TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Janar 2025, 11:33

Hungaria e Orban, streha e të korruptuarve të Evropës

Shkruar nga Pamfleti

 Hungaria e Orban, streha e të korruptuarve të Evropës

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, njoftoi se qeveria e tij do t’i ofronte azil çdo politikani që sipas tij po persekutohet...

Marcin Romanowski, ish-zëvendës/ministër i Drejtësisë nën qeverinë tashmë të rrëzuar të drejtuar nga partia polake Ligj dhe Drejtësi (PiS), dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 100 milionë zlot (24.5 milionë dollarë) gjatë kohës që ishte në detyrë.

Provat për këtë krim janë të pakundërshtueshme: bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Tomasz Mraz, ka vendosur që të bashkëpunojë me drejtësinë, duke dekoduar për prokurorët komunikimet e përgjuara telefonike, në të cilat Romanowski dhe ai diskutonin për grumbullimin e parave nga një fond publik i destinuar për viktimat e krimit.

Kur një komision parlamentar dhe zyra e prokurorit, e thirrën Romanowskin për ta marrë në pyetje, ai pretendoi se ishte shtruar i sëmurë në spital, përpara se të zhdukej pa lënë gjurmë. Shumë shpejt u bë e qartë se ku ishte arratisur.

Pasi prokuroria polake lëshoi ​​një urdhër-arrest në mbarë Evropën, dhe lëshoi Sinjalin të Kuq për Interpolin, kryeministri hungarez Viktor Orbán njoftoi se qeveria e tij do t’i ofronte azil çdo politikani që sipas tij po persekutohet në Poloni. Me sa duket në atë kohë, Romanowski ndodhej në Hungari prej disa ditësh.

Romanowski nuk është zyrtari i parë i PiS që arratiset në Hungari. Pasi u thirr nga një komision tjetër parlamentar, Daniel Obajtek, dhe ish-kreu i Orlen, kompania më e madhe shtetërore e Polonisë, kërkoi mbrojtjen e udhëheqësit autokrat hungarez.

Madje duke treguar jo pak cinizëm ai “kandidoi” për një vend në Parlamentin Evropian nga territori hungarez, dhe u rikthye në Poloni pasi fitoi dhe u pajis me imunitetin parlamentar (që nga ajo kohë prokuroria polake ka aplikuar për t’ia hequr këtë status).

Mbrojtja e politikanëve të korruptuar nuk është asgjë e re për Orbán. Ai i ka dhënë azil tashmë ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili u arratis në Hungari për t’i shpëtuar një dënimi me burg mbi akuzat për korrupsion.

Dhe ai e lejoi ish-presidentin brazilian Jair Bolsonaro që të fshihej në ambasadën hungareze në Brazilia, gjatë hetimit për tentativën e tij të dështuar për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.

Teksa deputetët dhe ministrat cinikë të PiS po bëjnë çmos që të shmangin përgjegjësinë duke u arratisur në Hungari, mund të imagjinoj që kjo parti mund të formojë madje edhe një “qeveri në mërgim” për sa kohë që do të zgjasë mandati i kryeministrit aktual të Polonisë Donald Tusk.

Në çdo rast, azili që u jep Orbán të korruptuarve, e ka vendosur qeverinë e Donald Tusk në një pozitë të vështirë. Publiku pret që hajdutët, mashtruesit dhe miqtë që i keqmenaxhuan punët e vendit nën qeverinë e mëparshme, të japin llogari dhe ndëshkohen nga ligji.

Por teksa ndjekjet penale po ecin shumë ngadalë, zhgënjimi i qytetarëve, është gjithnjë e më i madh. Shumë prej tyre kanë frikë nga një përsëritje e asaj që ndodhi në Shtetet e Bashkuara, kur rrotat e drejtësisë lëvizën shumë ngadalë për ta mbajtur Donald Trumpin përgjegjës për tentativën për grusht shteti pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Asnjë demokraci nuk është e sigurt nëse politikanët mund të përpiqen ta përmbysin atë, apo të zhdukin qindra miliona dollarë nga arkat publike, vetëm për t’u arratisur në një shtet mafioz aty pranë për të bërë jetë të qetë. Pa shtetin e së drejtës dhe llogaridhënien politike, sistemet demokratike nuk do të kenë më respektin e publikut.

Po ashtu, ato nuk do të kenë asnjë legjitimitet. Cinizmi do të përhapet në masë, qytetarët do të tërhiqen nga angazhimi qytetar, dhe vetë njerëzit që i shmangen drejtësisë, do të kenë mundësinë të kapin edhe një herë levat e pushtetit. Partia polake Ligj dhe Drejtësisë dhe Viktor Orbán mund të kenë arritur një fitore të vogël të përkohshme ndaj Tusk.

Por në planin afatgjatë, Orbán mund të jetë humbësi më i madh në këtë çështje. Edhe pse ai aktualisht është euforik pas fitores së Donald Trump në SHBA, vendi i tij së do të paguajë shpejti çmimin për afërsinë e tij të madhe me presidentin rus Vladimir Putin.

Një marrëveshje që e lejoi gazin natyror rus të kalonte tranzit përmes Ukrainës në Hungari dhe Sllovaki (vend që udhëhiqet nga një tjetër lider populist pro-rus), midis vendeve të tjera, skadoi në fund të vitit të kaluar, dhe Ukraina refuzon që ta rinovojë atë.

Ndërsa Polonia ka në plan t’i kërkojë Komisionit Evropian që të nisë procedimet disiplinore kundër Hungarisë sipas nenit 259 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, çdo shtet anëtar i bllokut që i bindet ligjit, duhet t’i kushtojë vëmendje asaj që do të ndodhë më pas.

Në rast se Hungaria do të lejohet të shndërrohet në një strehë për politikanët e korruptuar në të gjithë Evropën, sundimi i ligjit do të minohet kudo. Me kaq shumë sfida dhe rreziqe, Brukseli nuk ka luksin që të mbyllë njërin syrin për këtë shkelje flagrante.

Gjatë dekadës së fundit, Orbán ka zhvilluar një luftë politike kundër Perëndimit liberal demokratik, duke u bërë një vegël qorre e presidentit rus Vladimir Putinit dhe atij kinez Xi Jinping. Ndërsa po rritet varësia e tij ndaj tyre, përpjekjet e kryeministrit hungarez për të përmbysur demokracinë evropiane vetëm sa do të përshkallëzohen.

Dhe sa më i izoluar të bëhet brenda Evropës, aq më lehtë do të jetë për Rusinë dhe Kinën që të shfrytëzojnë dobësinë e tij. Kështu Hungaria do të bëhet një tjetër “Bjellorusi” në kontinent, po aq e varur nga diktatorët e huaj, saqë sovraniteti i saj shtetëror do jetë në thelb i pakuptimtë.

Përpjekjet e Orbán për të dobësuar sundimin e ligjit në vendet evropiane, mund të jenë në favor të nacionalistëve të krahut të djathtë, por kjo nuk është një strategji afatgjatë fituese. Nëse miqtë tuaj të vetëm janë Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, atëherë zëre se nuk keni fare miq.

Shënim: Sławomir Sierakowski, themeluesi i lëvizjes Krytyka Polityczna në Poloni.

 

hungaria e orban streha e të korruptuarve

Lini një Përgjigje