TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Prill 2025, 12:59

BE të ruajë qetësinë, Trump do tërhiqet nga tarifat që po e dërrmojnë ekonominë amerikane

Shkruar nga Marco Bresolin*

 

BE të ruajë qetësinë, Trump do tërhiqet nga tarifat
Donald Trump /

Ish-Komisionerja e Tregtisë në BE: Vizita e Melonit një akt pozitiv, por deri më tani nuk ka dhënë rezultate. Brukseli nuk duhet të nxitojë dhe duhet të përgatitet që të reagojë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

Krahasuar me vitin 2018, kur Komisioni Evropian arriti të gjejë një marrëveshje me Donald Trumpin për të shmangur luftën tregtare, “sot situata është shumë më e ndërlikuar, dhe është shumë më e vështirë për t’u negociuar”. Kështu mendon Cecilia Malmström, që ka mbajtur postin e Komisioneres Evropiane për Tregtinë, dhe sot punon në Uashington si anëtare në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

BE të ruajë qetësinë, Trump do tërhiqet nga tarifat
Cecilia Malmström /

Kanë mbetur edhe 80 ditë nga fundi i “armëpushimit” tregtar mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Cilat janë mundësitë reale për arritjen e një marrëveshje?

Situata aktuale është shumë e vështirë. Nuk ka ende negociata serioze. Komisioneri aktual i BE për Tregtinë Maros Sefcovic, ka vizituar Uashingtonin 3 herë për të ofruar një marrëveshje për zero tarifa për mallrat industriale nga të dyja palët, por nuk ka pasur një përgjigje pozitive nga Shtetet e Bashkuara. Problemi është se nuk është ende shumë e qartë se çfarë kërkon vërtet administrata aktuale.

As ju vetë nuk e keni krijuar një ide?

Për amerikanët, kjo që po ndodh nuk është vetëm një çështje tregtare. Ata duan të arrijnë diçka sa i përket standardeve agroushqimore, rregulloreve për kompanitë e mëdha të teknologjisë ose tatimin mbi vlerën e shtuar. Por Komisioni Evropian, e ka bërë shumë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëzohet në lidhje me standardet e saj rregullatore.

Dhe çfarë mund të bëjë BE-ja në këto kushte?

Të presë. Mendoj se kjo është gjëja më e mençur që duhet bërë në këtë moment. Ajo s’duhet të reagojë në mënyrë impulsive. Duke jetuar këtu në SHBA, po ju siguroj se ekonomia amerikane ka marrë një goditje të rëndë nga tarifat e Trump. Ndaj është më mirë të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Megjithatë, Trump thotë ka një radhë të gjatë shtetesh që duan të negociojnë me të...

Janë gënjeshtra. Për momentin nuk ka asnjë listë vendesh që po qëndron në rresht për të negociuar me Trump. Por ka një vend që po përjeton goditje të forta ekonomike për shkak të lëvizjeve të kësaj administrate, dhe kjo është vetë SHBA.

Meqë është kështu, a nuk do ishte më mirë që BE të linte në fuqi tarifat që vendosi ndaj produkteve amerikane, pasi do shkonte në negociata në një pozicion të fortë?

Personalisht mendoj se do të kishte qenë e dobishme që ato tarifa të lejoheshin të hynin në fuqi, dhe më pas të përgatitej një listë më e gjatë, deri në përdorimin e të gjitha mjeteve të disponueshme. Por tani për tani, mendoj se është një qasje më e mençur të mos e përkeqësojmë klimën dhe mos dramatizojmë situatën. Ne evropianët duhet të kemi një qëndrim pritës, dhe të marrin masa në fronte të tjera.

Cilat?

Duhet të forcojmë rrjetin e vendeve mike. Unë besoj se marrëveshja tregtare me vendet e Amerikës Latine, MERCOSUR, mund të votohet sa më shpejt brenda kësaj vere. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me Meksikën. Pastaj BE duhet të firmosë marrëveshje me Indonezinë, Malajzinë, Australinë, dhe të shohë se ku mund të zgjerojë më tej rrjetin e marrëdhënieve të biznesit.

Ndërkohë është folur shumë edhe për mundësinë e goditjes me tarifa të sektorit të shërbimeve dixhitale. A është e mundshme?

Varet se si është formuluar. Mund të përdoret edhe mekanizmi kundër shtrëngimit. Bashkimi Evropian i ka në dispozicion dhe unë besoj se grupi i punës në Komisionin e Tregtisë po studion opsione të ndryshme.

Përveç masave ndëshkimore, cilat janë “karotat” që BE-ja mund t’i ofrojë SHBA-së për ta zbutur?

Ne duhet të nisemi nga fakti që nuk ishte Evropa ajo e nisi këtë luftë tregtare, e cila është e paligjshme, jo në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, por dhe shumë e rrezikshme për ekonominë. Pra, BE-ja nuk duhet që t’i japë asgjë falas Shteteve të Bashkuara. Duhet të bëjë çdo gjë që të mund të vendosë diçka në tryezë për të negociuar.

Çfarë?

BE-ja ka ofruar gatishmërinë e saj për të eliminuar tarifat ndaj mallrave industriale, nëse Shtetet e Bashkuara do të bënin të njëjtën gjë. Pra do të kishte më shumë fitime për të blerë më shumë gaz, më shumë armë dhe për të diskutuar mbi marrëdhëniet me Kinën. Por problemi është se niveli i besimit ndërmjet BE-së dhe Shtetet e Bashkuara në këtë kohë, është shumë i ulët dhe vullneti i amerikanëve për të bërë diçka akoma më i pakët.

Në vitin 2018, u premtuat amerikanëve më shumë blerje soje. A do të jetë këtë herë gazi natyror i lëngshëm?

Është një mundësi, por duhet të kemi parasysh disa aspekte: nevojitet infrastruktura për të marrë gazin amerikan. Pastaj nuk i takon Komisioni Evropian për ta blerë por shteteve individuale. Madje në fakt kompanive energjitike individuale. Komisioni mundet vetëm të lehtësojë dhe koordinojë blerjet.

Cilat janë dallimet kryesore sot në krahasim me 7 vite më parë?

Administrata e sotme amerikane është krejtësisht e ndryshme. Trump ka një shumicë e qartë në Kongres, e cila është shumë besnike. Pastaj ka edhe shumë gjëra të tjera në rendin e ditës: 7 vjet më parë kishte vetëm tarifa, ndërsa sot janë armët, standardet dixhitale, Grenlanda, TVSH-ja, Ukraina. Kjo e bën shumë më të vështirë negocimin. Pas kësaj ajo që ndodhi në Konferencën e Sigurisë në Mynih, shumë udhëheqës evropianë kanë folur për fundin e lidhjeve transatlantike, ose të paktën për dobësimin e tyre të fortë.

Pra është një iluzion anakronik pretendimi për ta bërë “Perëndimin sërish madhështor” si tha pak ditë më parë Georgia Meloni?

Nëse do ta bësh që ta Perëndimin të madh, atëherë duhet të bashkëpunosh me Perëndimin. Ndërsa administrata Trump është larguar nga shumë prej miqve të SHBA-së, si Kanadaja, Meksika, Evropa, Japonia dhe Korenë e Jugut. Ndaj unë them se do të jetë e vështirë. Meloni u përpoq ta qetësonte administratën Trump për tarifat, por nuk e kam parë ende asnjë rezultat konkret. Është e qartë se nuk i takonte asaj të negocionte në emër BE-së./Pamfleti nga “La Stampa”

be qetësi trump tarifa ekonomia amerikane

Lini një Përgjigje