
Në fund erdhi Babua pushtoi Akropolin se edhe ajo bina qenkesh e jona e çoi kufirin ku Ilirisë i takon.
Klosi ishte caktuar kryemarangoz për aheng-mitingun e Athinës. Vërtitej si levend lart e poshtë duke matur e prerë. Një zdrukth e ca almise i kishte lidhur me litar e vënë mbi sup! Një laps e mbante pas veshit që e ngjyente me pështymë herë pas here!
Çyrbja jo vetëm kishte mbledhur nja dyqind veta nga Shijaku po mbajti gjithë ditën shtylla e pilastra. Nuk i bënë sytë dritë kur pa Klosin që si shul vërtitej tutje tehu me dy ristela a ndonjë qereste.
Kështu nuk shkon i tha , bën me hile , je dy metro, mban sa një mushk, mos i bej bisht ngarkeses. Klosi u murretyre po e kishte zënë ngusht u detyrua të vinte një tra në kurriz dhe iku duke nëmur se dembel hesapi.
Damon po e përvëlonte halli. Punëtor llaçi që detyra. Në fillim Klosi i tha nuk na duhesh për gjë, po ai këmbënguli, dua të jap kontribut tha për këtë ngjarje historike. Nuk dua të dukem, dua të shërbej, një kemi vetëm një njësh ne zero jemi.
Po mirë i tha Klosi mëqënëse do me se s’bën terezitja llaçit se na duhet të forcojmë muret. Damua u zhgënjye thellë po se dha vetën. Meqenëse ka shpirt artisti besonte se do merrej me dekore e drita por jo. Shyqyr mermeriti qe kam bërë palestër e nuk me thyhet kerbishtja. Në këto kohë të murrme çdo punë duhet puthur e vënë në ballë.
Babua i kishte nisur të vetët një javë përpara që të iknin atje me kuç e maç. Termet Peçi kishte marrë me vete gjithë administratën edhe një qerre me dy buaj ngarkuar me kërmë, raki e flamuj.
Kokën e kishte lidhur me shami si muratorët dikur. Kanatierja e bardhë dhe gjoksin leshtor i bëheshin qull nga djerset po nuk i bënte bisht punës. Në kohë të lirë vishej me fustanellë që i jepte ngapak kruarje dhe ja merrte një vënçe sapo vinte edhe tezja nga larja e dyshemesë.
Flamuri i Gjirokastrës, gjyma me djathë Lazarati, dhe treqind qylafë solli si pajë.
Ermal Dredha një matrapik shtrëngonte si ata tek sheshi Omonia ! E kishte vënë mbi supe si mitraloz për të luftuar grekun i gatshëm të hapte vrima për çdo fitil. Vullnet Sina me plumbçe e mistri ja merrte një të uruarë këngë labe gjithë qejf tek vinte tulla rreth e qark. Sa hajër do beja si gurë dhënës thoshte tek e lumturonte puna dhe ideja se ky qeram do i kujtohej gjatë. Nuk ju dhimbs aspak malli e gjëja për të sjellë dynjanë aty.
Sotiraq Filo dhe Erjon Isai u befasuan kur u thanë se ju do bëni akçihanen. Ata mendonin se do jepnin mendime si biçim ideologësh e intelektualësh, do mbanin ndonjë fjalim safi lyer me yndyrën e nacionalizmës, për kokë të fjalimit por jooo u tha Klosi njerzia që po vjen nga anë e anës do të hajë, e ndoj darovitje, ndaj luani duart. Përkushtohuni se për sy e faqe mund të marrë një lugë edhe Babua a një pjatë dhe po si pëlqeu e shtrembëroi fytyrën hapjani varrin vetes më mirë.
E filluan me përtesë qërimin e patateve dhe të qepëve po dalë ngadalë po ju ëndej, aty nën hije cimbisnin jo ndonjë meze , jo ndoca uzo e thithnin, kur të tjerët piqeshin në diell si kuleçër. Filo ishte skuqur ca po i kishte hije ai lezet. Pasi Nikoqiri si ka punët mirë mbase bëhet i parë në Kaza!
Kazanin e pilafit e kishin vënë të madh se po dyndej mileti qe nga Shkodra e poshtë. Pjerini pa Ulsinë ndihej si jetim po ja skuqi telat çiftelisë që gjindja e Lezhës të mbahej me gajret e dyzen.
Kryetarin e Sarandës jeta e ka mësuar të mos përbuzë asgjë ndaj kur i thanë merr sëpatën, shko në pyll e bëj dru nuk tha jo. Priti dhe Subashin e Fierit me të vetët që ishin shumë, hypën mbi gomere dhe u ndalën në Atikë! Tëmen e sëmës i punuan qindin pyllit grek. E rruan si kokë ushtari. Me ata dru piqej mishi në hell rreth stadiumit për shtatë palë qejfe!
Anila Denajt qerrateshës ju besua hekurosja e perdeve të skenës , akt të cilit ju përkushtua me besim të larte tek vetja dhe mirënjohje të madhe për Klosin. Pak kush e di që është ministre bujqësie por aty i bëri dritë petkat.
Kur motrani e shoqeni kuptuan që Mamica do mbante fjalim u ra zali, veçmas Anilës dhe Tezes! Ne mbajmë në kurriz tapete, karrige, fonira , laj e fshij na bie bretku vjen si pa te keq Mamica zbret nga balona dhe ja terezit e përzgjedhur nga Babo, e zezë është kjo ditë. Duhet edhe të duartrokasim pale?! Hajde mos e bëj!
Tezja mendonte ja sikur të flisja unë çdo jepja, do shihja Babon drejt e në sy, kur ai gezohet unë do qaja nga lumturia, kur ai zymtohet do qaja përsëri, kur ai qesh do qeshja dhe unë ku e ku më shumë. Po të duhej ja merrja edhe një valleje libohovite me ojna e naze , në skenë apo nuk ngjaj me Bubulina Laskarinen që Babo si trim jua mori grekëve dhe naaa jua dha shqipove!
Në fund erdhi Babua pushtoi Akropolin se edhe ajo bina qenkesh e jona e çoi kufirin ku Ilirisë i takon.
Vullnet Sinën e la guvernator të Athinës në të ikur i tha të hape ca supermarkete aty po jo me mallra të skaduar se kontrollon avrupi andej!
Klosit i dha leje të dëfrehet një ditë atyre mejhanve e t’ja marrë një sirtaki!
Damos i hodhi dy shikime kur u nrit edhe pse në rresht të tretë! Më mirë se asgjë! Ciut i tha pështyva u tha e nuk u bëre def nga sytë me atë palo fjalim që mbajte të piu e zeza! Def u bë ajo. Apo nuk priten disa ndryshime në qeveri nashi se dy tre janë në të mbytur.
Antoneta Dhima iku e pikelluar që nuk ja dha kënges me Noisy-n! Nuk u thirr që ta qeronte zënë! Edhe Braçja me Xhafen u ndjenë të anashkaluar. Ismet Beqiri e Dilua një iso jua kerkonte xhani por …ah …jo !
Majkua u justifikua si komandant i Luftës së Kosovës Greqia s’më ka në hatër. Toni tha kjo është kohe lufte dhe jo lutjesh ndaj nuk duhesha! Etilda kishte qarë duke parë eventin në televizor, nuk dihet mirë pas Babos apo Mamicës po lotët i paskesh patur të ngrohtë e të ndjerë! Laerti prej kohesh i papunë kishte rëndur për ti shtënë në lotore. Ishte prekur qe ai sy aq lot derdhi kishte qarë dhe vetë.
Ermua ishte solidarizuar duke kënduar në ballkon këngën “Çamëri-çamëri”!
Bela nuk vete unë për sehir ! Tao mori rrugën për Vjene të admirojë përkrenaren e Skënderbeut në Belvedere! Lali po tundet mbi një gondol në ujerat e trazuara të Venecias. Ogi ishte më e emocionuara ajo i kishte këshilluar Babos vargjet e Naimit. Kur ai i lexoi për një çast mbet pa frymë dhe kërkoi ujë! Ndihej e konsideruar për çështje mendimi dhe jo hamallëk!
Ahengu mbaroi, Babo virani u llafos gjatë dhe njerëzit bërtasin, fitoreeee, fitoreeee, fituaaam, fituaaaaam, pastaj shohin njeri-tjatrin në sy dhe pyesin xhanëm kë mundem, çfarë fituam pos ekskursionit në Athinë?
Lini një Përgjigje