TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Shtator 2024, 13:10

Drejtësia në Shqipëri, si mulliri pa ujë!

Shkruar nga Spartak Ngjela
Drejtësia në Shqipëri, si mulliri pa ujë!
Spartak Ngjela

Mos e mendoni asnjëherë që gjithçka e ka në dorë gjykata, se gjykata është subjekt i ligjit, një ligj i dobët edhe jo shumë i qartë krijon pengesë në dhënien e drejtësisë.

René Descartes (Rene Dekart) matematikan i ndritur francez dhe filozof e shkencëtar, na ka thënë:
Nuk mjafton të kesh një mendje të ndritur, e rëndësishme është që të dish ta përdorësh atë mirë.

I.

Sot në Shqipëri sigurisht që nuk ka tirani, por mungon drejtësia e nivelit perëndimor.
Në historinë moderne të një shteti të lirë nuk mjafton që ka liri individuale, por pyetja është: Po drejtësi a ka?
Ja, kjo është pyetja jonë sot: a ka drejtësi në Shqipëri?
Çështja e drejtësisë në Shqipëri ka përmirësim, por kjo nuk mjafton.
Shtet ligjor don të thotë shteti i gjykatës së pavarur, por pyetja tjetër ështe kjo:
A është i pavarur dhe i drejtë sot pushteti gjyqësor në Shqipëri?

Na duhet të theksojmë se Shqipëria ende nuk e ka arritur nivelin e një pushteti gjyqësor të drejtë të nivelit të Evropës Perëndimore.
Por, na duhet të ritheksojmë se pushteti gjyqësor në Shqipëri ka bërë shumë përpara. Sidomos, dalja e SPAK në sferën e pushteti gjyqësor, ka sjellë një përmirësim të dukshëm në çështjen e drejtësisë në Shqipëri.
Por, ne nuk duhet të harrojmë se çështje e drejtësisë në një shtet të ri demokratik, i cili ka dalë nga një diktaturë tiranike, nuk është një çështje që arrihet shumë shpejt në kohë. Dhe drejtësia në Shqipëri po ecën drejt një niveli të ri. Kjo është e dukshme, por sigurisht që ka dhe shumë punë.
E pra, çështja jonë në këtë shkrim është ajo që thamë që në fillim: Mendja, sado e ndrtitur të jetë, ajo duhet përdorur drejt dhe mirë.

II.
Pse, të pakët kanë qenë tiranët në historinë e këtij qytetërimi, dhe nuk ishin pa mend, por që mendjen e përdorën ligsht dhe kundër lirisë e dinjitetit të njeriut?!
Prandaj, ndonëse intelekti është vërtet pronë individuale, sigurisht që ai yti është, por varet se si dhe për çfarë veprash ti e përdor.
Tani tiranët kanë rënë në Evropë, edhe në Shqipëri, por mendja njerëzore punon për interesin e vet individit që e ka, ndërsa ky individ nuk duhet ta vendosë mendjen në një rrugë kriminale.
Është krimi shtetëror që ka shkatërruar kombe të shumtë në këtë histori, por është edhe drejtësia aktuale në Perëndim që acën vijimisht përpara.
Prandaj sot në Evropë raporti nuk është më midis individit dhe tiranisë, por midis individit dhe ligjit. Perëndim do të thotë ligj dhe goditje e shkelësit të ligjit në një shtet ligjor.
Po në Shqipëri.

Në Shqipëri, sigurisht që nuk ka tirani, por ligji nuk funksionon ashtu siç duhet.
Në Shqipëri sot individit nuk i shkelen të drejtat nga shteti, por nga pushteti gjyqësor.
Shqipëria kaloi nga tirania komuniste në korrupsion shtetëror, dhe kjo sepse shqiptarët nuk ia arritën, dhe ende nuk e kanë mbërritur pushtetin gjyqësor të pavarur. Pa një.pushtet gjyqësor të pavarur e të drejtë, nuk mund të ketë jetë të lirë qytetare dhe as dinjitet të individit.
Por, na duhet të theksojnë që kjo çështje në Shqipëri sot është në përmirësim të dukshëm, dhe do të vijojë drejt ngritjes profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit, dhe aktivitetit parlamentar të çështjes dë drejtësisë, sepse sot në Shqipëri ligji, në të përgjithshme e vet, ka bërë shumë përmirësim, por ende nuk është në nivelin e lartë si në Perëndim.
Mos e mendoni asnjëherë që gjithçka e ka në dorë gjykata, se gjykata është subjekt i ligjit, një ligj i dobët edhe jo shumë i qartë krijon pengesë në dhënien e drejtësisë.

Por unë kam besim që në Shqipëri çështja e drejtësisë është shumë në përmirësim profesional, dhe do të shkojë edhe më përpara.
Një shtet i pavarur, me zgjedhje të lira, me demokraci por pa drejtësi gjyqësore, është si Mulliri pa Ujë.

 

Lini një Përgjigje