
Papërballushmëria e banimit në Tiranë duhet konsideruar emergjencë. Ajo nuk mund të zgjidhet duke oligopolizuar edhe më sektorin e ndërtimit, as duke u qarë për taksat e ndërtuesve. Problemi do të nisë të zgjidhet kur të luftohet me ashpërsi krimi i organizuar dhe paraja e pisët. Më pak konkurrencë e pandershme në ndërtim, më pak kërkesë artificiale për apartamente.
Mbrëmë isha në debat me një ndërtues që përfaqësonte interesat e grupit të vet në raport me qeverinë. Ankohej për çmimet e referencës dhe taksat. Thoshte se brengosej për interesat e qytetarëve, pasi rritjen e taksave ndërtuesit ua faturojnë blerësve.
Kur m'u dha rasti të flas, mes mizërisë së përpjekjeve për të më ndërprerë, u mundova të përcjell idenë se Rama dhe ndërtuesit e mëdhenj janë e njëjta palë kundër interesit publik. Çështja kryesore sot në Tiranë nuk është niveli i taksimit të ndërtuesve, por mbytja e qytetit nga intensiteti i pakontrolluar i ndërtimeve.
Në debatin me ndërtuesit, Rama dukej se po iu kujtonte nën zë të vërtetën e hidhur: "Ore qerrataj, unë ju kam mundësuar të zaptoni qytetin e të zhdukni çdo park, kënd lojërash, trotuar e hapësirë publike të mundshme. Ju ankoheni për 3% taksë kur unë bëj sikur po mendoj për popullin!"
E vërteta është se Tirana po bëhet jo vetëm e pajtueshëm, por paradoksalisht çmimi i banesave është tashmë i papërballueshëm për shumicën dërrmuese të qytetarëve të saj. Arsyet kryesore nuk kanë të bëjnë me taksat, por me faktin që një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të investuar dhe e fuqisë blerëse vijnë nga paratë e krimit të organizuar. Me dhjetëra apartamente ka në pronësi secili anëtar i pushtetshëm i grupeve kriminale.
Faktor i dytë i rritjes artificiale të kërkesës dhe çmimeve janë paratë e të korruptuarve anembanë Shqipërisë. Mjafton të dalësh e të bisedosh një ditë me banorët e fshatrave apo qyteteve periferike dhe do të dëgjosh se si ish-kryetari i komunës, ish-deputeti, kryetari i bashkisë, drejtorët e institucioneve kryesore, doganierët, gjykatësit, prokurorët etj. kanë një a më shumë apartamente në Tiranë, ndonëse rroga nuk u del as për përballuar qiranë.
Në kushtet ku çmimi çmendet një herë, spekulantët ndërhyjnë për ta çmendur përsëdyti. Kështu blihen apartamente dhe mbahen stok me shpresën se shumë shpejt do t'u rritet çmimi.
Faktori i katërt janë qytetarët e thjeshtë që kanë vënë një minimum kapitali dhe, përpara se të ikin në Gjermani, e provojnë punën në Tiranë. Për shkak të një modeli të keq zhvillimi, çdo vend jashtë Tiranës konsiderohet në mos i vdekur, në vdekje e sipër. Kështu kushdo që mundet arratiset për në Tiranë, duke rritur çmimin e banimit dhe përkeqësuar njëkohësisht ekonominë dhe kushtet sociale të qyteteve/fshatrave të origjinës.
Papërballushmëria e banimit në Tiranë duhet konsideruar emergjencë. Ajo nuk mund të zgjidhet duke oligopolizuar edhe më sektorin e ndërtimit, as duke u qarë për taksat e ndërtuesve.
Problemi do të nisë të zgjidhet kur të luftohet me ashpërsi krimi i organizuar dhe paraja e pisët. Më pak konkurrencë e pandershme në ndërtim, më pak kërkesë artificiale për apartamente.
Së dyti, nevojitet taksimi i veçantë i shtëpive bosh. (40.000 apartamente dëgjova ekspertin mbrëmë). Çka duket nga pafundësia e dritave të fikura mbrëmjeve nëpër qytet. Kjo taksë do t'i shtynte pronarët t'i fusnin në treg apartamentet duke i shitur ose dhënë me qira.
Së treti, pragu nevralgjik i taksimit të apartamenteve nuk duhet të jetë nga 1 në 2, por nga 2 në firifistun. Deri tek apartamenti i dytë mund të jemi ende në rrethinat e shtresës së mesme që me 1001 sakrifica e fat mund të ketë blerë një shtëpi të dytë. Problemi nis nga e treta e tutje, aty ku nuk ka kalem e punë të ndershme që e justifikon. Për shtëpitë e treta e më shumë duhet një normë në rritje e taksës së banimit, duke nxitur kësisoj futjen e shtëpive të reja në treg për blerjen e tyre nga ata që nuk kanë fare shtëpi.
Së katërti, pavarësisht masave të mësipërme, një pjesë e shoqërisë, sidomos më të varfrit, mund të mos kenë ende mundësi të blejnë shtëpi. Ndaj duhen politika serioze të ndërtimit të banesave sociale cilësore, jo vetëm në periferi, me qira të përballueshme edhe nga më i varfri.
Së pesti, për studentët duhet të ketë politika të veçanta të subvencionimit të qirasë. Përndryshe ose nuk do ta marrin fare mundimin të shkollohen, ose do ta lënë shkollën që në semestrin e dytë për të punuar 8 a më shumë orë që të përballojnë koston e qirasë dhe jetesës.
Për të gjitha këto, na duhet një mënyrë e re qeverisjeje dhe një model i ri zhvillimi. Lëvizja BASHKË ka seriozitetin dhe vendosmërinë për të vazhduar kësaj rruge. Sa më afër të jesh ti, bashkëqytetari ynë, me ne dhe ne me ty, aq më shpejt do t'i arrijmë qëllimet e përbashkëta.
Për më tepër, bujrum!
Lini një Përgjigje