
Rreth 6.6 miliardë euro pritet të mblidhen vitin e ardhshëm nga tatimet dhe taksat, nga rreth 6.3 miliardë euro që është plani për këtë vit.
Mirëpo ky objektiv i vënë në projektbuxhet, rrezikohet nga dy faktorë kryesorë, inflacioni dhe zhvlerësimi i monedhave kryesore të huaja, euroja dhe dollari. Inflacioni që për konsumatorët është një marrë e rëndë për shkak se duhet të paguajnë më shumë për produktet që konsumojnë pasi janë shtrenjtuar, për arkën e shtetit gjeneron më shumë para.
Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se një ulje më e fortë e inflacionit nga ajo që është planifikuar për një nivel prej 3%, do të cenonte realizimin e të ardhurave kryesisht të atyre nga TVSH-ja e Akciza, që parashikohen në 274,8 miliardë lekë.
“Luhatjet në çmimet ndërkombëtare të produkteve me ndikim në të hyrat e buxhetit, në rastet kur këto çmime ulen”, thuhet ndër të tjera në relacion.
Po ashtu mbiçmimi i lekut përkundrejt monedhave Euro e Dollar do të rrezikojë më shumë të hyrat buxhetore, pasi do të ulte TVSH-në në import.
“Ulja e kursit të këmbimit të monedhave Euro apo USD tej nivelit të parashikuar, do impaktojë TVSH në mbi importet e mallrave për shkak të uljes së vlerës së mallrave”, thuhet në relacion.
Zhvlerësimi i monedhave të huaja është skenar më i rrezikshëm për shkak edhe të rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Ky vendim i bankës shtrenjton më shumë lekun, e për pasojë nënvlerëson Euron e Dollarin. Ndërkohë përsa i përket inflacionit, në asnjë nga parashikimet e deritanishme nuk flitet për rënie të inflacionit poshtë shifrës 3% në vitin 2024.
Tjetër rrezik i të ardhurave i evidentuar në relacion është edhe rritja ekonomike, nëse nuk arrin në shifrën e parashikuar prej 3.8%, pasi reduktimi i kësaj rritje, do të tkurrë edhe të hyrat e buxhetit të projektuar.
Lini një Përgjigje