TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi26 Shkurt 2025, 12:21

Maqedonia e Veriut në kurthin e kredive kineze

Shkruar nga Aleksandar Samardjiev
Maqedonia e Veriut në kurthin e kredive kineze
Autostrada Kërçovë- Ohër /

Sipas një ligji të posaçëm të miratuar nga parlamenti në fund të shtatorit 2024, Maqedonia e Veriut ka marrë një hua prej 1 miliard eurosh nga Hungaria.

Ndërsa qeveria po shpall me bujë fillimin e një bumi investimesh, opozita pretendon se vendi vetëm sa po e rrit borxhin e jashtëm, dhe madje po i jep Kinës më shumë mundësi për të ndërhyrë në Ballkan.

Pas marrëveshjes midis kryeministrave Hristijan Mickoski dhe Viktor Orbán në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington në korrik 2024, dhe para nënshkrimit të tij më 8 tetor, parlamenti miratoi një ligj të veçantë për kredinë më 17 shtator 2024.

Qeveria dhe opozita debatuan ashpër mbi pasojat e huasë së marrë nga Hungaria. Opozita ka frikë nga pasojat e rënda politike dhe ekonomike, si dhe nga një rritje e madhe e borxhit publik. Qeveria thotë se procesi ka qenë transparent, se destinacioni i kredisë dihej paraprakisht, dhe se ajo do të ndihmojë ndjeshëm bashkitë por edhe ekonominë në tërësi.

Që nga janari i këtij viti, janë shpenzuar tashmë 500 milionë euro për rimbursimin e kredisë së eurobondit të vitit 2018, i cili është shpenzuar plotësisht për projekte në rreth 80 bashki në të gjithë vendin. Ndërkohë 250 milionë do t’i jepen nga Ministria e Financave Bankës Shtetërore për Zhvillim, shumë që më pas do t’u kalojnë kompanive nëpërmjet bankave tregtare.

Huaja është marrë zyrtarisht nga Banka Hungareze e Eksportit dhe Importit, e cila në faqen e saj të internetit e përshkruan veten si “motori financiar i ekonomisë hungareze, duke hapur rrugën drejt suksesit me opsionet e saj inovative të financimit”.

Norma e interesit është e fiksuar në 3.25 për qind, dhe periudha e shlyerjes është 15 vjet, përfshirë një periudhë mospagimi prej 3 vitesh. Pas marrëveshjes, Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska tha se në vend të emetimit të një eurobondi të ri, huamarrja nga Hungaria siguroi kushte më të favorshme por edhe kursime në normën e interesit.

“Norma e interesit për këtë shumë parash në tregun ndërkombëtar është rreth 6 për qind”- tha ajo. Disa muaj më vonë, Dimitrieska-Koçoska deklaroi se nuk kishte opsione të tjera më të lira për sektorin privat. Partia opozitare LSDM, ka shprehur dyshime se pas kredisë qëndrojnë paratë kineze.

Ajo iu referua të dhënave të Qendrës Hungareze për Menaxhimin e Borxhit Publik, sipas të cilës Maqedonia e Veriut kishte marrë një miliard euro hua nga 3 banka kineze. “Ky është edhe një konfirmim zyrtar, se paratë për kredinë hungareze janë në fakt para kineze. Pra përveç korrupsionit, Mickoski po përpiqet të fshehë edhe origjinën e parave.

Në këtë mënyrë, ai po e mban peng vendin dhe e ekspozon atë ndaj varësisë së dëmshme politike nga vendet e treta, në kundërshtim me interesat tona strategjike”-akuzon kryesore e opozitës.

Lidhja mes Maqedonisë dhe Hungarisë është shumë delikate. Ish-kryeministri Nikola Gruevski, i dënuar për keqpërdorim të fondeve shtetërore, ndodhet pikërisht në Hungari që nga viti 2018. Budapesti i ka dhënë azil politik, dhe e ka refuzuar ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin.

Partia e Gruevskit, VMRO DPMNE, është rikthyer në pushtet që nga pranvera e vitit 2024.

Nga ana tjetër, ajo ka njoftuar hyrjen e mundshme të 4iG, një operator hungarez i telekomunikacionit. “Problemi është se 4iG ka një partneritet strategjik me kompaninë Huawei në Kinë, në kundërshtim me ligjin tonë që kërkon blerjen e një rrjeti modern 5G ekskluzivisht nga furnitorë të besueshëm, ndër të cilët nuk ka kompani kineze”- thuhet në një artikull në faqen e internetit Racin.mk.

Një pjesë e opinionit publik, e sheh pozitivisht marrjen e kësaj kredie. Dhoma e Tregtisë e Maqedonisë së Veriut, i cilësoi kushtet si mjaft të favorshme nga pikëpamja e biznesit. “Këto para, mund të sigurojnë likuiditet dhe mbijetesë për bizneset e vogla dhe të mesme, të stimulojnë rritjen ekonomike, të rrisin konkurrencën dhe të krijojnë vende të reja pune, të cilat do të ndihmojnë në stabilizimin e ekonomisë në kohë krize”- thotë profesori Abdil Bausch për mkd.mk.

Por nga ana tjetër Bausch thekson se ka edhe rreziqe. Kështu, ka gjasa të rritet borxhi publik, gjë që mund të ketë pasoja negative afatgjata për buxhetin e vendit. Sa i përket huamarrjes së jashtme dhe lidhjes me borxhin publik, Maqedonia e Veriut cilësohet si shumë e ekspozuar dhe e ndjeshme ndaj ndikimit kinez.

Në majin e vitit 2024, Fondacioni Gjerman Konrad Adenauer bëri një analizë që tregon varësinë e Maqedonisë së Veriut nga Kina në tre fusha: tregtia, investimet dhe kreditë për infrastrukturën.

Analiza thekson ndër të tjera vendi ka pasur një përvojë relativisht pozitive me kreditimin dhe financimin e parë të projekteve infrastrukturore nga Kina.

I tillë është rasti i hidrocentralit të Kozjakut nga Korporata Ndërkombëtare e Ujërave dhe Elektrike e Kinës (CWE) në fillim të viteve 2000. Marrëveshja për ndërtimin e 2 seksioneve të autostradës me gjatësi totale rreth 100 kilometra, e nënshkruar në vitin 2013, ka dy drejtime. Përderisa pjesa Shtip-Miladinovci u përfundua vetëm me një vonesë të vogël dhe pa debate të mëdha. Por ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër është shumë i vonuar, nuk ka afate, dhe as një shumë të planifikuar, duke ngritur pikëpyetje serioze lidhur me përgatitjen dhe realizimin e projektit.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, që nisi në maj të vitit 2014, ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2019 me një kosto prej 374 milionë euro nga Banka e Eksport-Importit të Kinës. Gjatë viteve 2018-2020, janë nënshkruar 5 marrëveshje kontraktimi me Sinohydro, një kompani ndërtimi kineze, teksa janë marrë hua 180 milionë euro të tjera.

Deri në vitin 2024, kostoja e projektit të papërfunduar kishte arritur në 600 milionë euro, teksa autoritetet druhen se kompania do të kërkonte 50 milionë euro të tjera si “dëmshpërblim”, dhe po përgatitet të padisë qeverinë e Shkupit në arbitrazhin ndërkombëtar./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”

maqedonia e veriut kredi kineze

Lini një Përgjigje