TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Janar 2025, 16:25

Çfarë tregon debati i mbrëmshëm Qori-Fevziu?

Shkruar nga Vudi Xhymshiti
Çfarë tregon debati i mbrëmshëm Qori-Fevziu?
Qori-Fevziu

Për sa kohë që figura si Fevziu zgjedhin të mbyllin sytë ndaj padrejtësive dhe të heshtin zërat kritikë, Shqipëria do të mbetet në duart e atyre që e shohin shtetin si një mjet për pasurim personal dhe jo si një shërbim publik...

Në një studio televizive ku debatet politike shqiptare marrin formën e një spektakli të kontrolluar, një përplasje mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kryetarit të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ekspozoi më shumë sesa thjesht tensione personale.

Ishte një episod që hodhi dritë mbi dështimet e thella të mediave shqiptare për të përmbushur rolin e tyre si mbikëqyrës të pushtetit. Përgjigjja e Fevziut ndaj akuzave të Qorit se ai nuk është nën ndikimin e askujt kur vendos kë të ftojë në emisionin e tij, ishte një mbrojtje boshe, që shmangte problemin thelbësor: një gazetari që ka zgjedhur të luajë rolin e mbështetësit të heshtur të një sistemi të kalbur nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Fevziu, si një nga figurat më të njohura të gazetarisë shqiptare, ka një përgjegjësi të veçantë. Ai nuk është thjesht një gazetar i zakonshëm; ai është një formues i narrativave që arrijnë çdo kënd të vendit. Pretendimi i tij për pavarësi editoriale, ndërkohë që figura si Arlind Qori, të cilët sfidojnë status quo-n mbeten jashtë studios së tij për më shumë se një vit, nuk është vetëm një ironi, por një akuzë e heshtur ndaj një sistemi që favorizon heshtjen e kritikëve.

Në rastin e Fevziut, emisioni i tij është më shumë një mekanizëm i mirëmbajtjes së narrativave të pushtetit sesa një hapësirë për ekspozimin e padrejtësive.

Arlind Qori, i cili përfaqëson një grupim politik që i reziston oligarkisë dhe kapjes së shtetit, ngriti një akuzë të drejtpërdrejtë: censura që media të tilla si ajo e Fevziut zbatojnë në mënyrë të heshtur. Për një vend si Shqipëria, ku korrupsioni ka metastazuar në çdo aspekt të shoqërisë, një akuzë e tillë është më shumë se retorikë politike; ajo është një pasqyrë e dhimbshme e dështimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të një shoqërie demokratike, medias. Megjithatë, reagimi i Fevziut ishte një përpjekje e tejdukshme për të zhvendosur vëmendjen. Ai nuk e sfidoi substancën e akuzës, por iu drejtua statistikave sipërfaqësore për të treguar se edhe zyrtarë të lartë të qeverisë nuk ishin të ftuar shpesh. Kjo është një manovër që nuk synon të zgjidhë problemin, por të relativizojë atë.

Por çfarë e bën këtë debat më shumë se një përplasje personale? Është një simptomë e një krize më të madhe që ka përfshirë gazetarinë shqiptare. Në dekadën e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim dramatik në marrëdhënien mes medias dhe pushtetit. Në vend që të jenë një gardian i demokracisë, shumë media janë shndërruar në përforcues të interesave të elitave politike dhe ekonomike. Kjo nuk është një gjendje unike për Shqipërinë.

Carl Bernstein, një tjetër gazetar i njohur e i nderuar me çmimin ‘Pulitzer’ ka vënë në dukje në kontekstin global ku thotë se "Gazetarët duhet të ndriçojnë errësirën, jo të jenë pjesë e saj." Por në rastin shqiptar, "errësira" është bërë norma dhe gazetarët si Fevziu, në vend që ta ndriçojnë atë, shpeshherë e ushqejnë.

Fevziu pretendon se ai nuk është nën ndikim, se zgjedhjet e tij janë të pavarura dhe se censura nuk ekziston në emisionin e tij. Por në një mjedis ku oligarkia dhe krimi i organizuar kanë kapur shtetin, një mungesë e tillë e angazhimit për të sfiduar pushtetin është në vetvete një akt i heshtur mbështetjeje. Është ajo që shumë e quajnë "censurë e butë" — një fenomen ku heshtja e zërave të kritikës është më e fuqishme se çdo ndalim direkt.

Në këtë kontekst, Shqipëria nuk është vetëm një vend i vogël në Ballkan që lufton për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Është një rast studimi për atë që ndodh kur media dështon të mbrojë publikun. Edi Rama, kryeministri që ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë, ka arritur të ndërtojë një regjimi që sipas Der Spiegel dhe The Washington Post, është praktikisht një shtet-mafia. Këto akuza, të dokumentuara me dëshmi konkrete, tregojnë një qeverisje që jo vetëm toleron, por integron krimin e organizuar në çdo nivel të saj. Për një vend që aspiron të bëhet pjesë e familjes evropiane, kjo është një situatë katastrofike. Por edhe më shqetësuese është fakti që këto akuza nuk marrin pothuajse asnjë hapësirë në diskursin mediatik të vendit. Fevziu, për shembull, as nuk ka pasur guximin t’i shfletojë këto raporte në programin e tij televiziv, e aq më pak t’i debatojë ato për të ndihmuar publikun të kuptojë se shteti është i kapur nga mafia.

Nëse ndjekim mendimin e gazetarit Walter Lippmann, një tjetër gazetar i nderuar me çmimin Pulitzer ku ai thotë "Funksioni i shtypit është të shërbejë si një organ kontrollues mbi pushtetin, jo të bëhet pjesë e tij." Ky parim bazë i gazetarisë ka dështuar në Shqipëri. Media, në vend që të jetë një bastion i të vërtetës, është bërë një zgjatim i pushtetit. Ajo që është edhe më shqetësuese është roli i komunitetit ndërkombëtar, i cili shpesh i mbyll sytë ndaj këtyre fenomeneve. Mbështetja e vazhdueshme për Ramën nga institucione si BE-ja dhe SHBA-ja nuk është vetëm një dështim moral; është një bashkëpunim i heshtur në ruajtjen e status quo-së.

Për ta përfunduar këtë mendim, dua të them se debati mes Fevziut dhe Qorit nuk është thjesht një episod televiziv. Ai është një pasqyrë e një krize më të madhe që po shkatërron themelet e demokracisë shqiptare. Media, e cila duhet të jetë një kundërpeshë ndaj pushtetit, është kthyer në një nga aleatët e saj më të fuqishëm. Për sa kohë që figura si Fevziu zgjedhin të mbyllin sytë ndaj padrejtësive dhe të heshtin zërat kritikë, Shqipëria do të mbetet në duart e atyre që e shohin shtetin si një mjet për pasurim personal dhe jo si një shërbim publik. Dhe historia nuk do t’i falë ata që, me vetëdije ose jo, ishin bashkëpunëtorë në këtë proces. /SpotLight-Pamfleti

Lini një Përgjigje