TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Mars 2024, 13:32

Na pret një e ardhme fashiste e totalitare

Shkruar nga Jordan Peterson
Na pret një e ardhme fashiste e totalitare
Jordan Peterson /

Sistemet e reja të Inteligjencës Artificiale që po shfaqen me shpejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e rrisin këtë rrezik, duke ofruar mundësinë e një super-mbikëqyrjeje, fushëveprimi i së cilës tejkalon çdo gjë që mund të kenë imagjinuar njerëzit e thjeshtë.

Sot Kina komuniste ka në punë mbi 700 milionë kamera mbikëqyrëse (CCTV). Ata “sy elektronikë” janë të lidhur me sistemin më të plotë shtetëror të mbikëqyrjes që është imagjinuar ndonjëherë në histori. Ai ka aftësinë që jo vetëm të njohë fytyrat në distancë, por të investigojë vetë kur tiparet e fytyrës janë të fshehura ose të errëta.

Një aftësi e tillë do të zgjerohet së shpejti deri në pikën kur vetë lëvizjet e syve, të monitoruara nga kamerat inteligjente, do të mjaftojnë për të identifikuar çdo subjekt të dyshimtë për autoritetet. Inxhinierët e çmendur dhe naivë që ndihmuan me kaq shumë entuziazëm në ndërtimin e këtij sistemi, e quajnë atë “SkyNet”, sipas teknologjisë mashtruese dhe gjithëpërfshirëse që merr një kthesë të tmerrshme në serialin e famshëm “Terminator”, ku robotët e pajisur me inteligjencë artificiale mendojnë për shkatërrimin e botës tonë.

Por ky emër i referohet një fraze të njohur kineze, që përshkruan shtrirjen e vetë Hyjnores - “rrjeta e parajsës është e gjerë, megjithatë asaj nuk i mungon asgjë” - e cila përshkruan si duhet aftësitë e mëdha të aparatit të ri shtetëror. Dhe ky sistem është i integruar me të ashtuquajturin Sistem Kinez të Kredisë Sociale, i cili i shpërblen pjesëmarrësit e tij me një sistem pikësh që tregon përputhshmërinë e tyre me diktatet e partisë.

Kjo gjë mundëson një kontroll të plotë mbi qasjen e autoriteteve në gjithçka që ata posedojnë në mënyrë elektronike, nga kursimet e tyre në bankë, udhëtimet, madje dhe shëtitjet në rrugë. Nëse jeni një kinez, apo thjesht një vizitor, nëse rezultati juaj i Kreditit Social bie përtej një minimumi të përcaktuar, atëherë qasja juaj ndaj botës jashtë shtëpisë tuaj mund të reduktohet në zero.

Ajo sjell përjashtimin nga të gjitha aktivitetet që mund të monitorohen virtualisht: drejtimi i makinës, pazaret, puna, ushqimi, strehimi; madje edhe shoqërimi i përditshëm me miqtë dhe familjen (sepse të qenit në praninë e dikujt me një rezultat të ulët të Kreditit Social, nënkupton edhe uljen e kreditit tuaj).

Ky sistem i shpërblim-ndëshkimit, i ka dhënë mundësi qeverisë të shfrytëzojë qytetarët e saj si skllevër. “Dhurimi” i punës falas për shtetin, përbën një mjet me të cilin qytetarët fajtorë mund të rrisin rezultatin e tyre dhe të mbeten pjesë e shoqërisë kineze. Ky është sistemi më i dëshiruar nga tiranikët.

Po pse mund të na interesojnë këtë gjëra ne në Perëndim? Sepse teknologjia që përdor Partia Komuniste Kineze, është në fakt një zgjatim i teknologjisë  perëndimore. Sepse kohët e fundit, ne kemi rënë pre e tundimit të tmerrshëm të bllokimeve të përdorura nga ky shtet përballë një krize hipotetike.

Sepse ne po ecim, hap pas hapi, në të njëjtin drejtim, pjesërisht për shkak të “komoditetit” hipotetik të njohjes universale dhe automatike të identitetit, dhe pjesërisht sepse çdo problem që hasim sot mund të përdoret lehtësisht për të justifikuar forcimin e masave të sigurisë nga një shtet-dado.

Ne të gjithë jetojmë sot aq shumë në botën virtuale, falë zakoneve tona të blerjes dhe mënyrave të komunikimit të ndërmjetësuara në mënyrë elektronike, saqë vetvetja jonë është bërë e reduktueshme në një shkallë të frikshme tek “të dhënat”, ekuivalenti modern i gjurmës sonë.

Ky identitet mund të blihet dhe shitet gjithnjë e më shumë nga ndërmjetës të korporatave të padukshme, të cilat e përdorin atë për të na shitur atë që duam aq dëshpërimisht, pa kujdes dhe lehtësisht, por që mund të përdoret gjithashtu për të gjurmuar, monitoruar dhe ndëshkuar gjithçka që bëjmë dhe themi.

Ekspertët e sjelljes njerëzore e lehtësojnë këtë proces me nxitjen e tyre të dënueshme: shtytjes së njerëzve në një drejtim të caktuar ideologjikisht duke manipuluar në prapaskenë stimuj të padukshëm. Korporatat diktojnë blerjet tona, duke zhvilluar algoritme gjurmojnë me saktësi modelet tona të vëmendjes dhe veprimit, duke mundësuar parashikimin e asaj që mund të jetë më tërheqëse.

Kështu ata jo vetëm na ofrojnë atë që duam, por përcaktojnë dhe atë që na nevojitet.

Qeveritë po bashkëpunojnë me ta për të krijuar një panoramë jo vetëm të veprimeve tona, por të mendimit dhe fjalëve tona, në mënyrë që devijimi nga synimi i dëshiruar të mund të  shpërblehet ose ndëshkohet.

Zhvillimi i një identiteti dhe monedhe të tillë dixhitale nuk është gjë tjetër veçse pasoja e mundshme përfundimtare e prirjeve të tilla, dhe kombinimi i të dyjave do të lehtësojë zhvillimin e një shteti mbikëqyrës, që vështirë se mund ta imagjinonin edhe ata që na paralajmëruan mbi pasojat e totalitarizmit si George Orwell.

Sistemet e reja të Inteligjencës Artificiale që po shfaqen me shpejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e rrisin këtë rrezik, duke ofruar mundësinë e një super-mbikëqyrjeje, fushëveprimi i së cilës tejkalon çdo gjë që mund të kenë imagjinuar njerëzit e thjeshtë.

Ata mund të bëjnë që qëndrimet, sjellja dhe personalitetet tona, të manipulohen deri në atë shkallë sa që ne mos të jemi më në gjendje të shohim një realitet jashtë atij që është ndërtuar nga super-shteti: marrëveshjen përfundimtare fashiste midis korporatave gjigante me interesa personale dhe siguri paranojave.

Tashmë ne po ia shesim shpirtin super-shtetit për qëllime kënaqësie dhe lehtësie të menjëhershme, ndërsa joshemi ta bëjmë këtë nga ideologë që nxisin frikën, duke na garantuar sigurinë që e dëshirojmë kaq dëshpërimisht dhe gjithnjë e më shumë. Ky shqetësim që ngre nuk është aspak një çështje partiake.

Në vendin tim, Kanada, tejkalimi më skandaloz i super-shtetit ndodhi si pasojë e një proteste të klasës punëtore kundër teprimit të masave shtetërore bllokimeve të Covid-it, kur qeveria jonë federale gjithnjë e më mashtruese dhe totalitare vendosi se ishte e përshtatshme pezullimi i qasjes së protestuesve dhe mbështetësve të tyre në kursimet e tyre sado të vogla qofshin, në bashkëpunim me bankat e mëdha të Kanadasë.

Kohët e fundit u përcaktua se një veprim i tillë ishte anti-kushtetues. Por kjo nuk e ka ndaluar shtrirjen e tepërt të fuqisë së shtetit në jetën tonë private. Cila ishte batuta e famshme sovjetike, që i atribuohet Lavrentiy Beria, kreut të policisë sekrete? “Më tregoni personin, dhe unë do t'iu them krimin e tij!”. Këto fjalë ishin shumë të vërteta në kohën e terrorit të Stalinit, dhe policia ishte shumë e fshehtë edhe në atë kohë.

Por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që ne mund të prodhojmë dhe ka të ngjarë të prodhojmë tani: një polici kaq shumë sekrete, saqë nuk do të jemi në gjendje të zbulojmë as aktivitetin e tyre gjithëpërfshirës dhe delikat, duke monitoruar krimin aq shumë të përhapur, sa të gjithë nën diktatin e sistemit do të kenë diçka për të fshehur, dhe shumë arsye për t’u frikësuar./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

një e ardhme fashiste totalitare jordan peterson

Lini një Përgjigje