
Pas dështimit të Memorandumit të Budapestit, është urgjente një doktrinë bërthamore pan-evropiane, e aftë të garantojë sigurinë e kontinentit me armët atomike franceze dhe britanike, për të reduktuar varësinë nga armët amerikane...
Kur Ukraina nisi ta godasë Rusinë me raketat amerikane me rreze të gjatë ATACMS në nëntor të vitit të kaluar, filozofi slloven Slavoj Zhizhek kritikoi ashpër pretendimet Uashingtonit se operacionet mbrojtëse ukrainase kundër objektivave ushtarake ruse, rrezikonin të shkaktonin një luftë të re botërore.
Po ashtu, kritikoi kërcënimet ruse për hakmarrje ndaj Ukrainës me armë bërthamore, duke argumentuar se pasi e nisi vetë luftën, Rusia nuk kishte asnjë justifikim për një retorikë të tillë. Për t’iu kundërvënë kërcënimeve bërthamore ruse, ai propozoi një doktrinë të re perëndimore.
“Nëse një vend i pavarur sulmohet me forca jo-bërthamore nga një superfuqi bërthamore, aleatët e tij kanë të drejtë - madje në fakt detyrimin - që t’i japin atij armë bërthamore, që të ketë një shans për ta penguar sulmin”- shkroi Zhizhek.
Natyrisht, gjasat që Ukrainës t’i jepen armë bërthamore nga vendet perëndimore - apo që t’i prodhojë vetë - janë praktikisht zero në një periudhë afatshkurtër ose afatmesme. Megjithatë, në kuadër të klimës ndërkombëtare dhe gjeopolitike aktuale, Evropa duhet të rishqyrtojë pozicionin e saj për armët bërthamore.
Në vitin 1994, Ukraina hoqi dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë, në këmbim të garancive të sigurisë sipas Memorandumit të Budapestit. Marrëveshja, e nënshkruar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ripohoi angazhimin e tyre për të respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës.
Rusia i shkeli angazhimet e saj duke aneksuar Krimenë 11 vjet më parë, në mars 2014, duke shkaktuar kështu jo vetëm një konflikt ndërshtetëror, por një akt agresioni nga një shtet me armë bërthamore kundër një shteti të pajisur më herët me armë bërthamore, dhe që ishte çarmatosur vullnetarisht.
Ky agresion, e rrëzoi të gjithë logjikën e çarmatimit bërthamor. Edhe pse Rusia ishte shkelësja kryesore e Memorandumit të Budapestit, ajo nuk ishte e vetmja. Neni 6 parashikonte që palët nënshkruese “të konsultohen me njëra-tjetrën, në rast se lind një situatë, e cila ngre pikëpyetje në lidhje me këto angazhime”.
Midis viteve 2014-2022, Ukraina u përpoq 4 herë të niste bisedime të tilla, por pa sukses. Rusia refuzoi t’i cilësonte veprimet e saj si shkelje të memorandumit. Ndërkohë, edhe pse SHBA-ja nën presidentin Barack Obama dhe Britania e drejtuar nga David Cameron e dënuan agresionin rus, shmangën përshtatjen e përgjigjeve të tyre në kontekstin e Memorandumit të Budapestit, duke shmangur kështu garancitë e sigurisë që i ishin premtuar Ukrainës.
Për më tepër, Kina, që në vitin 1994 lëshoi një deklaratë të veçantë, duke u zotuar të garantonte sigurinë e Ukrainës, dhe në vitin 2013 premtoi garanci në rastin e kërcënimeve të lidhura me armët bërthamore, i ka injoruar kërcënimet e përsëritura bërthamore të Rusisë, duke i ofruar mbështetje politike dhe ekonomike për luftën e saj kundër Ukrainës.
Është e qartë se Memorandumi i Budapestit është tashmë i vjetruar, ashtu siç është edhe ideja e mospërhapjes së armëve bërthamore në Evropë. Teksa aleanca transatlantike po përballet me tensione në rritje, angazhimet e NATO-s vihen në pikëpyetje dhe trazirat gjeopolitike mbërrijnë në Evropë nga Lindja, BE-ja duhet të zhvillojë një doktrinë bërthamore pan-evropiane për të garantuar sigurinë autonome të kontinentit.
Aktualisht, vetëm 2 shtete evropiane zotërojnë armë bërthamore: Britania e Madhe dhe Franca. Britania e ruan kontrollin operacional mbi armët e saj bërthamore, por është tejet e varur nga teknologjia amerikane për sistemet kyçe, përfshirë raketat “Trident”, projektimin dhe mirëmbajtjen e kokave të luftës.
Një varësi e tillë, do ta bënte të vështirë për Londrën që të ruante një parandalim të pavarur bërthamor në një periudhë afatgjatë pa mbështetjen e SHBA-së. Ndërkohë, Franca, e cila historikisht i ka rezistuar mbështetjes tek fuqitë e tjera për sigurinë e saj, ka një kontroll të plotë sovran mbi forcat e saj bërthamore.
Por ndryshe nga Britania, Franca nuk merr pjesë në marrëveshjet e NATO-s për ndarjen e armëve të saj bërthamore, dhe kjo nënkupton se arsenali i saj synon kryesisht mbrojtjen e vendit dhe jo mbrojtjen kolektive evropiane. Në kuadër të dyshimeve në rritje rreth angazhimit SHBA-së ndaj sigurisë së Evropës, presidenti francez Emmanuel Macron ka sugjeruar herë pas here se forcat bërthamore franceze mund të kontribuojnë në sigurinë më të gjerë evropiane.
Megjithatë, zbatimi i kësaj ideje ka përpara pengesa të rëndësishme politike dhe teknike. Së pari, zgjerimi i “ombrellës bërthamore” të Francës për të mbuluar të gjithë kontinentin, do të kërkonte një ndryshim thelbësor në politikën bërthamore franceze, e cila do të haste në një rezistencë të madhe në parlament por edhe publikun francez.
Së dyti, duke pasur parasysh ngurrimin historik të Francës për t’u mbështetur tek fuqitë e jashtme për sigurinë e saj, nuk do të ishte e një lëvizje e mençur që Evropa të varej nga një vend i vetëm - qoftë ky evropian - për parandalimin e një sulmi bërthamor ndaj saj, sidomos nën dritën e ndikimit në rritje të lëvizjeve anti-establishment të ekstremit të djathtë dhe të majtë në Francë.
Së fundi, arsenali bërthamor francez, i vlerësuar në rreth 290 bomba, është i mjaftueshëm për mbrojtjen e Francës dhe ndoshta të disa aleatëve e evropianë, por i pamjaftueshëm për mbrojtjen e gjithë Evropës. Sa për të bërë një krahasim: Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zotërojnë secila mbi 5000 bomba bërthamore, përfshirë arsenale të mëdha armësh bërthamore taktike, të cilat Franca nuk i ka.
Por pavarësisht këtyre kufizimeve, Franca është aktualisht i vetmi shtet evropian me potencialin për të mbushur disa boshllëqe, në rast se do të dobësohej parandalimi bërthamor i SHBA-së. Më e rëndësishmja, Parisi mund të përbëjë bazën për një forcë të ardhshme bërthamore evropiane, nën një doktrinë bërthamore shumë të nevojshme të udhëhequr nga BE.
Një forcë bërthamore evropiane bashkëpunuese, do të forconte sigurinë e kontinentit dhe do të siguronte pavarësinë e tij strategjike. Zhvillimi i një doktrine bërthamore evropiane, s’ka të bëjë vetëm me mbrojtjen: është një çështje kyçe për t’u siguruar që Evropa të mbetet një lojtare vendimtare në formësimin e sigurisë rajonale dhe globale, në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme./Përgatiti Pamfleti
Shënim: Anton Shekhovtsov, themelues i Qendrës për Integritet Demokratik me seli në Vjenë dhe profesor në Universitetin e Evropës Qendrore.
Lini një Përgjigje