TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi19 Janar 2025, 08:05

Si do të funksionojë primi i diferencuar për sigurimin e mjeteve?

Shkruar nga Pamfleti

Si do të funksionojë primi i diferencuar për sigurimin e mjeteve?

Kompanitë e sigurimeve kanë pritshmëri optimiste për vitin 2025.

Xhevdet Kopani, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë në një intervistë për “Monitor” se mbështetur në projeksionet optimiste për ekonominë, tregu i sigurimeve do të zhvendoset në nivelet e rritjes dyshifrore për vitin 2025.

Sipas tij, sfidat kryesore për tregun ngelen rritja e edukimit të publikut rreth produkteve të sigurimit dhe në veçanti, promovimi i produkteve të sigurimit vullnetar.

Z. Kopani shprehet se aplikimi, për herë të parë, i primeve të diferencuara për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve do të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun.

Ai shpjegon se sistemi është ndërtuar në atë mënyrë që në pak sekonda, me plotësimin e të dhënave të targës dhe numrit të shasisë, do të llogaritet në kohë reale primi për çdo policë, mjet dhe përdorues.

Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2024 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këndvështrimin tuaj?

Viti 2024 për tregun e sigurimeve ka pasur zhvillime të qëndrueshme dhe rritje të moderuar krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo rritje ka qenë më e madhe se rritja ekonomike e vendit duke treguar se tregu financiar vazhdon të performojë mirë dhe të tregojë stabilitet.

Disa nga zhvillimet kryesore të tregut të sigurimeve për vitin 2024 janë:

Tregu u rrit me rreth 7,5%, çka përbën një rritje të pranueshme dhe solide edhe për të ardhmen e sigurimeve.

Rreth 8,5% më shumë klientë u besuan në vitin 2024 shoqërive të sigurimit, ose rreth 1 500 000 klientë kanë nënshkruar kontratat e sigurimit me shoqëritë siguruese.

Tregu vazhdon të jetë i orientuar në sigurimet motorike të detyrueshme, të cilat zënë rreth 64% kundrejt 34% që zënë sigurimet vullnetare.

Një drejtim i rëndësishëm që ka pasur vëmendjen e shoqërive të sigurimit është pagesa e dëmeve. Vlerësimi i klientëve është boshti kryesor ku mbështetet suksesi i shoqërive të sigurimit.

Natyrisht kjo dëshmohet me vlerësimin e drejtë dhe pagesën në kohë të dëmeve. Rreth 19% më shumë klientë janë dëmshpërblyer në vitin 2024, ose rreth 22% në vlerë dëme të paguara më shumë se në vitin 2023. Duhet theksuar se volumi i dëmeve të paguara në sigurimet motorike ishte rreth 31% më shumë.

Shoqëritë e sigurimit, megjithëse fokus kryesor kanë pagesën e dëmeve të të siguruarve, një vlerësim po kaq të madh kanë pasur dhe ndaj dëmeve të Fondit të Kompensimit për kategoritë e të pasiguruarve, ku këto pagesa janë rritur me rreth 46%, duke ulur kështu volumin e dëmeve pezull me rreth 17%.

Zhvillimet në fushën digjitale, përafrimi i standardeve të tregut të sigurimeve në Shqipëri me parimet dhe standardet e Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) kanë qenë në themel të punës së shoqërive të sigurimit, natyrisht të mbështetura dhe të koordinuara dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Shoqëritë e sigurimit në Shqipëri, falë menaxhimit të mirë të tyre, mbikëqyrjes me fokus riskun nga AMF dhe bashkëpunimit me partnerë sigurues dhe risigurues të klasifikuara në nivelet më të larta, janë të mirëkapitalizuara dhe konkurruese në treg.

Nga viti 2025 pritet të hyjë në fuqi aplikimi i primeve të diferencuara për sigurimin e detyrueshëm motorik, sipas faktorëve të rrezikut. A është tregu i përgatitur për këtë ndryshim dhe si prisni të ndikojë kjo risi në tregun e sigurimeve?

Është një zhvillim shumë i rëndësishëm i bërë nga ana e AMF, i cili në themel ka kujdesin ndaj klientit, por edhe shëndetin dhe qëndrueshmërinë e tregut.

Shoqëritë e sigurimit në Shqipëri, megjithëse ishte një 5-vjeçar i vështirë që filloi me tërmetin e vitit 2019 dhe kulmoi me pandeminë Covid-19, megjithëse të gjithë elementet e kostos janë rritur, treguan se klienti vjen i pari, duke e vlerësuar maksimalisht dhe duke mos rritur primet, siç ndodhi rëndom në të gjitha aspektet e jetës ekonomike.

Ky vendim i Bordit të AMF-së ka përfshirë në përllogaritjen e primit disa faktorë risku që tregjet e sigurimeve anëtare të IAIS-it kanë dhjetëra vite që i aplikojnë.

Edhe në këtë rast, kujdesi nga AMF ishte maksimal që të lehtësohen klientët, veçanërisht ata që kanë makina me kubikazh të vogël, që nuk kanë historik dëmesh, që kanë një përvojë minimale në drejtimin e mjetit dhe përdorimin e rrugës.

Për t’u ardhur në ndihmë klientëve, AMF ka marrë koeficientin e malusit dhe bonusit për vitin 2025, -1, me qëllim që klientët të tregojnë kujdesin e duhur dhe të përfitojnë sa më shumë bonus në vitin 2026.

AMF dhe shoqëritë e sigurimit kanë bërë të gjitha përpjekjet, në radhë të parë për të sqaruar klientët për mënyrën e llogaritjes së primit mbi bazë riskun, si dhe kanë zhvilluar sistemet e IT-së duke i ndërlidhur me ato të AMF-së nga ku merret i gjithë informacioni për lëshimin e një police TPL.

AMF ka marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e DPSHTRR dhe të tjera që kanë të gjithë historikun e të dhënave të nevojshme.

Sistemi është ndërtuar në atë mënyrë që në pak sekonda, me plotësimin e të dhënave të targës dhe numrit të shasisë, kalkulohet në kohë reale primi për çdo policë, mjet dhe përdorues.

Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2025 dhe cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore?

Nisur nga ecuria e këtyre viteve, por dhe parashikimet optimiste të institucioneve dhe të organizatave ndërkombëtare për zhvillimin e Shqipërisë, mendojmë se viti 2025 do të shënojë një rritje dyshifrore krahasuar me vitin 2024, pra, kalojmë nga faza e qëndrueshmërisë në atë të rritjes dhe të zhvillimit të tregut të sigurimeve në tërësi.

Parë në këtë këndvështrim, disa nga sfidat e tregut të sigurimeve për vitin 2025 do të jenë:

Zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe në këtë kuadër digjitalizimi i këtij shërbimi që, krahas shërbimit online në shitjen e produkteve të sigurimeve, të ofrojmë edhe shërbime të trajtimit të dëmeve në rrugë digjitale, duke përmirësuar në këtë mënyrë shërbimin ndaj klientit, ofrimin e tij në kohë reale me të njëjtën ose me kosto të reduktuar dhe mbi të gjitha, duke minimizuar kohën jo produktive të klientëve.

Informimi në kohë reale i klientëve dhe komunikimi i vazhdueshëm mbeten përparësi në vijimësi për shoqëritë e sigurimit.

Rritja e edukimit dhe promovimi i produkteve vullnetare ekzistuese dhe të reja mbetet sfida kryesore e tregut të sigurimeve. Bashkëpunimi në këtë drejtim me AMF-në, institucionet arsimore dhe jo vetëm janë në themel të punës edukuese dhe sqaruese me klientin.

Ndryshimet klimatike, përfshirja e Shqipërisë në hartën me rrezik sizmik dhe klimatik të lartë sjell si domosdoshmëri ndërgjegjësimin e klientëve për të rritur penetrimin e tyre në këto produkte dhe transferimin e rrezikut nga klientët te shoqëritë e sigurimit, të cilat falë dhe partnerëve risigurues të dëshmuar tashmë dhe në tërmetet e vitit 2019, kanë të gjitha kapacitetet risiguruese, financiare dhe humane për t’i marrë përsipër.

Fillimi i punës për implementimin e rekomandimeve të CEFTA-s, në bashkëpunim dhe nën mbikëqyrjen e AMF-së dhe me vendet e Europës Juglindore, mbetet një sfidë për t’u përmbushur sipas kalendarit të miratuar dhe të ardhur për zbatim.

Zhvillimi në këtë drejtim u shërben qytetarëve të rajonit, por dhe atyre të Shqipërisë. /Monitor

Lini një Përgjigje