TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Korrik 2023, 19:00

Gogoli i ministrit të Brendshëm: A ha koka ajo “kuçedër”?

Shkruar nga Ylli Pata

Gogoli i ministrit të Brendshëm: A ha koka ajo

E sa herë ka një ndryshim kupole të dikasterit më të rëndësishëm në vend pas kryeministrit, nis e ri sillet legjenda e kuçedrës që ha koka njerëzish të rëndësishëm...

Ka një narracion të sforcuar në këto vite, në lidhje me gogolin e ministrisë së Brendshme. Teori që rreken ta ilustrojnë disa sosh, se ai post në Shqipëri është mallkim, se ka ngrënë burra vakti si Mehmeti e Kadriu le të tjerët.

E sa herë ka një ndryshim kupole të dikasterit më të rëndësishëm në vend pas kryeministrit, nis e ri sillet legjenda e kuçedrës që ha koka njerëzish të rëndësishëm.

Siç po qarkullon edhe sot pas emërimit të Taulant Ballës si pasues i Blendi Çuçit në krye të ministrisë së Brendshme.

Në fakt i gjithi ky është një gjykim semplist, siç janë edhe akuzat apo sulmet që i bëhen Taulant Ballës përpara se të marrë në duar postin që ka fuqi ekzekutive shumë të mëdha, pra pushtet i dyti në radhë sa kryetari i qeverisë.

Gjykimi, komenti apo edhe një analizë e zhvillimeve kërkojnë logjikisht një apo disa argumente që janë më komplekse, e gjithashtu edhe pikëpyetje që ngrihen, e kërkojnë përgjigje gjatë punës që Taulant Balla do të ketë si ministër i Brendshëm.

Pikëpyetja e parë: Përse Edi Rama mori vendimin që të zëvendësojë Blendi Çuçin me Taulant Ballën, kreun e grupit parlamentar të PS-së?

Në këtë rast, nuk hyn e mund të hyjë kush në kokën e Ramës, për të nxjerrë arsyet e tij, pasi atë e di dora vetë, por nga vëzhgimi i zhvillimeve, mund të nxirren hipoteza apo analizohen shkaqet dhe synimet me këtë zhvillim të rëndësishëm politik në vend.

Taulant Balla, është një nga të paktët politikanë të lartë të Partisë Socialiste, që nuk kanë provuar asnjëherë një përvojë ekzekutive në 2 mandate e gjysmë të qeverisjes së kësaj mazhorance.

Si pjesëtar i skuadrës drejtuese të mazhorancës, duket është gjykuar nga Rama, që t’i japë Ballës një rol “sulmi”, pasi ka qenë gjatë në “mbrojtje” pra në Kuvend, duke u përballur me luftën politike ditore me opozitën.

Në një situatë kur Rama, do të jetë më i ekspozuar me një axhendë më ndërkombëtare, siç është ai i Samitit Berlinit në Tiranë, dhe një rol gjithnjë e më të tonuar në zhvillimet në arenën diplomatike, ardhja e Ballës në krye të ministrisë së Brendshme, përveç normalisht drejtimit të dikasterit, politikisht ai duket do të ketë rol kryesor në luftën ditore me opozitën. Kësaj radhe, jo nga karrigia e kreut të grupit parlamentar, ku bën debatin procedural, por si aktor aktiv në luftën politike.

Për çdo politikan, ministria e Brendshme është prova finale o për tu rritur në karrierë, ose për humbur përfundimisht stekën e aktorit të nivelit të lartë. Ndaj edhe në shumë raste kolltuku i MB djeg karriera, por edhe ka ngritur të tilla. Faret sesi e menaxhon, apo sa fati mund të ndikojë në menaxhimin e karrierës.

Ministri i parë i Brendshëm pas komunizmit, edhe pse ndejti vetëm dy muaj në këtë detyrë, e s’pati më asnjë post të lartë qeveritar, u bë një nga politikanët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në vend. Është fjala për Gramoz Ruçin, i cili për 30 vjet ishte njeriu më influent i Partisë Socialiste dhe të majtës shqiptare, deri kur u largua vetë nga politika, pasi e mbylli një mandat parlamentar si Kryetar i Kuvendit. Ku dhe aty tregoi se ishte e njëjta prerje siç kishte qenë në postet e tjera. Autoritativ dhe deciziv në thuajse të gjitha hapave, duke mos rrëshqitur thuajse asnjëherë në boshllëk apo në zjarr.

Edhe sot që Gramoz Ruçi nuk është në politikë, influence e tij është e padiskutueshme në pjesën më të madhe të ambienteve të rëndësishme të PS-së. E një karrierë më rezultative se kaq, shumë pak mund të ketë, në gjithë eksperiencën politike në vend.

Por nuk është Ruçi i vetmi që është rritur progresivisht në karrierë pasi ka provuar postin e ministrit të Brendshëm. Lulzim Basha, i cili është një hap në marrjen sërish të postit të shefit të opozitës, ka qenë ministër i Brendshëm, para se të katapultohej më pas në dy poste të nivelit të lartë; si kryebashkiaku i Tiranës dhe lideri i PD-së.

Arsyeja që duket Rama i ka dhënë portofolin e lartë Taulant Ballës, është më shumë politike, duke i ofruar një rol politik të rëndësishëm, rol që deri tani e ka mbajtur vetë kryeministri. Natyrisht ka qenë zgjedhja e tij ky protagonizëm alla presidencial, protagonizëm që ka si problemet e benefitet për atë që e luan.

Por siç ka deklaruar pas zgjedhjeve të 14 majit vetë Rama, ai gjithnjë e më pak ose aspak do të merret me debatin e përditshëm politik në Kuvend, apo edhe në “”mexhlisin mediatik”. Kështu që këtë rol në betejën e përditshme ja ka deleguar Ballës. Natyrisht edhe duke i dhënë një mundësi që çdo politikan aktiv e kërkon normalisht, atë të karrierës në rol ekzekutiv. Por mënyra dhe koha është shumë e rëndësishme së bashku me kontekstin. Rasti i Gramoz Ruçit është një shkollë politike për ta vërtetuar këtë aksiomë. Gjithsesi Rama i dha një shans Ballës, e do të jetë ministri i ri që do të ofrojë vetën në këtë rol.

Ndërkaq, për akuzat e lëshuara pa hyrë në ministri nga Foltorja apo qarqet brenda saj, mjedisi politik shqiptar është thuaj imunizuar me këtë mjet krejt jo efikas i betejës politike.

Aq më shumë, standardi që ofron Berisha në këtë rast është krejt jo proporcional. Pasi kur ndaj tij ka akuza zyrtare nga organe zyrtare apo autoritete si qeveria e SHBA ai kërkon prova, ndërsa akuzon të tjerët, pa ofruar asnjë provë, apo pa dërguar asnjë padi apo denoncim në SPAK.

ministri brendshëm posti që ha koka

Lini një Përgjigje