TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Shtator 2024, 16:12

Rama dhe 100 shoqatat e shqiptarëve në Nju Jork

Shkruar nga Mentor Kikia

Rama dhe 100 shoqatat e shqiptarëve në Nju Jork

Numri i madh i shoqatave atdhetaro-kulturore në të cilat organizohen shqiptarët, është dëshmi se sërish problemin më të madh ne shqiptarët e kemi me u marrë vesh me njëri-tjetrin...

Kryeministri Edi Rama takoi përfaqësues të 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës në Nju Jork. Kështu thoshte njoftimi i ATSH-së. Njerëz të opozitës u lodhën të numërojnë se sa njerëz ishin në sallë, dhe a bëheshin të paktën 100 njerëz që të justifikohet numri 100 i shoqatave. Por mua në fakt më bëri përshtypje numri 100…

Nja 20 e ca vite më parë shkuam në SHBA, një grup gazetarësh. Pjesë e axhendës së bërë nga organizatorët ishte edhe takimi me përfaqësues të një shoqate atdhetare të vjetër shqiptare, në Nju Jork. Me sa mbaj mend, kanë qenë të gjitha gra ato që na pritën. Pjesën më të madhe të kohës së diskutimit e zunë akuzat që shoqata bëri për një grup shqiptarësh që ishin shkëputur nga shoqata e tyre dhe kishin krijuar një shoqatë të re. Pastaj edhe shpjegimet se përse ne nuk duhet ti takonim ata të asaj shoqatës së re dhe se duhej t’ia sqaronin këtë edhe qeverisë tonë në Tiranës, duke saktësuar se shqiptarët i përfaqësonin më mirë këta të kësaj shoqatës që po takonim ne.

Nuk dihet saktësisht sesa shqiptarë jetojnë në SHBA, por ata që përpiqen të tregojnë një komunitet të madh i numërojnë që nga Arbëreshët, e thonë se bëhen nja 800 mijë.

Megjithatë mbetet një komunitet shumë modest nëse do të flasim për njerëz aktivë që mund të shërbejë edhe si një lloj lobi. Por numri i madh i shoqatave atdhetaro-kulturore në të cilat organizohen shqiptarët, është dëshmi se sërish problemin më të madh ne shqiptarët e kemi me u marrë vesh me njëri-tjetrin.

Nga 3-4 shoqata për çdo qytet kanë ngritur edhe në Kanada. Edhe në Greqi, pasi rregulluan punët me lejet e qëndrimit, mbinë shoqata në çdo lagje.

Në Angli jemi pak mbrapa me këtë punë, por pritet që ta kapim kohën edhe atje.

Për t’iu rikthyer hallit të atyre që numëronin të ftuarit në takimin me Ramën… Edhe nëse nuk kanë qenë 100 persona, sigurtë që 100 shoqata kanë qenë, se mund të ketë pasur nga ata që përfaqësojnë nga 2-3 shoqata. 

Lini një Përgjigje