Përmes një letre udhëheqësi i lëvizjes anti-komuniste polake Lech Walesa i jep disa këshilla Donald Trump se si duhet të sillet SHBA-ja e shekullit XXI me aleatët dhe kundërshtarët shekullore, siç është Rusia e Putinit…
Çfarëdolloj gjëje që të ndodhë me Ukrainën dhe Gazën, me tregjet, Kanadanë dhe NATO-n, rënia e besimit global ndaj SHBA së drejtuar nga Trump është e pakthyeshme.
Në vitin 1969, Richard Nixon nuk ia doli t’i frikësonte aq shumë vietnamezët e veriut, sa t’i detyronte të pranonin një paqe të shpejtë përmes përhapjes së “teorisë së tij të të çmendurit” - tezës se ishte i aftë për çdo gjë, nëse ata nuk do t’ia jepnin atë që kërkonte - dhe kjo ndodhi sepse ata nuk besonin se ai ishte i çmendur.
Sot, aleatët e supozuar të Amerikës janë të pasigurt nëse presidenti amerikan është vërtet i paqëndrueshëm mendërisht. Por nga ana tjetër, janë absolutisht të bindur se fjalës së tij nuk mund t’i besohet për më shumë se një ditë; se kursi i veprimeve të tij është i paarsyeshëm, dhe se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, J.D.Vance dhe Elon Musk, e neveritin të vërtetën dhe çdo lloj etikete të diplomacisë, mirësjelljes dhe mirësjelljes.
Trumpit i është dërguar së fundmi një letër nga një gjigant pothuajse i harruar: Lech Walesa, një nga udhëheqësit më të famshëm dhe më të guximshëm të rezistencës kundër shtypësve sovjetikë të viteve 1970 të Evropës Lindore, fitues i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish-president i Polonisë.
Ai shpreh në letër indinjatën e tij për sjelljen e SHBA-së ndaj Ukrainës: ”Ne e shohim si shumë fyese që ju prisni nga Ukraina të tregojë respekt dhe mirënjohje për ndihmën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara në luftën e saj kundër Rusisë. Nuk e kuptojmë sesi lideri i një vendi që simbolizon botën e lirë, nuk mund ta shohë që lufta e Ukrainës është lufta e të gjithëve ne në Perëndim”.
Walesa thekson më tej se trajtimi që iu bë presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në Zyrën Ovale “na kujtoi marrjen në pyetje nga organet e policisë sekrete dhe debatet në gjykatat komuniste”. “Prokurorët dhe gjyqtarët, që vepronin në emër të policisë së fuqishme politike komuniste, na thoshin se ata kishin të gjithë pushtetin, ndërsa ne asgjë”- thekson Walesa.
Sipas tij, historia e shekullit XX-të ka treguar se sa herë që SHBA ka synuar të distancohej nga vlerat demokratike dhe aleatët e saj evropianë, në fund kjo qasje është shndërruar në një kërcënim për atë vetë. Walesa ishte një kontribues i madh në shembjen e perandorisë sovjetike.
Për hir të së lirisë, ai duroi persekutimin, gjyqet farsë dhe dënimet me burg. Ata prej nesh që e kujtojnë lëvizjen e tij e shohin si një gjest të kotë letrën e tij drejtuar Trumpit. Ai është simboli i një udhëheqësi të moralshëm. Megjithatë fjalët e tij patën një mbulim të paktë në mediat amerikane.
Dhe unë dyshoj nëse presidentit Trump i është treguar letra e tij. Morali mungon në fjalorin e Botës Trumpiane. Asnjë demokraci nuk ka ruajtur standarde të kulluara gjatë historisë. Si reporter, unë vetë kam qenë dëshmitar i disa prej veprimeve pak të admirueshme të SHBA-së në Indokinë dhe gjetkë.
Por me gjithë mëkatet tona kombëtare, si historian prirem nga pikëpamja se të gjithë jemi nga pak fajtorë. Asokohe pak nga ne dyshuan ndonjëherë se në lëmin e madh të problemeve të njerëzimit, amerikanët ishin djemtë e mirë. Siç e tha Lech Walesa, SHBA-j ka qenë “vendi që simbolizonte botën e lirë”.
Ndërkohë rusët ishin të këqijtë. Sot ata i janë rikthyer këtij roli. Me pushtimin e Ukrainës, bombardimin e qyteteve të saj dhe vrasjen e dhjetëra mijëra civilëve; vrasjen e kritikëve të Vladimir Putinit, veçanërisht gazetarëve, dhe mbi të gjitha ajo e Alexei Navalnyt, liderit tejet të guximshëm të opozitës, në një burg siberian; aleancat satanike me Sirinë e Assadit, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Kërcënimet bërthamore të Putinit ndaj Perëndimit, konfirmuan kalimin e Rusisë nga një shtet neutral i pas Luftës së Ftohtë në një fortesë të re të së keqes. Tani jemi përballë një Amerike që thuajse nuk mund t’i zihet besë, lideri i së cilës, sa për të marrë hua një term nga saga kinematografike Star Wars, duket se po përqafon Anën e Errët.
Trump ka rifilluar - gjithsesi tani për tani - fluksin e ndihmës ushtarake dhe inteligjencës për Ukrainën, të cilën e kishte ndërprerë menjëherë pas debatit publik me Zelenskyn. Ai e kërcënoi Rusinë me pasoja serioze, nëse nuk bie dakord për një armëpushim.
Por askush nuk i harron fyerjet e tij të shumta ndaj Zelenskiy dhe fjalët e ngrohta për Putinin. Presidenti amerikan deklaron vazhdimisht se pushtimi i Putinit në Ukrainë ishte i justifikuar; se fitorja e Rusisë është e pashmangshme; dhe Zelensky duhet të gjunjëzohet jo vetëm ndaj tij por edhe ndaj Putinit, sepse rusi i ka “të gjitha kartat”. Atëherë pse është e habitshme që Evropa është e traumatizuar? Me sjelljen e saj ndaj Ukrainës, Gazës, Kanadasë dhe Evropës, SHBA-ja e ka braktisur nivelin e lartë moral, të cilin edhe në kulmin e kritikave të huaja për sjelljen e saj në të kaluarën, për shembull, ndaj Kubës dhe Vietnamit - pak perëndimorë të arsyeshëm dyshonin nëse e mbante.
Në Evropë, ka pikëpamje të kundërta se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Por gati askush në këtë anë të Atlantikut, nuk dyshon në statusin Rusisë së Putinit si pararoje e një aleance vendesh grabitqare.
Çdo aluzion mbi ndonjë qëndrim të dobishëm nga Moska, do të bëjë që Shtëpia e Bardhë të kthehet sërish kundër Kievit, për të kënaqur rusët. Asnjë udhëheqës evropian nuk guxon ta thotë publikisht atë që të gjithë mendojnë privatisht, me përjashtim të autokratit të Hungarisë, Viktor Orban: që SHBA-ja ka rënë në duart e një lideri, me të cilin është e pamundur të bisedohet në mënyrë racionale, dhe që kërcënon të përshpejtojë katastrofën gjeostrategjike jo vetëm në Ukrainë, por edhe duke fuqizuar të djathtën ekstreme të Izraelit, aleancën e Atlantikut dhe duke hyrë në një konflikt me vendin fqinj Kanadanë.
Dhe për ti arritur këto, ai duket i gatshëm të shkatërrojë ekonominë botërore. Gati të gjithë ne jemi të dëshpëruar nga sjellja e Trump, e megjithatë jemi të hutuar se si të reagojmë. Republikanët në Kongres dhe në pjesën më të madhe të SHBA-së, vazhdojnë pa mend të pranojnë sjelljen e tij të gabuar në detyrë.
Nuk kam lexuar ende reagimin e ndonjë demokrati që të flasë për të që nevojitet për një Amerikë të virtytshme. Pra një rikthim në ndjekjen e drejtësisë, lirisë dhe etikës, refuzimin e manipulimit të rregulloreve dhe ligjit e korrupsionit me të cilin Trump duket i etur për të pasuruar veten dhe miqtë e tij, brenda dhe jashtë vendit.
Sigurisht, ka ende shumë amerikanë të mirë, dhe unë i lexoj çdo ditë mesazhet e tyre dëshpëruese. Por ata nga na që nuk mbajnë poste publike, nuk duhet të ngurrojnë të thonë se SHBA-ja, që për shumë kohë e kemi respektuar dhe nderuar, tani duket gati të bëhet bashkë me njerëz të tmerrshëm, duke refuzuar ligjin, rendin dhe stabilitetin, brenda dhe jashtë vendit.
Trump dhe njerëzit e tij në Shtëpinë e Bardhë, do të zbulojnë shumë shpejt se ndërsa SHBA-ja mbetet kombi më i pasur në tokë, ajo nuk ka më fuqinë për të imponuar vullnetin e saj, më së paku përmes hutimeve, sharjeve dhe ngacmimeve. Mund të përshpejtojë kaosin, dhe në fakt e ka bërë këtë.
Por nuk mund t’i bëjë dallgët e detit apo Diellin që të përkulen siç kërkon presidenti Trump. Ata që kapen pas busullës së moralit - lloji i njerëzve për të cilët Walesa mbetet një hero - e refuzojnë këtë çoroditje të Amerikës, të cilën ne dëshirojmë që një ditë ta respektojmë përsëri./Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje