A do të ishte vërtet e çuditshme, nëse Vladimir Putin do të niste ta vinte Amerikën dhe Kinën kundër njëra-tjetrës në arenën gjeopolitike? Në rast se do të kishte një vizion më të madh, ai do ta kishte bërë këtë në të gjitha ato vite kur e sulmonte SHBA-në si “Satanin global”.
E kam përmendur këtë gjë në vitin 2019, në librin tim “Dimri i Kremlinit”, si dëshmi e paaftësisë së tij afatgjatë. Por politikë-bërësit rusë nuk po i ofronin më Putinit një këndvështrim më fleksibël në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Për pasojë, paranoja e tij agresive e tërhoqi Rusinë në një luftë të panevojshme dhe barbare në vitin 2022.
Donald Trump ishte i vetmi udhëheqës amerikan, të cilin ai e përjashtonte gjithmonë nga sulmet e tij publike. Dhe ata po e vazhdojnë me sukses këtë aleancë. Tani Trump, një adhurues i sundimtarëve autoritarë, i ka dhënë atij lavdinë e një afrimi të ri ruso-amerikan.
Siç po zbulojmë, dhuratat e Trump për Moskën përfshijnë miratimin nga Uashingtoni të axhendës së Putinit mbi të ardhmen e Ukrainës. Marrëveshja e mundshme është djallëzore. Putini ka premtuar me sa duket qasje për korporatat amerikane në tregjet ruse.
Në të njëjtën kohë, Trump po ushtron një presion ekstrem ndaj Volodymyr Zelensky-t që t’i dorëzojë Amerikës një pjesë të ekonomisë ukrainase të pasluftës në këmbim të garancive të mjegullta të sigurisë. Por a është Putin në pozitën për të luajtur me dy porta me Amerikën dhe Kinën?
Tre vjet luftë, kanë nxjerrë në pah dobësitë e Rusisë. Kjo e fundit, është tashmë e varur nga importet teknike nga kinezët. Ajo mbështetet tek eksporti i naftës në Indi nën çmimet e tregut botëror. Ka nevojë për Iranin për furnizime me dronë dhe për Korenë e Veriut për trupa të reja në front.
Autonomia e Rusisë në gjeopolitikë është shumë e kufizuar. Megjithatë, shumë korporata amerikane do ta shijonin mundësinë e rihyrjes në ekonominë ruse. Kur SHBA vendosi një embargo të gjerë tregtare ndaj Rusisë Sovjetike në vitet 1920, nga biznesi i madh pati një presion të vazhdueshëm për ndryshim të kësaj politike.
Kjo ndodhi edhe gjatë presidencës së Ronald Reagan në vitet 1980, kur kompanitë amerikane të naftës dhe prodhuesit e traktorëve, synuan t’i jepnin fund ndalimit të tregtimit të çdo gjëje që kishte një rëndësi të mundshme ushtarake. Populli rus ka të ngjarë t’i mirëpresë sërish amerikanët.
Edhe pse sipas sondazheve, dy dekada propagande anti-amerikane, e kanë kthyer SHBA-në në fuqinë më të papëlqyeshme për shumicën e rusëve. Por nga ana tjetër, ata janë të lodhur nga lufta dhe duan përmirësime në standardin e tyre të jetesës.
Nëse Putin i jep fund luftës, nuk ka dyshim se sondazhet do të regjistronin një rënie të popullaritetit të tij. Ai u ka bërë thirrje presidentëve amerikanë që nga Xhorxh W.Bush e tutje që të pranojnë dhe të punojnë brenda realitetit të një bote shumëpolare.
Disa mendimtarë amerikanë, veçanërisht i ndjeri Henry Kissinger, mendonin në të njëjtën mënyrë. Por përveç gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, konsensusi në Uashington ka qenë se Rusia - përjashtuar thagmën e Obamës në vitin 2014 - është vetëm një “fuqi rajonale”. Tani Rusia është kthyer në tavolinën e madhe të vendimmarrjes. Viti i kaluar, ishte shumë negativ për të në Siri, kur forcat ruse u detyruan të largoheshin me shpejtësi. Dhe Kremlini nuk arriti asnjëherë në vitet e mëparshme, që të përballet me zgjerimin e ndikimit të Kinës në Afrikë dhe Azinë Qendrore ish-Sovjetike.
Por Putin duhet të përmbahet ndaj perspektivës së një shëtitjeje presidenciale në Sheshin e Kuq me mikun e tij Donald Trump. Nëse ai do të rrezikonte t’i kthente vizitën në Uashington, me provokimin e demonstratave armiqësore në Amerikë, kjo është një çështje tjetër.
A duhet të shqetësohemi ne në pjesën tjetër të “Perëndimit”, nëse termi nënkupton ende atë që kemi kuptuar deri sot? Forcat e armatosura të Rusisë janë shfaqur po aq të dobëta sa supozohej nga shumë ekspertë. Ashtu si në vitin 1914, kjo luftë ka nxjerrë në pah të metat e mëdha të ushtrisë ruse.
Por momentin, dallimi nuk është vetëm se Trump ka braktisur ndihmën për Ukrainën, por kur ai i shkeli syrin kamerave në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, dhe deklaroi se nuk mendon të garantojë as sigurinë e Lituanisë.
Ai po e shkatërron tullë pas tulle aleancën e NATO-s, që dikur ishte një kredo e pakundërshtueshme e marrëdhënieve transatlantike. Megjithatë, jo çdo gjë që ka ndodhur javët e fundit, është arsye për të qenë pesimistë.
Në kundërpërgjigje të nismave të Trump-it, evropianët - dhe jo vetëm BE - kanë nisur të formojnë një kundër-bllok ushtarak. Se sa larg do të shkojë kjo nismë është ende e paqartë. Vështirësitë janë të dukshme, si për shembull fakti që forcat bërthamore të Britanisë, janë aktualisht në varësi të tekave të SHBA-së.
Por vetëm pak vite pas tërheqjes nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe po rikthehet në një qendër të politikë-bërjes evropiane. Trump po shkakton surpriza të mëdha. Por surpriza që nuk është e tija, ka të bëjë me rishfaqjen e gatishmërisë së evropianëve për t’i bërë ballë kërcënimit rus.
Trump dhe Putin, prisnin që multipolariteti të përfshinte kryesisht Rusinë, Kinën, Amerikën dhe ndoshta Indinë dhe Brazilin. Por mund të detyrohen ta mendojnë sërish nëse Evropa e vjetër - për herë të parë në shekujt e saj të shumtë - do të arrijë të bashkohet për hir të mbijetesës dhe mirëqenies së saj.
Shënim: Robert Service, profesor i historisë ruse në kolegjin e Shën Antonit në Oksford. Libri i tij i fundit titullohet “Gjak mbi dëborë: Revolucioni rus, 1914-1924”.
Lini një Përgjigje