TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Shtator 2023, 10:02

Grek apo shqiptar? Kjo është çështja sot

Shkruar nga Auron Tare

Grek apo shqiptar? Kjo është çështja sot

Për Goxhajn nuk interesohet askush nga diplomacia jonë (të paktën publikisht) as ish-kryeministri dhe presidenti i Republikës.

Ndoshta hera e parë që do të mendohesha përpara fletës së Censusit. Dikur në kohën e Berishës së dytë talleshim me Artan Lamen mbi pyetjet e Censusit. Por kohët kanë ndryshuar, Lamja nuk para shkruan më dhe një Census i ri na ka mbërritur në derë. Çfarë jam, çfarë dua të jem dhe çfarë mund të jem është në një farë mënyre thelbi i këtij Apeli te ri mbi popullatën.

Për herë të parë kam një dilemë, dilemë kjo e shtyrë nga realiteti i sotëm dhe përqasja ndaj dy ngjarjeve thellësisht shqiptare:

Fredi Beleri, një ish banor i fshatit të Progonatit në malësitë e thella të Tepelenës, i vetë shpallur grek, i akuzuar (por jo i dënuar) si pjesëtar i grupeve terroriste anti-shqiptare, i zgjedhur në mënyrë demokratike si Kryetar i Bashkisë së Himarës, me mbështetjen politike të një ish-kryeministri dhe një ish-presidenti të Shqipërisë, tashmë në burg.

Për ta çuar në karrigen e fituar Belerin e Progonatit është hedhur në sulm diplomacia helene në nivelin më të lartë të mundshëm. Beleri është bërë një emër i njohur në kancelaritë euro atlantike dhe personalitete të shquara të politikes greke vijnë çdo javë në Shqipëri, për t’i bërë presion opinion publik dhe politikës shqiptare.

Dritan Goxhaj, shqiptar, ish-anëtar i UÇK-së i cili në kohën më kritike për kombin e tij iu përgjigj thirrjes së ndërgjegjes kombëtare. Shërbeu në ushtrinë guerrile dhe pasi lufta mbaroi dhe Kosova u bë e pavarur vazhdoi jetën e tij modeste pa kërkuar as shpërblime dhe as medalje.

Sot është në burgjet e shtetit të tij për një intervistë (në median e lirë dhe të pavarur demokratike ku presupozohet të thuash mendim tënd). Për Goxhajn nuk interesohet askush nga diplomacia jonë (të paktën publikisht) as ish-kryeministri dhe presidenti i Republikës.

Po ashtu si opinioni publik si politika nuk kanë ndonjë interes të dukshëm për çështjen e tij. Për Goxhajn nuk ka as shoqatë avokatësh që të mbrojnë publikisht, as Kryetare Bashkish dhe as Kryeministra. Dritani është i vetëm në qeli, dhe për ironi të fatit ndoshta shumë afër me qelinë e Belerit nga Progonati.

Grek apo shqiptar? Kjo është çështja sot.

auron tare grek shqiptar

Lini një Përgjigje