Prej disa javësh, Tbilisi ka përjetuar protesta të pandërprera kundër përpjekjes së fundit të qeverisë aktuale për të miratuar një ligj shumë të diskutueshëm, që i jep asaj mundësinë të etiketojë si “agjentë të huaj” organizatat që financohen nga jashtë vendit...
Shqyrtimi i tretë dhe i fundit në parlament i këtij projektligji , që i ngjan shumë një ligji të miratuar disa vite më parë në Rusi, është planifikuar të ndodhë për pak ditë. Pavarësisht nga protestat në rritje dhe zgjedhjet e planifikuara parlamentare për në vjeshtë, partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, s’ka ndërmend të tërhiqet. Me sa duket ajo është e bindur se nuk ka asgjë për të humbur.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Ëndrra Gjeorgjiane renditej me 36 për qind të votave në sondazhe, shumë përpara rivalit më të afërt me rreth 21 për qind. Qeveria ishte e suksesshme në politikën e jashtme, pasi kishte arritur të merrte njëkohësisht statusin e vendit kandidat për në BE dhe të përmirësonte marrëdhëniet me Rusinë, e cila e kishte cilësuar Gjeorgjinë si një vend joarmiqësor.
Për pasojë, ekonomia gjeorgjiane u rrit edhe për shkak të një numri të madh rusësh, që u zhvendosën atje pas shpërthimit të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë me Ukrainën. Dhe kjo duket se e rriti aq shumë besimin e Ëndrrës Gjeorgjiane, saqë vendosi të shfrytëzojë momentin për ta forcuar më tej pushtetin e saj, duke miratuar edhe ligjin për agjentët e huaj. Partia në pushtet është aq e sigurt, sa nuk është përpjekur as ta bëjë projektligjin më të pranueshëm për kundërshtarët e saj. Ëndrra Gjeorgjiane, mbështet ende në supozimin se zemërimi popullor i shkaktuar nga miratimi i këtij ligji, do të zbutet deri kur të mbahen mbajtjet parlamentare në tetor.
Po ashtu, pret që Kampionati Evropian i Futbollit në qershor, në të cilin kombëtarja gjeorgjiane u kualifikua për herë të parë në historinë e saj, do të ndihmojë akoma më tej për të zbutur pasojat. Edhe pse BE-ja e ka denoncuar projektligjin, Ëndrra Gjeorgjiane hamendëson se Brukseli nuk ka tani kohë për Tbilisin, dhe në çdo rast nuk ka gjasa që t’i heqë kaq shpejt Gjeorgjisë statusin e kandidates, sepse ia dha vetëm në dhjetor të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, kjo parti pret që rezultati i zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian të jetë në avantazhin e saj. Sepse për momentin nuk i ka mbetur asnjë aleat në asamblenë e tanishme, pasi u përplas me Partinë e Socialistëve Evropianë vitin e kaluar pas deklaratave homofobike të kryeministrit gjeorgjian.
Për këto arsye, nuk ka asgjë që e ndalon Ëndrrën Gjeorgjiane ta miratojë tani ligjin e diskutueshëm, duke e pajisur me një armë të re për të luftuar ndaj partive opozitare dhe OJQ-ve të financuara nga Perëndimi. Më pas mund ta mbajë atë atë në gatishmëri për ta përdorur pas zgjedhjeve, teksa vazhdon të negociojë me BE-në si të mos ketë ndodhur asgjë.
Tek e fundit, është një gjë të miratosh një ligj dhe krejtësisht tjetër ta zbatosh atë. Ëndrra Gjeorgjiane u përpoq ta miratonte këtë nismë që në pranverën e vitit 2023, përpara se të tërhiqej për shkak të protestave të mëdha. Por që nga ajo kohë kanë, ndodhur dy ndryshime të rëndësishme:dhënia nga BE e statusit të kandidatit, dhe rikthimi sërish në arenën politike të themeluesit të Ëndrrës Gjeorgjiane, oligarkut Bidzina Ivanishvili.
Ai ka qenë një mbështetës i zëshëm i projektligjit, për të cilin këmbëngul se do ta ndihmojë Gjeorgjinë të mbrojë sovranitetin e saj, dhe të shmangë përfshirjen në një konflikt me Rusinë.
Një tjetër rol kyç në sagën e këtij projektligjit, luan edhe kryeministri i ri, Irakli Kobakhidze, të cilin Ivanishvili e emëroi vetëm në fillim të këtij viti. Është e vështirë të përmendësh një politikan gjeorgjian më përçarës se sa Kobakhidze. Ai është shumë ambicioz, dhe nuk ka ngurruar asnjëherë të ndyjë duart në luftën kundër kundërshtarëve të tij.
Nëse Ivanishvili po synonte të forconte pozitat e pushtetit të partisë së tij, atëherë s’ka dyshim se Kobakhidze është njeriu që i duhet për ta arritur këtë. Vitin e kaluar, kur ishte kreu i partisë Ëndrra Gjeorgjiane, Kobakhidze e mbështeti me zell ligjin për agjentët e huaj. Tani që është emëruar kryeministër, është i vendosur të tregojë se mund ta përfundojë punën që pati nisur. Madje ai refuzoi ftesën për të vizituar Uashingtonin, sepse kushti i kësaj vizite nga amerikanët ishte pezullimi i shqyrtimit të këtij projekligji. Për më tepër, problemi është se të gjitha sukseset e fundit të Ëndrrës Gjeorgjiane - arritjet e politikës së jashtme dhe bumi ekonomik - e kanë më shumë burimin tek rrethanat e jashtme të favorshme sesa një vendimmarrje strategjike e kujdesshme.
Mos miratimi i projektligjit vitin e kaluar, tregoi se partia është e aftë të bëjë gabime të rënda. Dhe mund t’i këtë bërë gabim llogaritë edhe këtë herë. Kundërshtimi ndaj kësaj nisme po forcohet, përfshirë pjesëtarë të klerit gjeorgjian dhe presidenten e vendit, Salome Zourabichvili.
Protestat janë tashmë më të mëdha dhe më të dhunshme se vitin e kaluar, dhe kjo shihet nga numri i pjesëmarrësve të dhunuar dhe arrestuar. Por edhe madhësia e tyre aktuale, ka të ngjarë të mos jetë asgjë në krahasim me atë që do të ndodhë nëse Ëndrra Gjeorgjiane arrin ta miratojë ligjin.
Së fundi, ekziston një çështje që i bashkon kundërshtarët dhe mbështetësit e qeverisë: anëtarësimi në BE. Prandaj, rezistenca e Brukselit ndaj ligjit të ri, mund të krijojë probleme serioze për partinë në pushtet. Drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Hert Jan Koopman, vizitoi më 1 maj Tbilisin, duke u shprehur se ligji i ri është i papranueshëm, dhe se ai do të krijonte pengesa serioze për rrugën e Gjeorgjisë drejt anëtarësimit në BE.
Por ky paralajmërim mund të mos mjaftojë. Ëndrra Gjeorgjiane ka treguar edhe më parë se po t’i lihet dorë e lirë, largohet me shpejtësi nga rruga e demokracisë. Partia e tërhoqi projektligjin vitin e kaluar nën presionin e Brukselit, por sapo Gjeorgjia mori statusin e vendit kandidat për në BE, e riktheu projektligjin në parlament fare të pandryshuar.
Është e vështirë të besohet versioni zyrtar që jep qeveria:pra që qëllimi i projektligjit, është të rrisë transparencën në jetën publike. Të gjitha nismat e ngjashme në hapësirën post-sovjetike - fillimisht në Rusi, më pas në Kirgistan - kanë pasur vetëm një ndikim të dëmshëm mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.
Por midis këtyre vendeve dhe Gjeorgjisë, ka një dallim themelor. Kur miratuan ligjet e tyre represive, Rusia dhe Kirgistani nuk aspironin të anëtarësoheshin në BE, ndërsa tani Gjeorgjia e ka shkruar edhe në kushtetutën e saj aspiratën për të hyrë në BE.
Ëndrra Gjeorgjiane, e cila deri vonë dukej e sigurt se do të arrinte një fitore tjetër në zgjedhjet e këtij viti, rrezikon të përsërisë gabimin e vitit të kaluar. Dhe këtë herë, rreziqet janë edhe janë më të larta, gjë që do të thotë se rezultati mund të jetë më dramatik.
Partia përballet me një zgjedhje të vështirë. Tërheqja sërish e projektligjit do të sillte një poshtërim edhe më të madh se një vit më parë. Por mos-tërheqja e saj, do të thotë rrezikim i të ardhmen evropiane të vendit, dhe bashkë me të edhe qëndrimit në pushtet./Përshtati Pamfleti nga “Carnegie Endowement”
Lini një Përgjigje