TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi29 Prill 2026, 10:03

Vendimi i Bordit/ Ulet çmimi i naftës dhe benzinës, me sa do të tregtohen karburantet në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Bordit/ Ulet çmimi i naftës dhe benzinës, me sa do
Karburante

Vendimi i Bordit për ulje të çmimeve vjen në të njëjtën ditë kur në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë tregtohet me mbi 110 dollarë

Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja për karburantet në Shqipëri, ndërsa në krahasim me pak ditë më parë, është vendosur një ulje e lehtë, qoftë për naftën ashtu edhe për benzinën.

Kështu, nga ora 11:30 e paradites së të mërkurës, nafta do të shitet me 203 lekë/litri nga 206 lekë që ishte më parë, ndërsa benzina do të shitet me 180 lekë për litër, nga 181 që ishte në vendimin e fundit të Bordit të Transparencës.

Vendimi i Bordit për ulje të çmimeve vjen në të njëjtën ditë kur në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë tregtohet me mbi 110 dollarë. Ndaj, nëse ecet me logjikën se nafta në Shqipëri tregtohet bazuar në çmimet e bursave, nuk është çudi që pas disa orësh, të kemi një tjetër vendim Bordi, që mund të njoftojë rritjen e çmimit.

Kontratat e së ardhmes për naftën Brent, me dorëzim në qershor, u rritën me 52 centë, ose 0.47%, duke arritur në 111.78 dollarë për fuçi në orën 01:54 GMT. Ky ishte sesioni i tetë radhazi me rritje.

Kontrata e qershorit skadon të enjten, ndërsa kontrata më aktive e korrikut u tregtua me 104.84 dollarë për fuçi, me rritje 0.4%.

Në SHBA, kontratat e së ardhmes për West Texas Intermediate (WTI), me dorëzim në qershor, u rritën me 57 centë, ose 0.57%, në 100.50 dollarë për fuçi, pasi një seancë më parë kishin fituar 3.7%. WTI është rritur në shtatë nga tetë ditët e fundit.

Vendimet e Bordit

Bordi i Transparencës në datë 29 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 180 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 ora  11.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë per llogaritjen e cmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

cmime bordi transparences nafta benzina

1 Komente

  1. D
    Dilaver xhelaj

    Ky bordi i hajduteris po per gazin nuk ka cmim apo leta shesin site duan

    Lini një Përgjigje