
Demokracitë europiane në provën më të rëndë: Për kë punojnë qeveritë, për qytetarët apo fondet spekulative?
Kriza e strehimit në Europë nuk është më një problem social, por një kërcënim direkt politik, njësoj si agresioni rus ndaj kontinentit. Këtë paralajmërim e ka bërë së fundmi kryebashkiaku i Barcelonës, Jaume Collboni, i cili theksoi se paaftësia e demokracive europiane për të zgjidhur krizën e strehimit po i çon qytetarët drejt radikalizmit dhe zhgënjimit politik.
Nga Dublini në Milano, kriza e strehimit po i shkatërron financiarisht qytetarët europianë. Çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për shumicën, ndërsa qiratë po marrin deri në 50% të të ardhurave mujore të qytetarëve të thjeshtë. Në kryeqytetet europiane, qiratë janë rritur mbi 10% vetëm në vitin e fundit, duke detyruar qytetarët në kushte jetese gjithnjë e më të rënda e të pasigurta.
Ndërsa qytetarët vuajnë, institucionet financiare festojnë. Në dekadën e fundit, investitorët institucionalë kanë trefishuar blerjen e banesave në Europë, duke arritur në nivele marramendëse. Vetëm në Irlandë, gjysma e banesave të ndërtuara që nga viti 2017 janë blerë nga fondet e investimit. Në Berlin, këta investitorë zotërojnë tashmë 10% të stokut total të banesave.
Pasojat sociale janë dramatike. Me rritjen e fuqisë së institucioneve financiare, çmimet e banesave dhe qiratë kanë shpërthyer, duke shkaktuar largime masive dhe dëshpërim social. Ky realitet po fuqizon ekstremizmin politik, siç dëshmojnë rezultatet e fundit zgjedhore në Gjermani dhe Holandë, ku partitë radikale po fitojnë terren pikërisht duke premtuar zgjidhjen e krizës së banesave.
Përfituesit e mëdhenj të kësaj situate janë gjigantët e financës, si Blackstone, që e konsiderojnë tregun europian të strehimit si aset shumë fitimprurës. Këta investitorë nuk janë aspak të interesuar në ndërtimin e banesave të reja apo zgjidhjen e krizës, përkundrazi, sa më pak banesa, aq më i lartë çmimi.
Qeveritë europiane mbeten të kapura nga interesat e kapitalit privat, duke ofruar subvencione dhe lehtësime fiskale për spekulatorët, ndërsa dobësojnë mbrojtjen e qiramarrësve dhe rregullimet e ndërtimit.
Megjithatë, rezistenca qytetare po rritet gjithnjë e më shumë. Në Madrid, në vitin 2024, mbi 150 mijë qytetarë dolën në protesta kundër krizës së banesave. Berlini votoi për shpronësimin e banesave nga investitorët e mëdhenj, por presioni i lobimit financiar e ka bllokuar zbatimin e kësaj mase.
Nëse Europa nuk reagon urgjentisht, pasojat politike dhe sociale do jenë shkatërrimtare. Për Europën është koha për të rimarrë kontrollin mbi strehimin, duke vendosur interesat sociale përpara atyre financiare. Në të kundërt, kontinentit i kanoset një valë e paprecedentë e ekstremizmit politik./Pamfleti
Lini një Përgjigje