TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Korrik 2024, 12:13

A e kalon dot Aleksandër Vuçiç “Rubikonin”?

Shkruar nga Fadil Lepaja
A e kalon dot Aleksandër Vuçiç “Rubikonin”?
Aleksander Vuçiç /

Urdhër drejtuar “Komandantit Suprem”

Kosova e Veriut kishte gdhirë e mbuluar me posterë, me një ftesë të pazakontë në gjuhën serbe:  “Komandant Suprem, të presim”. 

A e kalon dot Aleksandër Vuçiç “Rubikonin”?

Në shumicën e mediave shqip u përkthye gabimisht mesazhi, sikur i drejtohen në shumës “komandantit” të tyre. Në fakt, ishte, “të presim”. Ishte ftesë apo urdhër, i drejtohej vartësit apo eprorit, vështirë të thuhet.

Sido të ketë qenë, tregon për një grup njerëzish që nuk e kanë vëmendjen te etiketa, por te mesazhi.

Kujt i drejtohet ky mesazh?

Presidentit të Serbisë, institucioneve të Kosovës apo NATO-s? Ishte ftesë reale apo provokim mediatik?

Për çdo rast, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, e pa të arsyeshme të paralajmërojë Presidentin Serb apo këdo që e ka shpërndarë këtë mesazh se Presidenti i Serbisë do të arrestohet nëse i përgjigjet thirrjes dhe hyn në territorin e Kosovës, pa leje nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Deklarata/përgjigja e Presidentit Vuçiç ishte gjithashtu dramatike dhe nuk sqaron asgjë. As nuk tha, mos prisni kot, as nuk u tha se vjen. Tipike për Presidentin që fle në dy karrige, në mes lindjes dhe perëndimit.

Tash, ka muaj që flitet për një skenar të mundshëm të futjes në Kosovë të grupeve të armatosura serbe të cilat është deklaruar se kanë kryer stërvitje ushtarake/luftarake bashkë me forcat serbe të sigurisë, me instruktor serbë apo të huaj. Thirrja vjen nga brenda Kosovës çka sugjeron se ata tashmë janë brenda. Deklarata dramatike e Presidentit serb  për ngritjen a gatishmërisë dhe lëvizjet e KFOR-it, dronëve Bajraktar, të Shqipërisë dhe atyre kosovarë, duket se është një përgjigje në këtë thirrje. Nuk e kalon dot “Rubikonin” presidenti serb?

Pse pikërisht tani, ndoshta do të ishte pyetja kryesore.  Po lëvizin tashmë apo po priten lëvizje konjukturash globale?

Paralajmërimet dhe sidomos parashikimet serbe se në zgjedhjet në SHBA do të fitojë Trump, hapë sërish çështjen e kufijve në Ballkan. Aktivizimi i serishëm i njerëzve të Trump dhe  të gjitha forcave pro/serbe dhe jo vetëm serbe në rajon, ndaj faktorit shqiptar, tregon se temperatura po ngrihet qëllimshëm dhe në mënyrë të sinkronizuar.

Ajo që duket më e besueshme në krejt këtë tollovi është se këto slogane janë hedhur pikërisht si provokim ndaj presidentit serb i cili po bën një përpjekje të mbinatyrshme që të mbahet si lider i të gjithë serbëve, e kështu edhe i Serbisë. Vetë procesi i dialogut me Kosovën, zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë rreth entitetit serb atje dhe rikthimi i një qeverie pro ruse në Maqedoninë e veriut, janë duke e tronditur dhe hutuar opinionin serb.

Elitat kishtare, akademike dhe financiare, sa i përket një orientimi të politikës serbe për të ardhmen e kanë të vështirë të pozicionohen në një situatë kur presioni nga të dy anët, po i  detyrojnë të luaj me krejt ose me asgjë.

Duke qenë se “krejt” e ofron vetëm Moska dhe fitorja eventuale e Trump në zgjedhje, ithtarët e kësaj ideje duket se janë aktivizuar për të detyruar presidentin serb, të marrë anën e tyre, pasi që ai ende po përpiqet të mbahet në dy karrige.

Nëse nuk bashkëpunon me perëndimin, procesi i dezintegrimit të mëtejmë, jo vetëm të botës serbe por edhe të vetë Serbisë do të vazhdojë dhe demilitarizimi i Serbisë bëhet domosdoshmëri.

Vetëm në këto rrethana elitat serbe do të orientoheshin nga Evropa e Bashkuar.

Por përse e ftojnë Presidentin “e të gjithë serbëve” atje ku e dijë se nuk mund të shkojë? Nëse presidenti serb, detyrohet të niset drejt Kosovës qoftë edhe për turizëm në Kopaonik, kjo do të nxiste reagime të cilat pastaj nuk i kontrollon dot, duke rrezikuar të ndezë konfliktin në Ballkan, gjithsesi me ndërhyrje ushtarake të Serbisë në veri të Kosovës e rrjedhimisht edhe NATO-s në Serbi. Çfarëdo spekulimi i mëtejmë do të ishte joserioz .

E kalon dot Vuçiç “Rubikonin”?

Jo pa hequr dorë nga njëra karrige. E keqja për të është se nga cilado karrige që do të heqë dorë, Vuçiç më nuk është i nevojshëm në politikën serbe. Ai është i vetëdijshëm për pozitën e vet dhe (pa)fuqinë e vet.

Atëherë, çfarë loje po luan presidenti serb? Derisa nuk u ndesh me “reciprocitetin” e Kurtit,  Presidenti Vuçiç aktualizohej duke krijuar kriza. E sillte situatën buzë humnerës. Tani, janë ndërruar rolet, krizat po i krijon kryeministri kosovar. Si do ta rikthej iniciativën?  A do të rrezikojë Vuçiç një luftë në përpjekje për të krijuar një kërcënim edhe më të madh në Veri?

Është vështirë të thuhet. Opinioni serb për herë të parë duket se po e ndien seriozisht edhe mundësinë të humbin gjithçka. Ndien rrezikun e dezintegrimit të mëtejmë të Serbisë dhe mundësinë që nga ajo të shkëputen edhe pjesë të tjera si Vojvodina, Sangjaku, Lugina e Preshevës e copëza të tjera që përbëjnë gati gjysmën e territorit të Serbisë.

Duke pasur parasysh se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën ka ngjallur idenë se edhe me Vojvodinën e cila po ashtu ishte një Krahinë Autonome Socialiste, duhen “normalizuar” marrëdhëniet, atëherë duhet kuptuar idenë se  çfarëdo shkëputjeje e Vojvodinës do të bëhej dhe njihej në kufijtë e saj administrativ të vitit 1974.  Për Serbinë kjo do të kishte vetëm një dallim, derisa Kosova ka veriun e saj, Vojvodina do të kishe jugun e saj serb. Aty do të vendosej NATO dhe ... Edhe një republikë serbe do ti shtohej “Botës serbe”./Pamfleti

aleksandër vuçiç rubikoni

Lini një Përgjigje