Shqipëria është në një zonë jashtë politike, si Serbia e Aleksandar Vuçiçit, Hungaria e Viktor Orbanit apo edhe Turqia e Rexhep Tajip Erdoganit...
Me tre mandate të plota, me kontrollin e 90 përqind të bashkive të vendit; Edi Rama nuk është më një politikan që duhet mundur.
Nëse kjo do të ndodhte në mandatin e parë apo të dytë, mund të konsiderohej një kauzë politike. Por sot, çdo tezë që të jetë një kollonë vertebrale e një opozite, vetëm do ta forconte më shumë një autokrat që e ka të gjithë pushtetin.
Jemi në një zonë jashtë politike, si Serbia e Vuçiçit, Hungaria e Viktor Orbanit apo edhe Turqia e Rexhep Tajip Erdoganit.
Edi Rama, ka arritur të kap pushtete, grupe interesash, e padyshim një copë elektorati, i cili rri për inerci tek ai edhe si pasojë e ‘tepsisë’ që ndan, frikës apo adhurimit.
Shkurt, Shqipëria është në buzë të një stine të re politike, ku kërkohet një frymë, një ideal, revolucionar në kuptimin e plotë të fjalës, që të frymëzojë një ndryshim të madh. Një ndryshim, që do të sjellë jo vetëm rënien e Edi Ramës dhe kastës së tij, por ardhjen e një ambjenti të ri politik, që të jetë krejt i ndryshëm nga ekzistuesi.
Nuk ndryshohet ky sistem me një grup deputetësh që e bëjnë gjithçka për të qenë në parlament edhe mandatin tjetër, duke ju ngjitur Sali Berishës, apo edhe Ilir Metës. Të cilët, jo vetëm janë të vdekur politikisht, jo vetëm janë kufoma penale, të varur nga humoret e prokurorëve të SPAK apo oficerëve të BKH-së, por nuk kanë më fare çfarë tu japin shqiptarëve. Aq më shumë që janë të korruptuar deri në grykë, e jetojnë me pasurinë e vjedhur, me kulla e vila, privilegje e luks që nuk e meritojnë.
Shqipëria kërkon një momentum të ri, i cili mund të mos jetë perfekt, por duhet të vijë nga një vibrim politik intelelektual dhe qytetar për të ndryshuar. Për të ndryshuar sistemin politik, atë ekonomik, e mbi të gjitha kontrollin e pasurisë publike.
Shqipëria, nuk është më një vend që ka vetëm 6 ditë bukë, e ku mund ta rrëzosh kryeministrin, duke i vjedhur magazinat e miellit siç bëri Azem Hajdari me Sali Berishën në vitin 1991.
Është një vend që ka një shiringë të frikshme miliardash të ardhur nga narkotrafiku, por edhe nga paraja e zezë e Lindjes së Mesme që kërkon të hyjë në Europë nëpërmjet Shqipërisë, duke pasur si ‘mytesarif’ Bablokun.
Një model politik që të ndryshojë këtë sistem duhet ta refuzojë, ta kundërshtojë këtë mënyrë qeverisjeje, e cila nuk i shpërndan të ardhurat tek njerëzit por tek klientët, tek oligarkët, që më pas veprojnë si ndërmarrjet shtetërore të pashait të madh.
Ky sistem rrëzohet me një zgjidhje drastike ku një opozitë e re, njerëzish të shkolluar e me ide perëndimore e liberale, kërkojnë që të ndryshojnë Republikën.
Duke futur zgjedhjet direkte si mekanizëm thelbësor, të rrëzojë sistemin elektoral e të implementojë atë mazhoritar alla francez, ku deputet të zgjidhet ai kandidat që merr 50 plus 1 përqind të votave, dhe ku Presidenti i Republikës të zgjidhet nga populli. Një sistem ku të votojnë shqiptarët kudo në botë. E që të bëhet kjo, duhet që tu kërkohet ndërkombëtarëve ta garantojnë këtë proces, duke e marrë ata në dorë, por edhe diasporës të hyjnë në politikë.
OSBE përshembull, i ka të gjithë kapacitetet për të kontrolluar votën e diasporës.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk janë sot njerëzit që mund ta rrëzojnë Edi Ramën, pavarësisht se ata mund ta urrejnë dhe duan ta përmbysin. Fuqia e tyre politike brenda dhe jashtë vendit është zero. Duhet një klasë e re politike që t’i thotë çiftit të dinosaurve të dalin në pension tani. Le të ndihmojnë nga jashtë për të sjellë ndryshimin, por pa e nxjerrë fytyrën. Edi Rama ikën edhe nëse SPAK, siç pritet, do të hapë një dosje të madhe që mund të trondisë qeverinë e tij. Po sikur të ndodhë kjo, dhe Rama të bëjë Erdoganin e të akuzojë Perëndimin për një ‘puç’ e të pozicionohet si Sali Berisha?
Natyrisht që mund të plagoset rëndë. Por në kushtet kur përballë ka Sali Berishën e Ilir Metën sërish ka mundësi të dalë fitues relativ e të marrë edhe mandatin e katërt.
Edi Rama ç’montohet me një opozitë liberale, të mbështetur në traditë, dhe me njerëz të paimplikuar në korrupsion. Opozitë, që do ta sulmonte pa asnjë mëshirë korrupsionin qeveritar.
Në këtë rast, Rama nuk do të kishte asnjë alibi e do të destabilizohej, nuk do të kishte mundësi për të justifikuar qëndrimin në pushtet, thjesht do të ishte një i vdekur politikisht, një kufomë siç është Berisha e Meta. Por kjo bëhet me një model krejt të ndryshëm nga aktuali.
Jo një person, një lider i plotfuqishëm, por një këshill kolegjial, një asamble popullore e opozitës që i ofron vendit jo një ‘one man show, por një qeverisje jo personale, me një Kuvend burrash e grash, dhe me një qeveri kolegjiale.
Shqipëria ka vuajtur nga të ashtuquajturit njerëz të fortë, ndaj i duhen Kuvende të forta, ku të rëndojë fjala e në fund të vendosë vota. Le të mos dalë një person që të rrëzojë Edi Ramën. Të dalin shumë persona, ku edhe në qeveri të ketë rrotacion, siç e bëjnë shumë vende, për të mos familjarizuar pushtetin. Pra, me fjalë të tjera, duhet një model krejt i ndryshëm nga ai që ka instaluar Sali Berisha dhe Edi Rama. Ndryshe, ta gëzojmë sulltanin njëlloj si Erdoganin në Turqi e Vuçiçin në Serbi./Pamfleti
Lini një Përgjigje