TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Tetor 2024, 15:47

Çfarë i mban shqiptarët larg Atdheut?!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Çfarë i mban shqiptarët larg Atdheut?!

Po vendi im pse u katandis në një gjendje vetëm varfërie?

Kur ende nuk e di se ku po shkon, kuptohet se ti jeton kot.
Por, a është e lehtë që ta dish se ku po shkon?

Të gjithë ngrihen në këmbë, ecin, rriten dhe mendojnë, dhe kryesorja mbetet pyetja: ku jam e ku po shkoj?
Jam këtu, por nuk e di se ku po shkoj me jetën time.
Ajo ikën dhe ti po rri në vend.

Ku do shkoj? Është pyetja. Dhe ti përsëri je në vend.
E pra, nuk është e lehtë ta gjesh se ku po shkon edhe pse po shkon ashtu si ti ke dëshiruar.
Është e vështirë.

Por jeta ikën, dhe ti ende nuk e ke gjetur vendin tënd.
Në fakt gjithçka është paraja. Te paraja është edhe mendimi, apo dhe pasioni.
E pra, sa fiton dhe ku mendon të jetosh?

Kjo është pyetja, dhe këtu ngec gjithçka, se jam në Shqipëri dhe këtu ende mëditja është e ulët.

Ai do të fitojë para më shumë, dhe prandaj largohet nga vendi i tij. Fiton më shumë para, por është larg atdheut, familjes e shoqërisë, se nuk është më në vendin ku ka lindur. Dhe nuk flet me gjuhën e tij, por në një gjuhë të huaj.

Jam i huaj thotë, dhe njerëzit i kam në Shqipëri.
Mërzitja e mbyt. Dhe në Shqipëri nuk ka punë me fitim kaq të madh.

Po ai është vendi im, aty është shoqëria ime, prindërit dhe fisi im dhe prindërit e vëllezërit e mi dhe motrat e mia, dhe këtu jam si i mjerë, edhe pse ata janë të gjithë të gjallë. Të kthehem? Jo, nuk mundem.
Se në Shqipëri nuk ka para për të jetuar i qetë. Por ai është vendi im.

E pra, më mirë në varfëri dhe në vendin tim, apo këtu, i vetëm, me disa shokë shqiptarë dhe me të huaj që nuk të pranojnë.

Po vendi im pse u katandis në një gjendje vetëm varfërie?
Kjo nuk dihet.

Por puna në Shqipëri nuk të jep pasuri që ti të jetosh si njeri i lirë.

Të punosh dhe të mos jetosh si njeri i lirë, është skllavëri.
Po unë çfarë të bëj?

Ja, kjo është pyetja e emigrantit sot, që ka lënë atdheun se aty nuk ka punë dhe ai kërkon të jetojë me punën, mundin dhe me mendjen e tij në një jetë të qetë dhe me mirëqenie.

Po atdheu?

shqiptare atdhe larg

Lini një Përgjigje