TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Shtator 2023, 22:14

Fajësim universal si fantazmë mbi kokat e asambleistëve

Shkruar nga Artan Fuga
Fajësim universal si fantazmë mbi kokat e asambleistëve
Asambleja e PS

Shihja fytyra asambleistësh! Disa sikur thoshin: ku e di ky se edhe unë kam ngjyer dorën? Tjetra: o Zot mos e ka për mua? Tjetra: Si të bëj të mbaj një pafajësi në fytyrë? Tjetri: A do të më çojë në SPAK?

Më bëri përshtypje foljet ishin zgjedhuar në njëjësin e vetes së tretë. Nuk kishte: Ti je hajdut! Por, ai i korruptuari, ta dije mirë...

Ajo që më bëri shumë, po shumë, përshtypje, nga asambleja e PS ishte se referuesi kryesor fajësonte pa emër këdo, shigjetonte në përgjithësi të gjithë pjesëmarrësit, prodhonte, siç do thoshte Jaspersi, një fajësi universale, shigjetonte si vjedhës, grabitës, të mundshëm çdokënd në atë sallë. Të gjithë ishin njëherësh edhe të abuzuar nga vjedhësit e korruptuar, por edhe probabilisht vetë vjedhës. Pra, ishin dhe popull dhe armiq të popullit.

U modelua një profil vjedhësi që qarkullonte mbi kokat e asambleistëzve në sallë, si një shpirt që kërkonte trupin për t'u inkorporuar.

Të gjithë fajtorë të mundshëm. Askush nuk guxoi të thoshte: me kë e keni zotëri? A thua se gjithkush ndihej fajtor.

Sikurse ka zbuluar Hannah Arendt kjo lloj fajësie universale që prek gjithkënd, shuan dallimin midis viktimës dhe prokurorit. Sikurse thoshte bëhet një diktaturë e vetvetes kundër vetvetes, që krijon paradoks logjik dhe politik.

Shihja fytyra asambleistësh! Disa sikur thoshin: ku e di ky se edhe unë kam ngjyer dorën? Tjetra: o Zot mos e ka për mua? Tjetra: Si të bëj të mbaj një pafajësi në fytyrë? Tjetri: A do të më çojë në SPAK.

E bukura ishte se ata të dyshuarit konkretë kishin ikur nga rreshtat e parë. Rrinin si Kadriu në mbledhjen e plenumit, sa më në fund. Rreshtat e parë boshatisur sikur gjithkush fshihej pas tjetrit.

Edhe ministret në dilemë zhdukur nga rreshtat e parë.

Nga kjo anë fajësimi i gjeneralizuar hap mundësi që të kursehet kohë. Kushdo që akuzohet, asambleja ja ka thënë!

Prototipi abstrakt i hajdutit i shkonte si kostum kujtdo!

Ka disa teknika për të unifikuar elitat politike. Korrupsioni, gjakmarrja, lufta e klasave, ideologjia, por është edhe fajësimi universal. Binduni se kushdo mund të jetë konkretizim i modelit universal të të korruptuarit. Është integrim mes fajësimit!

Ngado shihja fytyra mes pranimit të fajit dhe përpjekjes për t'u hequr i pafajshëm nga një fajësim që qarkullonte pa emër në tavan.

fantazme koka e asambleisteve

Lini një Përgjigje