
Pas viteve me çmime të kripura në bregdet, që goditën turizmin vendas dhe atë të huaj, qeveria ka vendosur të vendosë kontroll të drejtpërdrejtë mbi tarifat e plazheve.
Me një vendim të ri, që hyn në fuqi për sezonin 2024, çdo bashki do të vendosë çmimet maksimale të lejuara për shezlongët dhe shërbimet e plazhit, duke i dhënë fund abuzimeve që kanë nxitur ankesa masive nga qytetarët dhe turistët.
Këshillat bashkiakë do të kenë detyrimin të miratojnë çmime tavan për çdo zonë bregdetare përpara nisjes së sezonit. Në mungesë të këtij vendimi, zbatohen kontratat ekzistuese mes bashkisë dhe operatorëve, por me çmime të paracaktuara. Subjektet që shkelin kufijtë tariforë do të humbasin të drejtën e menaxhimit të zonës, përveç gjobave administrative.
Qeveria ka vendosur gjithashtu që në plazhet publike të menaxhuara nga vetë bashkitë, nuk do të lejohet më dhënia me qira për privatët. Ato do të mbeten të aksesueshme me çmime të kontrolluara për të gjithë pushuesit. Modeli do të nisë fillimisht në Dhërmi dhe Ksamil, dy nga zonat më të prekura nga çmimet e fryra artificialisht, ku vetë kryeministri Edi Rama paralajmëroi menaxhim të drejtpërdrejtë nga bashkitë.
Për herë të parë, bashkitë do të jenë të detyruara të publikojnë paraprakisht edhe nivelin maksimal të lejuar të zhurmave për çdo plazh, si pjesë e kontrollit mbi cilësinë e shërbimit dhe mbrojtjen e pushuesve.
Ky vendim vjen pas kritikave të drejtpërdrejta të Ramës ndaj "lakmisë së tepruar" të operatorëve turistikë, të cilët shfrytëzuan mungesën e kontrollit për të vendosur çmime që i larguan turistët nga Shqipëria. “Kush do të vazhdojë me logjikën e vjetër, do të mbetet jashtë skemës”, ishte paralajmërimi i fundit i kreut të qeverisë.
Lini një Përgjigje