TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Prill 2025, 19:23

Absurdi i fushatës elektorale: mandati i katërt i Edi Ramës, opozita e përçarë dhe fasada mediatike e zgjedhjeve

Shkruar nga Kastriot Kotoni

 Absurdi i fushatës elektorale: mandati i katërt i Edi Ramës,

Në një vend ku kërkohet mandati i katërt, zgjedhjet po hyjnë në fazën kulmore mes anomalive politike, mediave të kapura dhe indiferencës së qytetarëve. Përplasjet Rama-Berisha prodhojnë spektakël dhe meme, ndërsa realiteti i zymtë politik dhe ekonomik mbetet i pandryshuar. Opozita ende pa kauzë të qartë, Shqipëria nën hijen e krimit.

Fushata elektorale po hyn në fazën e saj kulmore. Por ajo që po shohim është një fushatë krejtësisht anormale. Në kushte normale, kërkimi i mandatit të katërt në qeverisje nuk do të përbënte ngjarje për vende me stabilitet politik, ekonomik dhe social si Suedia, Danimarka apo Austria. Por në realitetin shqiptar, një fakt i tillë përbën në vetvete anomali. Më tepër se kaq, opozita shqiptare nga dita e krijimit deri sot, është copëtuar në dhjetëra parti të reja, që shfaqin hapur dobësinë e saj strukturore.

Rigrupimi që ka bërë Sali Berisha duket se ka arritur maksimumin e mundshëm elektoral, duke përdorur si armë kryesore përballjen me qeverisjen tre-mandatëshe të Edi Ramës. Nga ana tjetër, qeveria po mundohet ta anashkalojë këtë realitet duke e zhvendosur debatin politik në spektakël e batuta dhe duke shmangur problemet reale të vendit.

Imagjinoni një çast se çfarë do të ndodhë nëse Partia Socialiste fiton edhe mandatin e katërt. Në politikë, "oreksi vjen duke ngrënë," dhe një mandat i pestë do të bëhej një ambicie krejt e natyrshme. Por më shumë se fituesi apo humbësi, vlera e këtyre zgjedhjeve do të ishte tërheqja e domosdoshme e dy figurave kryesore, Ramës dhe Berishës, nga politika aktive. Shqipëria ka nevojë të çlirohet nga polarizimi ekstrem i prodhuar nga këta liderë.

Nga ana tjetër, nuk mund të fajësohet vetëm pozita për gafat katastrofike të opozitës. Ajo iku nga parlamenti, nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale, dhe kreu veprime vandale duke sulmuar selinë e PD-së. Për më tepër, opozita duhet të përcaktohet qartë: është apo nuk është pro SPAK-ut dhe reformës në drejtësi?

Në këto kushte, katër mandate rresht qeverisje janë shumë të lodhshme për çdo shoqëri, veçanërisht për një vend në krizë ekonomike dhe sociale si Shqipëria. Kjo gjendje po prodhon stres dhe presion psikologjik të jashtëzakonshëm te politikanët, që po shndërrojnë fushatën në një festival gafash që konsumohen si meme në rrjetet sociale.

Një nga arsyet e kësaj gjendjeje absurde është imitimi i stilit të fushatave amerikane, me spektakle televizive dhe liderë në qendër të vëmendjes, që në fakt nuk përkojnë aspak me mentalitetin europian të votuesve shqiptarë. Kjo formë e spektaklit të importuar krijon indiferentizëm, zbeh interesin e publikut dhe zgjeron zonën gri të elektoratit.

Media shqiptare ka luajtur një rol negativ në këtë proces duke i dhënë hapësira të pakufizuara politikës, për shkak të lidhjeve me grupe interesi dhe interesa financiare. Në këtë mënyrë, çdo minutë e transmetimit politik përkthehet në përfitime materiale, duke dëmtuar rëndë cilësinë e debatit publik dhe duke e kthyer median në një armë në duart e partive politike.

Si shoqëri, Shqipëria tregon papjekuri politike. Vazhdon të jetë kopje e keqe e modeleve amerikane, ku zgjedhjet financohen nga korporata e lobingje të fuqishme, duke injoruar realitetin modest ekonomik të vendit. Politikanët premtojnë gjëra të pamundura, pa u kujtuar se Shqipëria është nën mbikëqyrje të rreptë të institucioneve financiare ndërkombëtare, që i monitorojnë rreptësisht shpenzimet publike. Realiteti tregon se çdo premtim i bujshëm do të përfundojë i mbyllur në sirtarët e qeverisë.

Çështja thelbësore mbetet se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. A do të ndryshojë qeverisja? Sa e fortë do jetë opozita? Cili do jetë fati i politikanëve të përfshirë në blerjen dhe shitjen e votave, sidomos tani që SPAK-u po nis hetimet?

Në vend që të shpikin "kabinete hije" apo programe qeverisëse pa peshë reale, partitë e reja duhet të angazhohen fuqishëm për të kundërshtuar metodat e pandershme të partive të mëdha. Në vend të imitimit të fushatave të kushtueshme e të pazakonta, duhen promovuar fushata më modeste, më të ndershme dhe më pranë realitetit shqiptar.

Në fund, mbrojtja e votës duhet të jetë prioriteti kryesor për të gjitha partitë. Lufta duhet të jetë kundër elementëve kriminalë që ende ndikojnë në politikë. Pa pastruar terrenin politik nga "kapuçanët e zinj" që janë kthyer në ushtarë elektoralë, Shqipëria nuk mund të ketë as stabilitet politik, as ekonomi të qëndrueshme dhe as demokraci funksionale./Pamfleti

fushata elektorale absurdi mandati i katërt opozita e përçarë fasada mediatike

Lini një Përgjigje