TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Mars 2025, 14:45

Evropa duhet të jetë gati, Vladimir Putin nuk do të ndalet!

Shkruar nga Giulio Ucciero

 

Evropa duhet të jetë gati, Vladimir Putin nuk do të ndalet!
Presidenti rus Vladimir Putin /

Edhe nëse rrëzohet, pas një periudhe kaosi, Rusia do ketë në krye një tjetër si ai...

“Putin do të bjerë një ditë nga pushteti, por pas disa vitesh lirie, destabiliteti dhe kaosi, në krye të Rusisë do të vendoset një udhëheqës i ngjashëm me të”. Frikë dhe autokritikë. Këto janë konstantet që shoqërojnë deklaratat e Boris Akunin. Ose të paktën kështu është që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Një nga shkrimtarët më të rëndësishëm rusë të momentin, është shumë i drejtpërdrejtë në atë që thotë: ”Putin nuk do të ndalet në Ukrainë!”. Me origjinë gjeorgjiane, emri i tij i vërtetë është Grigorij Šalvovich Chartišvili. Ka publikuar romane thriller dhe saga të suksesshme, dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare.

Akunin u rrit në Moskë, por nuk është larguar nga Rusia që nga pushtimi i Krimesë në vitin 2014. Ai ndodhet në Itali për prezantimin e librit të tij më të ri “Avokati i Djallit”, një novelë ironike dhe hera-herës tragjikomike, e ndryshme nga veprat e mëparshme, dhe që nuk është botuar në Rusi. E takojmë në një hotel në Romë. Pas një prezantimi të shkurtër, parashikimet e tij janë të zymta: “Tani Evropa duhet të jetë gati për më të keqen!”.

Evropa duhet të jetë gati, Vladimir Putin nuk do të ndalet!
Boris Akunin /

Libri që keni shkruar këtë herë, është i ndryshëm nga të tjerët. Më i shkurtër, aktual dhe shumë kritik. Pak kohë më parë, jeni shprehur se kur nisni të shkruani, e bëni për t’iu përgjigjur një pyetje. Në këtë rast, cila është ajo?

I bëra vetes “pyetjen” më 24 shkurt 2022, kur nisi lufta në Ukrainë. Isha në Spanjë dhe duhej të përballesha me atë që po ndodhte. Ndaj e shkrova këtë roman në pranverën e 3 viteve më parë: Pyesja veten se çfarë do të ndodhte pasi Putini të largohet nga pushteti.

Në libër, ai që ju e quani “udhëheqës kombëtar” bie në koma, dhe ju jeni i detyruar të bëni avokatin e krahut të tij të djathtë. Lufta është shumë e pranishme...

Kur shpërtheu lufta në Ukrainë, u shpërbë bota ime. Isha i tronditur dhe mosbesues si shumë të tjerë përreth meje. Nuk e kisha menduar që Putin do ishte aq i çmendur.

Në libër ju shkruani edhe për një Rusi të re. A mendoni vërtet se në një moment Putin do të ikë, dhe regjimi i tij do të marrë fund?

Për mua ishte e qartë atëherë por edhe tani, se regjimi i Putinit nuk do të rezistojë gjatë. Është shumë i çmendur, shumë i korruptuar. Dhe s’ka asnjë ideologji nga pas.

Ju keni thënë disa herë se ideologjia e vetme e Putinit është pushteti...

Po, ideja e vetme prapa Putinizmit, është të qëndrosh në pushtet për aq kohë sa je gjallë. Asgjë tjetër.

Dhe a nisi lufta ndaj Ukrainës për këtë qëllim?

Jo, mendoj se pushtimi është rezultat i pikëpamjes së shtrembëruar që ka Putin për botën. Ai ka jetuar shumë gjatë kohë në një flluskë informacioni, me kufje në vesh si Gadafi apo Sadami. Ai mendonte se Ukraina ishte e dobët.

Ama Gadafi dhe Sadami u rrëzuan...

Po, të gjithë diktatorët bien një ditë, dhe kështu do të ndodhë edhe me Putinin. Por çfarë do të ndodhë më pas? Këtë pyetje i bëj vetes dhe shqetësohem, sepse e njoh mirë historinë e Rusisë. E di që ajo është gjithmonë zigzage, një lavjerrës midis lirisë dhe mungesës së saj. E pashë çfarë ndodhi në vitet 1990 dhe druaj se do të ndodhë sërish.

Besoni se pak pas rrëzimit të Putinit, Rusia do të kthehet tek demokracia, siç ndodhi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik?

Do të kemi disa vite ku të gjithë do të jenë të lirë. Pastaj, Rusia do të fillojë të shembet në vetvete, edhe nën goditjet e separatizmit. Pastaj dikush në qendër do dëshirojë ta mbajë të gjithë pushtetin për vete. Demokracia do të shtypet, dhe kështu do të kemi një perandori të re ruse

Pse populli rus nuk arrin të rebelohet ndaj këtij kalvari midis dy opsioneve: një periudhë shume të shkurtër lirie dhe konfuzioni dhe një diktature shume të gjatë?

Sepse struktura totalisht vertikale e shtetit, nuk e lejon diçka ndryshe. Rusia u ndërtua 5 shekuj më parë në mënyrë piramidale. Të gjitha vendimet më të rëndësishme merren vetëm nga maja. Ky vend i madh mund të mbahet i bashkuar vetëm nëse ka në krye një njeri të dorës së fortë. Dhe kështu do të jetë përgjithmonë, të paktën derisa struktura e pushtetit në Rusi të bëhet horizontale. Ashtu si Konfederata Zvicerane.

Duhet e paimagjinueshme, çfarë doni të thoni me këtë?

Çdo rajon duhet të jetë një shtet autonom, duke vendosur vetë mbi rregullat e jetesës. Dhe nëse disa duan të bëhen i pavarur, kështu qoftë...

Po sa herë që një pjesë e Rusisë është përpjekur të shkëputet nga Moska, gjërat kanë përfunduar keq...

Sapo nis të përpiqesh t’i mbash të gjithë bashkë me forcë, siç bëri Boris Yeltsin në vitin 1994 në Çeçeni, askush nuk mund t’i ndalojë. Atëherë duhet të rikrijojmë KGB-në dhe gjithçka tjetër.

Putin është përpjekur shumë të rehabilitojë vitet e errëta të historisë sovjetike. Tekstet e historisë në Rusi janë të ndryshme nga ato evropiane. A jeni dakord me jo pak studiues, që mendojnë se shumë qytetarë rusë janë sot nostalgjikë për BRSS?

Jo. Mjafton të shihni ukrainasit. Edhe ata ishin sovjetikë, por s’kanë nostalgji për Bashkimin Sovjetik. Dallimi nuk qëndron vetëm tek njerëzit, por edhe tek kushtet në të cilat ata jetojnë. Shumica e njerëzve sillen si bretkosat.

Në ç’kuptim?

Ashtu si bretkosat, edhe njerëzit e asimilojnë temperaturën e pellgut në të cilin jetojnë. Ata notojnë. Nëse uji është i ftohtë, ata janë të ftohtë. Nëse uji bëhet më i nxehtë, ato nxehen më shumë. Prej një çerek shekulli, uji i “pellgut rus” po bëhet gjithnjë e më i ftohtë, dhe njerëzit thjesht e pranojnë këtë.

Dukeni shumë i zhgënjyer...

Në çdo vend, shumica e njerëzve janë të interesuar vetëm për jetën e tyre private dhe familjet e tyre. Me përjashtim të një pjesë relativisht e vogël e popullsisë, që informohet për çështjet sociale dhe politike, shumica fillon të interesohet për politikën vetëm kur nuk ka bukë në tryezë.

Trump po nxiton të arrijë paqen ose ndoshta dorëzimin e Kievit. Negociatat po ecin shumë shpejt. Çfarë po ndodh sipas jush?

Diçka që duhet të shqetësojë jo vetëm Ukrainën, por gjithë Evropën. Kur Ukraina të jetë gjunjëzuar, problemi do të zhvendoset në Perëndim. Vija e frontit do të jetë më afër, ndaj Evropa duhet të jetë gati për t’u përballuar me këtë sfidë.

Pra për ju është e qartë se Putin nuk do të ndalet në Ukrainë?

E si mundet vallë? Ekonomia ruse është plotësisht e militarizuar, duke punuar kryesisht për luftën. Sot shteti i Putinit shpenzon 1/3 buxhetit për ushtrinë. Ndaj nuk ka kthim prapa.  

Evropa po riarmatoset ose të paktën po provon reagimin e nevojshëm. Si mendoni?

Nuk ka zgjidhje tjetër. Çdo vend në Evropë ka shumë probleme. Ju duhen para për shumë gjëra të rëndësishme. Ka probleme sociale por edhe të llojeve të tjera. Por kur ekziston një kërcënim i tillë, duhet përgjegjshmëri. Dhe unë mendoj se burimi kryesor i problemeve sot nuk është Rusia por Amerika. Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar ende. Evropa duhet të bashkohet./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

vladimir putin evropa

Lini një Përgjigje