TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Prill 2023, 07:15

A është tabu të drejtojë Shkodrën Benet Beci?

Shkruar nga Bedri Islami
A është tabu të drejtojë Shkodrën Benet Beci?
Benet Beci

"Shkodra, shkruan Ismail Kadare, jo vetëm mbetet gjithmonë një qendër e madhe e qytetërimit shqiptar, por duhet të kthehet, ndërkaq, në një kështjellë të qytetërimit kontinental në krejt Evropën Juglindore".Shkodra e ka rastin me 14 maj të dëshmojë këtë.

A do të mund të pranojnë njerëzit të vërtetën se ndryshimi i drejtimit të qytetit të Shkodrës është një domosdoshmëri?

A është vërtet qyteti i lashtë kaq konservator në mendimin e tij qytetar, sa që të jetë i zhytur në istikamin e tij politik dhe të mos dëgjojë kumbimin e së ardhmes?

Ditën e djeshme unë botova shkrimin " Një kafe me Benet Becin", dhe, natyrisht, më erdhi mirë që shkrimi u përsërit në shumë portale, edhe brenda Shqipërisë londineze, por edhe në atë që Kadare e quan, Shqipëria e jashtme.

Më erdhi, po ashtu, mirë që njerëzit e bënë pjesë të debatit të tyre, pavarësisht nga marrëveshjet apo mos kuptimet. Njerëzit e mençur thonin dikur se " unë nuk jam dakord me mendimin tënd, por do të bëj gjithçka mundem të dëgjoj mendimin tënd".

Ndaj e dëgjoj me vëmendje edhe mendimin e kundërt, edhe kur ai është vulgar, pa ide dhe gjithë mllef.

Nëse Benet Beci do të ishte kandidat i së djathtës, si kryetar për bashkinë e Shkodrës, jam i bindur se e gjithë ajo pjesë e qytetit, që mbiquhet e djathtë, do të kishte vërshuar nga gëzimi, pasi, për herë të parë qyteti do të kishte gjetur njeriun e duhur.

Përse nuk është tabu përcaktimi për Benet Becin? Përse atij i duhet besuar bashkia e Shkodrës? A ka ardhur koha që, edhe në Shkodër, si ka ndodhur kudo në Shqipëri, të ketë rokadë të drejtimit të pushtetit, pa ndërruar bindjet politike e qytetare të njerëzve?

Nuk mund të jetë tabu. Në asnjë mënyrë. Benet Beci është njëri ndër figurat menaxhuese më të spikatura në Shqipëri. Shumë vepra janë të lidhura me punën e tij drejtuese. Rruga drejt Vermoshit , për shembull. Lungomare në Vlorë. Shëtitorja në Shirokë. Qindra vepra të tjera. Ai është njeri që e do politikën për të bërë punë të mëdha, dhe jo për hir të politikës. Ka punuar me të djathtë dhe të majtë, pa krijuar konflikte, sepse njeriu i punës nuk është militant, aq më pak metingash.

I duhet besuar Bashkia e Shkodrës pasi 32 vite dëshmuan se nuk ecet më tej në shejtninë e një zgjedhje politike. Për hir të " konseguancës partiake" , nuk mund të shembesh të ardhmen e një qyteti. Të gjithë parashikimet e tij, në drejtimin e bashkisë shpien nga e mira, e bukura, funksionalja dhe historikja.

Të lodhur nga mos besimi i deritanishëm dhe thyerja e shpresës, shumë vetë pyesin: Ku do i gjejë fondet Benet Beci?

Projektet e menduara nga ai nuk kapin shuma të jashtëzakonshme. Menaxhimi i financimeve është primare. E majta në qeverisje ka në prioritetet e saj Shkodrën. krijimi i Fondit për Zhvillimin e Shkodrës është po ashtu një garanci.

Ka ardhur koha që bashkia e Shkodrës të ketë një vizion të ri. Të mos ecet me ritëm të ngadaltë, por të ketë përmbysjen pozitive. Nëse qyteti e quan veten si bastion i mendimit progresiv evropian, atëherë duhet të kuptojë se nuk mund të ecet drejt modernes, aktuales, progresives dhe se ardhmes , nëse frymëzuesit e deri tanishëm janë të padëshiruar për Perëndimin si rrugë e së ardhmes.

Identiteti evropian i Shqipërisë ka pasur gjithnjë traditën e tij në këtë qytet, që në kohra ishte i lidhur me qendrat e kulturës evropiane. Nga asnjë qytet tjetër nuk kishte kaq shumë studentë shqiptarë që ishin të shkëlqyer në universitetet e Vjenës, Gracit, Berlinit, Romës; si askush tjetër ky qytet ishte në syrin e qyteteve të mëdha si Venediku, Milano, Firence, Parisi, Londra...askund tjetër nuk u sakrifikuan kaq shumë për iluminizmin, lirinë dhe barazinë.

A mund të hidhen poshtë të gjitha vetëm për hir të " besëdhënies" ndaj atij që theu besën që i dha perëndimit , për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, njeriut që, me 1997, për turpin tonë, shteti shqiptar ra, dhe Europa na u gjet në fatkeqësi.

Kam besuar gjithnjë dhe vazhdoj të besoj se mençuria do e mposhtë verbërinë; se respekti do e mposhtë mllefin, se arsyeja do të jetë mbi mërinë; se e ardhmja do të jetë ndryshe nga e shkuara; se besimi do të jetë më i fuqishëm se dyshimi; se , në fund të fundit, pas 32 viteve të humbura, na lejohet të kemi besimin në njeriun që mund të jetë caku i kthesës, i shkallmimit të gardheve politikë dhe krijimit të një mendësie ndryshe, e bashkë me të, edhe të një qyteti ndryshe.

"Shkodra, shkruan Ismail Kadare, jo vetëm mbetet gjithmonë një qendër e madhe e qytetërimit shqiptar, por duhet të kthehet, ndërkaq, në një kështjellë të qytetërimit kontinental në krejt Evropën Juglindore".

Shkodra e ka rastin me 14 maj të dëshmojë këtë.

benet beci shkodra

Lini një Përgjigje