TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Prill 2024, 21:08

Intifada e Ilir Metës kundër SPAK

Shkruar nga Mero Baze

Intifada e Ilir Metës kundër SPAK

Gurët e tij përditë mbi godinën e SPAK dhe në adresë të Dumanit, janë një intifadë e zgjatur dhe e pandërprerë deri ditën që do t’i duhet të përballet me drejtësinë formalisht dhe jo në studio televizive.

Ka një tërbim të pa frenuar të Ilir Metës kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Përtej fyerjeve personale apo bullizimit të tij, ka një vendosmëri të për ta sulmuar përditë, edhe institucionin e SPAK. E dimë të gjithë ku është arsyeja, por natyrisht nuk mund të kemi në dorë t’i kthejmë arsyen Ilir Metës për të heshtur.

Ai ka vendosur ta presë përballjen me drejtësinë jo për ato që ka bërë këto 32 vite në politikë dhe pushtet, por si një reagim ndaj fyerjeve të tij.

Dhe Altin Dumani ka bërë disa gabime.

Gabimi i tij kryesor ishte kur reagoi ndaj akuzave të tij për McGonigal. Altin Dumani është në krye të SPAK më 2023 ndërsa McGonigal ka ardhur për herë të fundit më 2018 dhe nuk kanë asnjë lidhej me njëri-tjetrin. Po dhe sikur të ishin takuar çdo natë, ai nuk ka arsye të bëjë sqarime publike për akuzat që vijnë nga njerëz nën hetim, pasi detyra e tij është t’i hetoj dhe jo t’i sqaroj. Përndryshe pastaj do t’i duhet t’i japë llogari çdo të hetuari që natyrisht nuk është se e kanë qejf prokurorin që po i çon drejt dyerve të gjykatave.

Po ashtu ai u kompleksua kur në raportin e tij para KLP vendosi në kontekst të gabuar vlerësimin e tij për Gjykatën speciale antikorrupsion si noterizuese të vendimeve të SPAK. Mund ta kishte kaluar më me sportivitet duke e thënë në një fjalim tjetër paksa më qartë atë që tha gabim. Nuk kishte pse reagonte ndaj Metës e Berishës që ja bën spot. Përpjekja e tyre thjesht ilustron se ata në një fushatë linçimi ndaj SPAK.

Por përtej vëmendjes së tepruar të prokurorit Dumani ndaj një objekti hetimesh si Ilir Meta, ky i fundit i ka vënë qëllim vetes t'i mbushë mendjen çdo shqiptari se ajo që mund të ndodhë me të përballë drejtësisë, është fryt i fushatës së tij të fundit të fyerjeve dhe sharjeve dhe jo të asaj që ka bërë.

Gurët e tij përditë mbi godinën e SPAK dhe në adresë të Dumanit, janë një intifadë e zgjatur dhe e pandërprerë deri ditën që do t’i duhet të përballet me drejtësinë formalisht dhe jo në studio televizive.

Reagimet e ambasadorëve të perëndimit apo disa grupeve politike pro SPAK në këtë mes vetëm sa i forcojnë atij kauzën se SPAK është i një palë që e mbron dhe kundër një palë që e shan.

Ndaj është mirë që Ilir Meta të lihet në hallin e tij. Halli i tij real nuk është as oratoria e Dumanit dhe as ndonjë mëri personale e tij me Metën. Halli i tij real është pse po hetohet. Këtë hall nuk ia zgjidhim dot. Madje as vetes tonë nuk ia zgjidhim dot nëse do të kemi të njëjtin hall.

Është mirë që të shmangen debate me të rreth qëndrimeve ndaj SPAK. Vetëm kështu, beteja e tij merr kuptimin e vërtetë të dramës që ai përjeton.

Imazhi që ai po krijon në opinion publik, si një i marrë që ka mbushur xhepin me gurë dhe sa shikon një kamer qëllon mbi Dumanin dhe SPAK, është e vërteta e hidhur e mungesës së kurajës dhe integritetit që një politikan duhet të ketë kur përballet me drejtësinë. 

Politikanët nuk mbahen mend si vijnë në pushtet por si dalin nga politika. Mos ia prishni Ilir Metës imazhin e fundi të tij politik, duke e paraqitur dhe këtu si luftëtar. 

Lereni siç është në të vërtetë, si një i marrë që bredh rrugëve me gurë në xhep e gjuan ku të mundë. 

Ky gjyq do t’i mbahet mend. Ai tjetri me drejtësinë, nuk ka shumë rendësi, se është llogari personale para drejtësisë. Tani është duke dhënë llogari para shqiptarëve, për tu treguar se kujt ja kanë besuar fatin e qeverisjes për tre dekada.

Lini një Përgjigje