TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Mars 2025, 10:07

BE nuk ka alternativë tjetër veç zgjerimit

Shkruar nga Craig Turp-Balazs

Kostoja e zgjerimit të mëtejshëm do të jetë e lartë, por ajo e mos-zgjerimit mund të jetë edhe më e lartë ...

BE nuk ka alternativë tjetër veç zgjerimit

Udhëheqësit evropianë, nuk e humbin asnjëherë mundësinë për të deklaruar se e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Por këto deklarata solidariteti, fshehin një dykuptimësi të madhe, edhe sepse për shumë shtete anëtare, zgjerimi perceptohet më pak si një mundësi dhe më shumë si një barrë e rëndë.

Duke pasur parasysh kompleksitetin e jashtëzakonshëm institucional dhe ndjeshmërinë politike, për shumë njerëz në Bruksel është joshëse rinisja e zgjerimit. Kjo është ajo që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit. Kanë kaluar 12 vjet që kur Kroacia u bë vendi i fundit që iu bashkua BE-së.

Koha më e gjatë që blloku ka kaluar pa pranimin e një anëtari të ri. Megjithatë situata po ndryshon shumë shpejt. Pushtimi rus i Ukrainës dhe ndryshimet e fundit në politikën e jashtme të SHBA-së, i kanë kujtuar Evropës se statuskuoja është e brishtë. Sot, zgjerimi nuk është më thjesht një çështje e zhvillimit rajonal apo standardeve burokratike, por një çështje themelore e mbijetesës gjeopolitike dhe e stabilitetit ekonomik. Sigurisht, kostot e zgjerimit janë të larta. Por kostot ekonomike, politike dhe strategjike e mos-zgjerimit janë shumë më të mëdha.

Raundet e fundit të mëdha të zgjerimit në vitet 2004 dhe 2007, e shtuan kompleksitetin e makinerisë vendimmarrëse tashmë të tensionuar të BE-së, duke e shtyrë atë drejt sklerozës. Opinioni publik në shumë kryeqytete evropiane mbetet shumë mosbesues.

Qytetarët janë të shqetësuar për ndikimin e vendeve të reja, shpesh më të varfra, që i bashkohen një blloku që tashmë po përballet me shumë kriza. Gjithsesi, sipas studimit të kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), që nga viti 2022 mbështetja publike për zgjerimin e BE-së është rritur thuajse në çdo shtet anëtar.

Shoqëritë në Lituani, Spanjë dhe Kroaci, janë më të bindurat për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, me respektivisht 77, 74 dhe 71 për qind të tyre që u shprehën në favor në sondazhin e zhvilluar në pranverën e vitit 2023.

Por një shumicë e qëndrueshme (mbi 60 për qind) e publikut, vërehet edhe në Letoni, Portugali, Portugali, Letoni, Sllovaki, Letoni, Maltë. Ndërkaq edhe në vendet anëtare ku publiku ka qenë prej kohësh skeptik ndaj zgjerimit, si Holanda, Finlanda dhe Danimarka, ka pasur një ndryshim të rëndësishëm të qëndrimit.

Në 24 vende të bllokut, numri i përkrahësve të zgjerimit, është më i lartë se ai i kundërshtarëve. Por modelet e vjetra nuk zhduken lehtë. Në vendet tradicionalisht ngurruese si Franca, Danimarka, Austria, Holanda dhe Gjermania, rezervat mbeten të larta.

Vetëm 29 për qind e austriakëve, 35 për qind e francezëve dhe 42 për qind e gjermanëve, janë në favor të anëtarësimit të vendeve të reja në BE në të ardhmen e afërt. Por këta skeptikë të zgjerimit nënvlerësojnë një realitet thelbësor: refuzimi për të zgjeruar bllokun, krijon rreziqe edhe më të mëdha.

Një BE që nuk dëshiron ose nuk është në gjendje të integrojë fqinjët e saj, i hap derën fuqive alternative - Rusinë, Kinës - që të shfrytëzojnë boshllëkun. Ky nuk është thjesht një frikësim, por përllogaritja strategjike me të cilën përballet sot çdo kryeqytet evropian.

Një angazhim i dobësuar ndaj zgjerimit rrezikon, që të largojë vende si Ukraina, Moldavia dhe Serbia nga aspiratat e tyre demokratike. Pa perspektiva të qarta anëtarësimi, politikanët reformatorë në këto shtete, do e humbin ndikimin e tyre.

Në këto kushte bëhen më të mundshme prapësimet e mëtejshme në raport me demokracinë, teksa shtohen kërcënimet ndaj sigurisë. Dhe stanjacioni ekonomik përtej kufijve të afërt të BE-së, mund të ketë pasoja shkatërruese në tregtinë, migracionin dhe stabilitetin e përgjithshëm të kontinentit.

Edhe pse më pak të mbrojtura publikisht, argumentet ekonomike në favor të zgjerimit janë bindëse. Zgjerimi i tregut të përbashkët të BE-së për të përfshirë Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, nënkupton shtimin e miliona konsumatorë të rinj dhe integrimin e ekonomive me rritje të shpejtë.

Vende si Çekia, Polonia, Sllovenia dhe Suedia i shohin shumë qartë mundësitë ekonomike. Çekia, një vend tejet i varur nga eksportet, e sheh zgjerimin si thelbësor për të forcuar rritjen dhe diversifikimin e saj.

Ndërkohë, investimet e rëndësishme të Sllovenisë në Ballkanin Perëndimor e bëjnë stabilitetin rajonal vendimtar për zhvillimin e saj. Por edhe argumentet ekonomike, zbehen në krahasim me nevojën strategjik që nxori në pah lufta në Ukrainë.

Zgjerimi i Evropës drejt lindjes nuk është më një luks por një domosdoshmëri gjeopolitike. Në fakt, zgjerimi i BE-së është bërë instrumenti i saj më i mirë gjeopolitik, një argument i pranuar nga Suedia, Danimarka, Polonia dhe shtetet baltike. 

Sigurisht, Brexit i ka ndërlikuar gjërat. Pavarësisht nga marrëdhëniet e saj shpesh të vështira me Brukselin, Britania ishte një nga avokatet më të zjarrta të zgjerimit. Strategjia britanike ishte e drejtpërdrejtë: një BE më e madhe, veçanërisht ajo që shtrihej drejt lindjes, do ta bënte shumë më të vështirë federalizimin më të thellë, duke e forcuar sovranitetin kombëtar. 

Ironikisht, kjo ide mund të bëhet tani një argument i dobishëm për skeptikët e zgjerimit brenda BE-së. Shumë vende më të vogla dhe të mesme të BE-së, kanë frikë nga një zhvendosje drejt një federate të dominuar nga Franca dhe Gjermania.

A mundet që mbështetja e zgjerimit, t’u ofrojë këtyre vendeve një frenim të përshtatshëm të ambicieve federaliste, edhe pse forcon kufijtë e jashtëm të BE-së?

Një faktor tjetër vendimtar që forcon kauzën e zgjerimit të BE-së, është zhvendosja e fokusit të politikës së jashtme amerikane. Shtetet e Bashkuara, garantuesja kryesore e sigurisë së Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, po e drejton gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt kundërshtimit të rritjes së Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit. 

Politikëbërësit amerikanë, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump, i kanë bërë thirrje Evropës të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin e saj.

Ky ndryshim delikat por domethënës, e lë BE-në me pak mundësi të tjera, veçse të mbushë vetë boshllëqet gjeopolitike në zhvillim. Presioni nga Uashingtoni do të thotë se zgjerimi evropian ka fituar një urgjencë të re: zgjerimi i BE-së në Evropën Lindore dhe në Ballkan, është tanimë një nevojë strategjike për mbrojtjen e interesave evropiane në një botë gjithnjë e më shumëpolare. 

Për Evropën, zgjerimi është një mundësi për ta afirmuar veten si një aktore gjeopolitike e vërtetë, më pak e varur nga mbrojtja amerikane dhe më e aftë për të projektuar vlerat dhe ndikimin e tij në skenën globale.

Procesi është  jashtëzakonisht i vështirë. Çdo zgjerim i BE-së kërkon unanimitet midis të 27 vendeve anëtare dhe këto kohë unanimiteti është një “monedhë” e rrallë në Bruksel. Për shembull Bullgaria, ka ngadalësuar vazhdimisht bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me historinë dhe gjuhën.

Franca këmbëngul në reformimin e brendshëm të BE-së, përpara se të diskutohet seriozisht mbi zgjerimin. Presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar vazhdimisht një bashkim më të thellë dhe më të integruar, një vizion i ndarë në heshtje nga Gjermania dhe disa vende të tjera anëtare, përpara zgjerimit të radhës.

Megjithatë, e vërteta është se stabiliteti i brendshëm dhe besueshmëria e jashtme e BE-së janë tani të ndërlidhura. Skeptikët e zgjerimit kanë të drejtë kur thonë se BE-ja ka nevojë për reforma të brendshme. Por gabojnë kur shprehen se reforma dhe zgjerimi e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në fakt, ato janë reciprokisht përforcuese.

Pa perspektiva të besueshme anëtarësimi, Evropa rrezikon të humbasë çdo levë për të kërkuar reforma reale dhe të qëndrueshme në vendet kandidate. Mund të mos jetë rruga ideale. Dhe sigurisht që nuk do të jetë e lehtë. Por Evropa nuk ka alternativa. Me gjithë të metat e tij, zgjerimi është më i lehti nga dy rrugët e vështira. Tani zgjedhja që duhet të bëjë BE është e qartë: integrimi ose stanjacion./Në shqip: Pamfleti

be zgjerimi

Lini një Përgjigje