Dokumenti i SPAK, thellohen hetimet për pronat e ushtrisë...
Të gjitha bazat e Forcës Detare, përveç Sazanit, janë nën hetim.
Në prill 2025 u mbushën katër vjet nga regjistrimi i hetimit të dy kallëzimeve të mia penale të marsit 2021. Në katër vitet e fundit SPAK, çdo vit më është përgjigjur se hetimet gjenden në fazën e "hetimit paraprak". Po ashtu SPAK, në shkresën e fundit të firmosur nga prokurorja Manjola Kajana, prokurore e të dy çështjeve hetimore 108/2021 dhe 109/1021, shprehet se vijon hetimi paraprak dhe se "Deri në këtë moment, janë kryer një numër i lartë veprimesh hetimore, si dhe për shkak të natyrës komplekse të hetimit, vlerësojmë se ende duhet të kryen një seri veprimesh hetimore", përgjigje e njëjtë për të dy hetimet.
SPAK nuk i është përgjigjur pyetjes time: "Nëse ka tejkalim të afateve procedurale të hetimit, dhe nëse po, cili është argumenti i SPAK?”.
Për këto dy hetime, janë thirrur dhe janë pyetur në SPAK shumë politikanë, ish ministra, ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm të FA, komandant dhe ish komandant të Forcës Detare, gjeneralë dhe ushtarakë aktivë dhe në rezervë. Sot me vendim të gjykatave janë nën "sekuestro preventive" baza detare e Sarandës dhe Shëngjinit me një sipërfaqe totale prej 70 ha.

Për bazën detare të Sarandës "sekuestroja preventive" është vendosur me vendim të katër gjykatave, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se "është cenuar siguria kombëtare, janë cenuar marrëdhëniet me NATO-n, si dhe është cenuar operacionaliteti dhe gatishmëria operacionle e Forcës Detare".
KM Rama këto vendime të katër gjykatave i ka quajtur "absurde" dhe "skandaloze". Kontrata e "Marina Limion" është referuar në SPAK nga ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, kurse zaptimi i pronës në Porto Romano është përfshirë në hetime kryesisht nga SPAK.

Çfarë përfshinë dy dosjet hetimore:
Dosja nr. 108/2021:
1) Lidhja e kontratës me kompaninë "Marina Bay Saranda", për kontratën e qirasë 1 euro për 20 vjet të bazës detare të Sarandës nga Ministria e Financës;
2) Lidhja e kontratës koncesionarevme kompaninë "Marina Limion", në bazës detare të Sarandës nga Ministria e Infrastrukturës;
3) Dorëzimi i bazës detare të Sarandës kompanisë Marina Bay Saranda" nga Komanda e Forcës Detare;
4) Lejimi i zaptimit, ndërtimit pa leje në pronë publike dhe shkatërrimit të monumenteve kulturore dhe historike në pronën prej 5,2 ha të Forcës Detare nga Porti MBM në Porto Romano.
Dosja nr. 109/2021:
1) Lejimi i ndërtimit të godinës 4-katëshe në bazën detare të Shëngjinit;
2) Tentative e vitit 2016 dhe 2017 në shkelje të ligjit për të nxjerrë nga Plani i Veprimit dhe Përhapjes së Forcës Detare të 133 ha nga 200 ha në katër baze detare, të Shëngjinit, Kepit të Palit, Pashalimanit dhe Porto Palermos.
Lini një Përgjigje