
A je i aftë ti ta tregosh atë ashtu siç është në të vërtetë apo ashtu si ajo ka ndodhur, dhe jo si e ke parë ti?
Ç'është fakti, e vërteta dhe fjala e mendimi që e komunikon të vërtetën si të tillë në një bisedë?
1.Gjithë jeta jonë mendore vjen e shfaqet në komunikimin tonë me anë të fjalës dhe numrit.
Po kush është më superior në këtë jetë mendore: numri apo fjala?
Që në fillim duhet ta themi se më superior është ai ose ajo që lidhet direkt me të vërtetën.
Por...
Gjithkush që është duke treguar diçka, në fakt, nuk e di saktë të vërtetën rreth saj dhe të gjithë shpesh mendojnë se janë duke thënë diçka të vërtetë dhe prandaj tregojnë.
Por e vërteta është shumë e vështirë të dihet saktësisht. Sepse edhe pse ti e ke parë një fakt apo një ngjarje, rreth këtyre është vështirë që, duke i treguar, ti po thua të vërtetën. Sepse këtu vjen dhe hyn kuptueshmëria e fjalëve dhe ti nuk e përfill këtë, se ke besim se je tek e vërteta.
Por ky besim, si rregull, individëve u vjen nga sinqeriteti, sepse ai që po tregon, duke qenë i sigurt që nuk po gënjen, mendon se po thotë të vërtetën.
Por, ja, këtu e zë fillin e vet ky punimi ynë për të vërtetën, sepse e vërteta është e komplikuar në perceptimin apo në kuptimin e saj.
2. E vërtetë nuk është fantazia jote që del duke folur në atë që po tregon, por është vetëm një fakt apo një ngjarje që ti e ke parë, por ama:
A je i aftë ti ta tregosh atë ashtu siç është në të vërtetë apo ashtu si ajo ka ndodhur, dhe jo si e ke parë ti? Sepse ngjarja që ti po tregon është një fakt që ka ndodhur realisht, por është shumë e vështirë të përcaktohet saktë me fjalë.
Prandaj...
A jemi të sigurt ne që ti atë ngjarje që po na tregon e ke parë me mendje të kthjellët?
A jemi të sigurt ne që ti, në formimin tënd, e ke të drejtë raportin midis fjalës dhe mendimit?
Dhe këto nuk janë pyetje të thjeshta.
Sepse...
Ja, mu këtu vjen e zë fill raporti midis tregimit tënd dhe të vërtetës.
Po e vërteta, çfarë është?
E vërteta është ajo që ka lidhje me një fakt ose dhe me një ngjarje, por fakti dhe ngjarja duhet të kenë ndodhur realisht dhe ti i ke parë.
Domethënë faktin që po tregon, e ke parë ti vetë.
Por ama: këtë fakt-ngjarje: që të gjithë njëlloj si ti e kanë parë të gjithë ata që po e tregojnë, secili i jep një kuptim të ndryshëm.
Dhe këtu humbet e vërteta.
Prandaj pikërisht kjo është arsyeje që e vërteta duhet të kalojë gjithmonë nga një fakt real, dhe, pastaj, ky fakt të mund tregohet apo të rrëfehet si i vërtetë, por kjo, për të gjitha ato që shprehëm, është shumë e vështirë.
Dhe kjo ndodh sepse ende mendimi njerëzor është larg saktësisë matematike.
3. Por ka edhe një arsye tjetër;
Sepse:
Raporti midis faktit real dhe kthjelltësisë e qartësisë tënde mendore në shprehjen e mendimit që po jep, duhet të jetë një raport i drejtë.
Dhe kjo sepse...
Tregimet apo rrëfimet e përditshme kanë brenda tyre edhe paqartësi, prandaj e vërteta ka lidhje direkte vetëm me faktin, dhe jo me tregimet që formulojnë thëniet, rrëfimet ose përmendjet në lidhje me fakte që ende nuk dihet se çfarë janë.
Por pikërisht këtu na del një gjë thelbësore si mendim, sepse...
Fakti në vetvete, sado i vërtetë që të jetë, ti që po e tregon atë si fakt, nuk ke më shumë lidhje me të, se sa me fjalët që formulojnë tregimin tënd për faktin apo për ngjarjen.
Domethënë: fakti apo ngjarja kanë ndodhur, janë parë, por kush po e tregon faktin apo ngjarjen?
Ja, kjo është pyetja, sepse nëse këto po i tregon një individ, a jemi të bindur ne që ky individ i ka zgjedhur fjalët perfekt për të na transmetuar vërtetësisht ne të tjerëve faktin apo ngjarjen që ai ka perceptuar?
Dhe pikërisht këtu vjen dyshimi, sepse, brenda karakterit njerëzor, treguesi i faktit apo ngjarjes mund të jetë me turbullim mendor në intelektin e tij, ashtu si mund të jetë edhe një mashtrues. (?)
Dhe nga kjo gjendjeje vjen e krijohet dyshimi për vetë faktin.
Atëherë?
Kjo tregon që e vërteta qëndron por, për të gjitha ato që thamë, ne njerëzit jemi të pabesueshëm në transmetimin e saj nga një tjetër apo disa të tjerë, sepse e vërteta e kërkon që, ai që po e tregon si të vërtetë duhet të jetë i besueshëm dhe i qartë mendërisht.
4. Po për faktin që ne e kemi parë vetë, çfarë mund të themi për të?
Ai është një fakt i vërtetë për atë që e ka parë, por sapo ai nis t'ua tregojë këtë fakt të tjerëve, dyshimi për të vërtetën e këtij tregimi, nuk i lë ata ta besojnë që ai është i vërtetë.
Por si duhet të operojmë për të vërtetën?
E vërtetë deri tani quhet vetëm e vërteta shkencore që ka dalë nga kalkulime nëpërmjet numrit: domethënë matematika.
Sepse, sapo të ndahemi nga numri, ne vijmë te fjala dhe mendimi ynë, sepse fakti që kemi parë, tani është fjalë - domethënë është tregim. Dhe ky lloj tregimi, në thelb, është interpretim i atij fakti me anë të fjalëve, por mund të jete edhe një shpjegim për një ngjarje, që ne nuk jemi të sigurt nëse e vërteta që mban brenda saj kjo ngjarje, të jetë transmetuar qartë me anë të frazave që janë formuluar sipas fjalëve.
Domethënë pyetja është kjo: ne njerëzit, të vërtetë paskemi ose atë që shohim ose prekim vetë, ose atë që na ka dhënë matematika dhe shkenca, sepse po ta dëgjojmë si tregim me fjalë nga një tjetër, ky tregim nuk e ka brenda tij sigurinë për të vërtetën e faktit?
Po, shumë e saktë, ky tregim nuk e ka sigurinë për të vërtetën e faktit që po komunikohet, sepse është dhënë me anë fjalësh, dhe jo me matematikë.
5. Por është fakt që ne te gjithë, gjatë gjithë ditës tregojmë, transmetojmë fakte, japim idetë tona, por gjithsesi, dhe të gjitha këto mund të jenë jashtë së vërtetës.
Dhe kështu është.
Po pse ndodh kjo në tregimet tona?
Sepse fjala nuk ka perfeksion të plotë në përmbajtjen e saj.
Domethënë, numri është shumë më i fortë se fjala në perfeksion?
Sigurisht.
Sepse numri na ka dhënë matematikën, shkencën, dhe kjo na ka çuar në hënë.
Po fjala?
Fjala na ka dhënë bisedën, dashurinë, letërsinë, romanin, filozofinë - domethënë se na ka dhënë kënaqësinë e jetës sonë, por jo të vërtetën.
Deri tani, të vërtetën na i ka dhënë vetëm shkenca, domethënë numri: që nga aritmetika e deri tek matematika. Dhe ne prandaj e kemi të nevojshme që, pasi lidhemi me shkencën, kërkojmë dhe kalojmë te biseda, që të çlodhemi me fjalët që tregojmë në bisedat që bëjmë me njëri-tjetrin, sepse kemi kaluar nga numri te fjala.
Domethënë kemi kaluar, nga shkenca te romani dhe fantazia poetike që, pasi vjen e shfaqet mes mendimit artistik, ajo na jep kënaqësi shpirtërore.
Por e vërtetë është vetëm ajo që kalkulohet në mënyrë matematike.
Lini një Përgjigje