TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Korrik 2023, 14:08

Dëshmorët e Luftës dhe dëshmorët e Kurtit

Shkruar nga Frrok Çupi

Dëshmorët e Luftës dhe dëshmorët e Kurtit

Në Kuvendin e Kosovës nisi lufta. Edhe Kurti e kishte nisur me luftë vendosjen e regjimit të tij kundër Republikës dhe Perëndimit. Tani do të ketë luftë për të zhbërë të keqen e Kurtit.

E vetmja gjë që i bashkon këta dy emra, është germa e dytë ‘u’ që ndodhet si te Lufta edhe te Kurti. Gjithçka tjetër është në armiqësi të fortë.

Vetë Kurti është një nga armiqtë dhe luftëtarët më të egër kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës; siç edhe Lufta për Pavarësinë në Kosovë, në princip, është zhvilluar me moton ‘kundër pushtuesve dhe renegatëve’ që nuk e duan lirinë e popullit të Kosovës, alias Kurti.

Albin Kurti, që sot është kryeministër i Kosovës, është produkt i një burgimi të ashpër në ish- Jugosllavi, nga ku kanë dalë majtistë të fortë, gati Cekuevaristë. Si Kurti edhe mentori i tij, gati në moshën e gjyshit, Demaçi, dolën nga e njëjta derë burgu, por edhe me të njëjtën ide majtiste për të ruajtur kompozimin e Jugosllavisë siç e kishte bërë ‘zoti’.

Menjëherë pas daljes nga burgjet, të dy u kundërvunë gjatë gjithë kohës iniciativës politike të Rugovës për ‘Republikë të Kosovës’. Kjo ishte ëndrra më e fuqishme, në shekuj, e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë disa shqiptarë si Kurti, Demaçi dhe Berisha në Shqipëri, bënë çfarë kishin në dorë për të mos e lejuar as luftën e shqiptarëve dhe as diplomacinë e Perëndimit që të krijonin Republikën e Kosovës.

Me ngritjen e Republikës së Kosovës, para 15 vjetësh, u prit me protesta të Kurtit në Kosovë; ndërsa në Tiranë krahu që kundërshtonte Republikën e Kosovës, nuk kishte më ‘dhëmbë’ për ta kafshuar atë krijesë të re të shqiptarëve dhe fuqive perëndimore. Lëvizja e Kurtit nisi luftën për të mos pranuar Republikën, as flamurin e saj, as himnin e saj, as kushtetutën e saj.  Në Kuvendin e Kosovës u ushtrua dhunë e fortë, deri tym lotsjellës, kundër ligjeve të Republikës së Kosovës.

Gjatë gjithë kohës prej 15 vjet, Lëvizja e Kurtit dhe Republika e Kosovës kanë udhëtuar së bashku në një luftë të egër. Më në fund Lëvizja arriti dy fitore kapitale: Dërgimin e liderëve të Luftës Çlirimtare për në burgjet e Hagës dhe Fitoren në zgjedhjet e fundit  parlamentare kur edhe mori në dorë qeverinë e Kosovës.

Faza e tretë e luftës së Kurtit kundër Republikës është kjo ku ndodhemi: Lufta për të përzënë nga Kosova ndikimet dhe forcat e Shteteve të Bashkuara dhe të BE. Para dy muajsh, me rasatin e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, Lëvizja gjeti rastin të shpalosë planin e saj ‘teorik’ se ‘nuk e kemi kërkuar Amerikën këtu’, ‘Europa është tigër prej letre’ dhe Amerika është naive. Pas parullave ‘të leshta’ dhe ‘të lashta’ mbetur që nga Lufta e Ftohtë kundër Perëndimit, qëndronte vullneti për ta shtyrë Perëndimin jashtë Kosovës.

Me përgjimet e bisedave ‘besimplotë’ mes liderëve të Lëvizjes ‘u mbush kupa’ në raportet mes Republikës së ardhur nga Lufta dhe vullneti i popullit dhe Lëvizjes anti-Republikë. Në përgjime manifestohet lidhja e ngushtë mes Kurtit dhe mafies serbe, sidomos në kufirin verior. Gjithashtu kulmon urrejtja kundër veteranëve të Luftës; aty flitet me serbët se ‘janë idiotë’.

Kjo u desh të shikohej e dëgjohej qartë nga qytetarët e Kosovës, pas kësaj nuk mund të ketë më dyshime se cili është ‘me Luftën’, e cili është’ me Kurtin’. Perëndimi nuk mund të dëbohet nga Kosova, ndryshe ndodh tragjedia.

Në Kuvendin e Kosovës nisi lufta. Edhe Kurti e kishte nisur me luftë vendosjen e regjimit të tij kundër Republikës dhe Perëndimit. Tani do të ketë luftë për të zhbërë të keqen e Kurtit.

Sot nisi ajo pjesa alias Kurt për të përzënë Kurtin. /Pamfleti/

frrok cupi kurti deshmoret e lufte

Lini një Përgjigje

Forum