëndimore.
Dhe kjo sjellje është një fitore për Putinin, pasi ai flet në të njëjtën mënyrën për rimarrjen e territorit që ishte dikur pjesë e Perandorisë Ruse apo e Bashkimit Sovjetik. Putin do të donte të rivendoste statusin e Rusisë në Evropë, pra dominimin mbi Evropën Lindore, por shumë më gjerë se dikur.
Por nëse e analizojmë situatën në një kuptim më praktik, për luftën në Ukrainë, Putini nuk po fiton. Ai e pa pushtimin e vitit 2022, njëlloj si ndërhyrjet sovjetike në Evropën Lindore në Hungari në vitin 1956 dhe Çekosllovaki në vitin 1968. Ideja ishte një sulm i shpejtë dhe i fortë ushtarak, dhe të gjithë sh-aleatët e Moskës do të vendoseshin në rresht pas saj.
Ai mendoi se Zelenskiy do të rrëzohej nga pushteti. Por ukrainasit vendosën të kundërsulmojnë dhe në vend se të ishte një operacion ushtarak special që do përfundonte brenda pak ditësh ose javësh, u shndërrua në fushatën më të madhe ushtarake të Rusisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Humbjet për ushtrinë ruse janë të jashtëzakonshme. Më shumë se 800.000 të vrarë dhe të plagosur. Nëse analizojmë vetëm të vrarët, të cilët britanikët dhe të tjerët i vlerësojnë në rreth 200.000, kjo është një shifër tronditëse. Sepse në luftën e Afganistanit, gjatë epokës sovjetike, pati vetëm 10.000-15.000 ushtarë të vrarë.
Pra, nuk ka shumë fitore. Në lidhje me ekonominë ruse, ajo nuk është në stanjacion, por po “mbinxehet”, sepse është shndërruar në një ekonomi lufte. 40 për qind e ekonomisë i është dhënë luftës, dhe norma është në rritje. Dhe a po fiton Putin në raport me Evropën?
Nëse fuqitë evropiane po rindërtojnë një shtyllë evropiane të NATO-s, që të jetë më e pavarur nga Shtetet e Bashkuara, dhe nëse mbeten të palëkundura në refuzimin e idesë së ri-angazhimit të ekonomisë evropiane me atë ruse, atëherë kjo nuk është një fitore për Putinin.
Ai vazhdon të besojë se SHBA0ja jo vetëm që do t’ia dorëzojë Ukrainën Rusisë në një pjatë argjendi, por do ta nxisë Evropën të normalizojë marrëdhëniet me Rusinë. Dhe deri më tani, nuk ka fituar as në këtë synim.
Meqë përmendët Evropën, cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e saj në përshtatjen me një epokë kur SHBA-të po distancohen nga dekada aleancash transatlantike, dhe njëkohësisht po përballet me kërcënimin e imperializmit rus?
Duhet ndërmarrë disa veprime. Së pari, Evropa duhet ta pranojë pikërisht atë që thatë: se është e bllokuar midis një Rusie shumë agresive, dhe Shteteve të Bashkuara që nuk janë më aleati i besueshëm që ishte më parë, dhe që sigurisht nuk do të jenë garantuesi i sigurisë evropiane.
Tani rreziku më i madh për evropianët, është se ekziston një cenueshmëri e madhe në infrastrukturën e tyre kritike kombëtare. Ky problem duhet të trajtohet menjëherë. E gjithë infrastruktura jonë kritike kombëtare duhet të mbrohet si nga aksidentet, fatkeqësitë natyrore por edhe nga sulmet hibride nga vendet e tjera.
Këtu duhet të përqendrohen mendjet e evropianëve. Ne duhet të punojmë më ngushtësisht së bashku, pavarësisht nëse një vend është në BE apo NATO. Evropianët duhet të mbrojnë kolektivisht infrastrukturën kombëtare, të ndërtojnë ushtritë e tyre. Të heqin dorë nga grindjet për çështje të tjera dhe të përqendrohen në mbrojtjen kombëtare dhe kolektive, si dhe në ndarjen e inteligjencës.
Ju përmendni rrezikun e sabotimit. Si mund t’i mbrojmë demokracitë tona, të cilat janë nën sulm, si nga manipulimi dhe sabotimi që vjen nga Rusia, ashtu edhe nga fushatat e brendshme të keqinformimit dhe manipulimit nga populistët…?
Kjo kërkon një veprim kolektiv nga Evropa. Kërkohet përdorim i gjykatave, monitorim dhe zbatim i rregulloreve. Sigurisht, do të ketë presione nga Shtetet e Bashkuara, me argumente që denoncojnë rregullimin e lirisë së shprehjes, por është e qartë se në atë fushë ekziston një mundësi për përmbysje.
Evropa është shumë e ekspozuar ndaj manipulimit nga Rusia, por edhe ndërhyrjes në sistemin e saj politik. Mendoj se është tashmë i mirë-njohur fakti, se në rastin e lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës, Rusia ishte shumë ndërhyrëse e manipuluese. E njëjta gjë mund të ndodhë nga SHBA-ja apo nga grupe të tjera brenda Evropës.
Ne duhet t’i marrim shumë seriozisht të gjitha këto rreziqe. Kjo nënkupton se duhet të punojmë bashkë në të gjitha sistemet tona të ndryshme të inteligjencës. Po ashtu, duhet të angazhohemi në një fushatë, që qytetarët tanë të jenë më të informuar rreth rreziqeve.
Po shohim instinkte autoritare nga Trump , por edhe instinkte hiper-libertariane nga oligarkët në SHBA. A jeni optimist se demokracia amerikane, e admiruar nga dikur Tocqueville, do të jetë në gjendje t'i rezistojë këtij kombinimi presionesh?
Unë shpresoj se po, por shpresa është ndryshe nga të qenit optimist. Tani për tani, jam shumë pesimiste, sepse nuk ka pasur një reagim nga Kongresi. Trump e ka tërësisht nën kontroll Partinë Republikane. Shkatërrimi i burokracisë amerikane e ka zhdukur aftësinë e sektorit publik për t’u kundërpërgjigjur.
Tani vëmendja kryesore është tek gjykatat. Por nën sulm është edhe shoqëria civile, media por edhe universitetet. Duhet të shohim nëse do të funksionojnë përpjekjet për t’u organizuar dhe kundërpërgjigjur që vijnë nga sindikatat dhe grupet e tjera të punëtorëve, si dhe universitetet, studiot ligjore dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.
Unë shpresoj që po, pasi do të ishte një tragjedi të shihnim fundin e republikës amerikane dhe demokracisë së saj në prag të 250-vjetorit të Revolucionit Amerikan dhe pavarësisë. Pra të shihnim se jemi rikthyer në tirani, me kthimin e presidentit në një mbret./Përgatiti Pamfleti nga “El Pais”
Lini një Përgjigje