
Fuqitë e mëdha botërore, kanë nisur një garë për t’u furnizuar me materiale kyçe për automjetet elektrike, armët dhe teknologjinë...
Në Pallatin Mbretëror të Brukselit - në zemër të Evropës - ndodhet statuja e një burri hipur mbi kalë. Me një pamje arrogante, ai ka një mjekër të dendur dhe mban veshur një uniformë ushtarake. Është Leopoldi II, mbreti belg që sundoi Republikën Demokratike të Kongos (RDK).
Ai e trajtoi këtë territor si një feud të tij personal në fundin e shekullit XIX-të dhe fillimin e shekullit XX-të. Nën sundimin e tij - i cili zgjati më shumë se 2 dekada - vdiqën 10 deri në 15 milionë njerëz, ndërsa sundimtarët kolonialë u pasuruan, së pari nga fildishi dhe më pas nga goma, e cila u përdor për të prodhuar gomat për makinat e parë që do të qarkullonin në rrugët e Kontinentit të Vjetër.
Makthi i Kongos, do të vazhdonte kur të zbulohej pasuria e tij minerale. Toka e tij është e mbushur me kobalt dhe koltan, që aktualisht përbëjnë përkatësisht 75 dhe 80 për qind të rezervave të planetit. Hekuri, nikeli, mangani, germaniumi, ari, argjendi, litiumi dhe metale të tjera, gjenden gjithashtu në ish-koloninë belge.
Gjatë 100 viteve të fundit, fuqitë e mëdha të botës - Rusia, Franca, Kina dhe Shtetet e Bashkuara - kanë konkurruar për të kontrolluar burimet e Kongos dhe kjo garë vazhdon. Ekonomitë më të fuqishme në të gjithë planetin, po kërkojnë minerale jetike që do të nxisin dëshirën për një jetë shumë të dixhitalizuar, më pak të ndotur dhe më të sigurt. Gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë e rinovueshme i përmbajnë këto elementë, ashtu si edhe instrumentet e luftës, siç janë dronët. Në këtë kontekst, SHBA-të kanë riaktivizuar axhendën e tyre imperialiste - së bashku me tarifat e tyre - dhe po flasin për një aneksim të mundshëm të Kanadasë dhe Grenlandës.
Javës që shkoi, Uashingtoni firmosi një marrëveshje me Kievin, me qëllim sigurimin e burimeve minerale strategjike. Edhe Rusia i lakmon elementët që gjenden në nëntokën ukrainase. I njëjti model po përsëritet në Kongo. Vendi po synon të tregtojë mineralet e tij, ndërsa përpiqet të frenojë rënien e çmimit të kobaltit, që aktualisht ka rënë në nivele historike për shkak të mbi-furnizimit.
Kjo e ka nxitur RDK-në të vendosë kufizime në eksport, në një përpjekje për të stabilizuar tregun global. Presidenti kongolez Félix Tshisekedi i ka ofruar mundësi shfrytëzimi Fondit të Pasurisë Sovrane të SHBA-së, në këmbim të ndihmës që vendi i tij të mposhtë forcat rebele të M23 (Lëvizja e 23 Marsit).
Ky grupim i armatosur - i mbështetur nga Ruanda - synon të kontrollojë burimet minerale.
SHBA-ja po e shqyrton ofertë, por situata është komplekse. Republika Demokratike e Kongos ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të ngushta me Kinën, e cila i ka dhënë mbështetje financiare, si shumë shteteve të tjera afrikane.
Kjo ndihmë, ka lejuar ndërtimin e infrastrukturës që mundëson nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve kritike - veçanërisht kobaltit - që përdoren nga kompani të tilla si Samsung, Apple, Huawei, Microsoft, Google, Dell, Sony, Tesla, Ford, General Motors, BMW, Volkswagen, Daimler-Chrysler dhe shumë kompani të tjera në sektorët e makinave dhe teknologjisë.
Pekini i ka dhënë më shumë se 12.8 miliardë dollarë RDK-së, në formën e kredive nga institucionet zyrtare. Këto para, mbështetën nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve jetike midis viteve 2000- 2021. Gjigandi aziatik nuk do që të mbetet pas, ndaj po bën lëvizjen e tij.
Për herë të parë, Pekini i ka kërkuar drejtpërdrejt qeverisë së Ruandës të tërheqë mbështetjen e saj ushtarake për rebelët M23. Në valle është futur edhe Evropa. BE ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve ruandezë të lidhur me nxjerrjen e paligjshme të burimeve natyrore.
“Evropa, ashtu si SHBA-ja, dëshiron të sigurojë furnizimin me minerale jetike për tranzicionin e saj energjetik” - thotë Adam Megginson, analist në Benchmark Mineral Intelligence. Brukseli ka 47 projekte strategjike në sektorin minerar kudo në botë, duke filluar nga nxjerrja, përpunimi dhe riciklimi.
Transporti do të jetë nxitësi më i madh i kërkesës për minerale jetike. Nevojat për litium pritet të rriten pothuajse 9 herë deri në vitin 2040, ndërsa kërkesa për bakër dhe nikel do të 2-fishohet. Kërkesa për grafit do të 4-fishohet, dhe sipas IEA kërkesa për elementë të rrallë të tokës (REE) mund të rritet deri me 7 herë.
Shumica e këtyre materialeve kalojnë nëpër Kinë, e cila ka një histori të gjatë si prodhuese dhe rafinuese të mineraleve jetike. REE-të, ku gjigandi aziatik ka një pjesë të tregut global në 60 për qind të prodhimit dhe 90 për qind të rafinimit, u zbuluan për herë të parë në vend në vitin 1927.
Sot, dihet që ato ekzistojnë në më shumë se gjysmën e territorit të saj: ato janë gjetur në 21 provinca dhe rajone autonome kineze. Falë një strategjie investimi dhe politike industriale dhjetëravjeçare - të mbështetur nga një fuqi punëtore më e lirë dhe rregullore më fleksibël mjedisore dhe të punës se sa në shumë vende të tjera - Pekini ka zhvilluar një industri të fuqishme me një pozicion dominues.
68 për qind e kobaltit në botë, 65 për qind e nikelit dhe 60 për qind litiumit të nevojshëm për bateritë e automjeteve elektrike rafinohen në Kinë. Goldman Sachs vlerëson se 65 për qind e komponentëve të baterive, 71 për qind e qelizave të baterive të rikarikueshme dhe 57 për qind e automjeteve elektrike në botë, mbajnë markën e Pekinit.
Rreziqet e kontrollit të këtij sektorit nga një vend i vetëm janë të mëdha. “Nëse Kina vendos të ndalojë eksportin e mineraleve jetike, kjo do të dobësonte aftësitë ushtarake dhe industriale të SHBA-së dhe vendeve të tjera” - paralajmëron William Adams, kreu i Base Metals Market Insights në Fastmarkets.
Për shembull, kjo mund të ndodhë nëse Pekini do të pushtonte Tajvanin, dhe Perëndimi do të ndërhynte. Grafiti është materiali më i prekshëm në rast konflikti. Ky mineral, është thelbësor për prodhimin e baterive. Pa të, pajisjet do të kishin kapacitet të reduktuar të ruajtjes së energjisë, qëndrueshmëri më të shkurtër dhe kohë më të gjata karikimi.
SHBA-ja mbështetet tek Kina për 100 për qind të furnizimeve të saj me 15 minerale kritike, dhe më shumë se 50 për qind për 29 të tjera. Ajo nuk është e vetëmjaftueshme në asnjë nga 50 elementët që konsiderohen strategjikë. Për këtë arsye, administrata Trump i ka përjashtuar ato për momentin nga tarifat e saj ndaj Kinës.
Edhe Evropa është e varur nga burimet e huaja: ajo importon 79 për qind të litiumit të saj nga Kili, dhe 100 për qind të furnizimit të saj me metale të rralla nga Pekini. Deri vonë, BE-ja dhe SHBA-ja punuan së bashku për të kundërshtuar hegjemoninë kineze.
Që nga viti 2022, blloku dhe SHBA po bashkëpunojnë me 13 vende të tjera në një projekt të quajtur Partneriteti për Sigurinë e Mineraleve. Deri në shtator 2024, ajo kishte mbështetur rreth 30 projekte në të gjithë Afrikën, Amerikën Latine dhe Azinë.
Por administrata Trump ka zgjedhur një qasje më të njëanshme. Ai nënshkroi së fundmi një urdhër ekzekutiv, që synon rritjen e menjëhershme të prodhimit amerikan të mineraleve kritike, siç janë uraniumi, bakri, potasiumi dhe ari./Pamfleti nga “El Pais”
Lini një Përgjigje