Kjo vetëkënaqësi e shfaqur e drejtuesve akademikë apo/dhe politikë kërcënon të krijojë një realitet politik të karakterizuar nga paqartësia, korrupsioni dhe një shpërfillje e hapur për mirëqenien e elektoratit...
Ju kujtohet ajo përralla e mamasë gaforre, e cila duke parë ecjen e shtrembër të fëmijës së saj, e këshilloi: "Ec drejt" dhe e vogla e saj i përgjigjet- “Ma trego si”? Pavarësisht përpjekjeve, asnjëra nuk mundi të lëvizte në vijë të drejtë.
A nuk ju duket kjo alegori mjaft e njohur dhe rëndom e hasur në realitetin tonë bashkëkohor?
Pikërisht, marrëzinë e të priturit nga të tjerët, të zbatojnë standarde që vetë nuk i përmbushin!?
E pamë me zë dhe figurë, se si kryetari i Akademisë së Shkencave në mënyrë shumë vulgare i bishtnon pyetjeve shumë normale të një profesori të respektuar!
Një sjellje e tillë nuk ka gjasa të jetë një anomali e izoluar.
Siç ekspozoi intervista e profesor A. Fugës, ky episod jo vetëm zbuloi mangësi personale të kryetarit të këtij institucioni, por dhe të vërtetën evidente të mosfunksionimit sistemik të një prej institucioneve tona më të vlerësuara të dijes dhe vlerës njerëzore!
Historikisht, kur institucionet akademike molepsen me një korrupsion të brendshëm dhe dhunojnë kërkesat më normale për transparencë, paralajmërojnë një rënie më të gjerë shoqërore.
"Gjyqi i Akademikëve" në Bashkimin Sovjetik gjatë fundit të viteve 1920, mendoj se do duhet të risillet në vëmendjen tonë, për të na kujtuar se si erozioni i standardeve etike brenda akademisë, bën të pashmangshëm shtypje më të gjerë dhe humbje të lirisë intelektuale.
Aktualisht, partitë e ndryshme politike janë në përgatitjen e tyre të ethshme për zgjedhjet e 11 Majit dhe cilësia e kandidatëve dhe integriteti i procesit zgjedhor janë parësore.
Në një shoqëri ku akademikët apo intelektualët dështojnë të dëshmojnë dhe mbështesin integritetin, virtytin njerëzor, transparencën dhe llogaridhënien, nuk është e vështirë të parashikohet, që edhe ato kandidatë, që mezi po gjenden, me shumë gjasë do i pasqyrojnë apo edhe mund t'i përkeqësojnë këto mangësi.
Ky qëndrim po lejohet.
Askush nuk po prononcohet !
Kjo, bën të nënkuptosh se do gjejmë promovim të të ngjashmëve të tij si kandidatë për parlamentin e ri, duke bërë që, që në pararendje të minohet demokracia.
Kjo vetëkënaqësi e shfaqur e drejtuesve akademikë apo/dhe politikë kërcënon të krijojë një realitet politik të karakterizuar nga paqartësia, korrupsioni dhe një shpërfillje e hapur për mirëqenien e elektoratit.
Historia na i ka dhënë mësimet e saj.
Ne na duhet t’i mësojmë dhe zbatojmë.
Më shumë se sa të recitojmë dhe përbetohemi për parimet e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes humane, ne na duhet ta diskreditojmë këtë degradim brenda institucioneve tona shkencore dhe të mbështesim e të mbrojmë në mënyrë aktive integritetin e sistemit tonë akademik dhe politik.
*Pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës
Lini një Përgjigje