
Ky vendim është mesazh mafioz për këdo nga ne që kemi marrë guximin të denoncojmë korrupsionin e kësaj qeverie...
I pari që reagoi për dënimin e Ervin Salianjit ishte Edi Rama, i cili duket se ngadhënjoi në rikthimin e dënimit me burg për agjitacion e propagandë.
Salianji është nga të paktët deputetë në atë parlament, dhe nga të paktët zëra në opozitë, që ka patur guximin të denoncojë disa nga aferat e korrupsionit dhe të trafikut të drogës që përfshijnë këtë qeveri.
Sot ai u dënua se tha që vëllai i ish ministrit të drejtësisë ishte i dënuar për trafik droge në Itali, por lëvizte i lirë në Shqipëri, ku në krye të policisë ishte vëllai i tij.
Mbas denoncimit të Salianjit, vëllai trafikant u rikthye në Itali për të vuajtur dënimin, duke vërtetuar që po, ai ishte dënuar për trafik droge në Itali, dhe po, ai lëvizte i lirë në Shqipëri.
Ku qëndron kallëzimi i rremë këtu?!
Pjesa më skandaloze e këtij vendimi lidhet me dhunimin e parimeve themelore të drejtësisë.
Nëse ministri i Brendshëm mendonte se ndaj tij ishte shpifur, legjislacioni shqiptar i njeh atij të drejtën që të kërkojë dëmshpërblim financiar, ose të kërkojë dënimin me gjobë të shpifësit.
Por jo, në rastin e Salianjit ministri ka kërkuar dënimin me burg. Dhe për ta dënuar me burg duhej që ai të akuzohet për kallëzim të rremë.
Kallëzimi i rremë ndodh vetëm kur dikush ka bërë një kallëzim në polici apo prokurori. Por Salianji ka bërë vetëm denoncim në media, dhe pa kallëzim nuk mund të ketë as kallëzim të rremë!
Ky vendim skandaloz nuk bëhet vetëm për Salianjin.
Ky vendim është mesazh mafioz për këdo nga ne që kemi marrë guximin të denoncojmë korrupsionin e kësaj qeverie.
Rama do të rikthejë burgun për agjitacion e propagandë, si nostalgji për kohën e Spiro Kolekës, dhe për Kuvendin Popullor ku aderonte Kristaq Rama.
Por shqiptarët sot nuk kanë më oreks për një diktaturë tjetër, ku prokurorët dhe policët lëshohen mbi ata që kanë guximin të flasin.
Synimi i Ramës është i qartë, por shqiptarët duhet të kuptojnë se nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë vonë.
Lini një Përgjigje