
Bardhi dhe Gjekmarkaj ishin dy qershitë e fundit të përmjerra, që doktori i hëngri si sakrificë për demokracinë...
Shumë maraz ka sjellë kooptimi i Gaz Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt në kupolën e Foltores, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Kjo jo vetëm për formalitetin e ardhjes ‘llokum’ nga numrat dy të Lulzim Bashës në ato të Sali Berishës, por sepse ata që i janë bashkuar foltores së doktorit, nuk se kanë pasur ndonjë ditë dilema se i kanë hyrë një rruge të vështirë. Thjesht ata duan të bëjnë një opozitë si njëherë e një kohë, me ‘legjendën’ në krye e të bëjnë ‘lojën e vjetër’.
Shumica janë njerëz që pikërisht këtë kanë bërë ndër vite, nuk kanë pasur kompleks për doktorin, edhe kur atë pothuaj e braktisnin të gjithë.
E kanë menduar si biznes, si risk të kësaj pune, e kështu kanë hyrë në një lloj marrëdhënie feudale, më jep të jap, pasi në fund të fundit kështu bëhet përgjithësisht politika në këtë vend,
Por me Gazin e Agronin, puna është krejt ndryshe. I pari nuk la gjë pa i thënë Sali Berishës e fëmijëve të tij, ndërsa i dyti dha dorëheqjen nga Lulzim Basha për t’u bërë zëvendësi i Lindita Nikollës, ku në çdo intervistë nuk harron të thotë që nuk i vjen mirë të jetë me Sali Berishën në një çanak. Me një fjalë i vjen ndot nga doktori. Që këto janë pallavra, i mendon edhe bufi, por ngjan tëpkë si ajo përralla me qershitë e Nastradinit, që edhe pse të ‘përmjerrë’ i gëlltiti ‘një e nga një’.
Që politikanët tanë kanë gëlltitur pa fund ‘qershi të përmjerra’, këtë e kemi parë në vite, por çfarë do të sjellë Bardhi dhe Gjekmarkaj në Foltore?
Do të sjellë sipas gjasave që maxhoranca do të njohë grupin e Sali Berishës si më të madhin e opozitës, e do t’i japë kohë e vend secilit, por jo doktorit, i cili është i mbyllur në arrest shtëpie. E sipas gjasave, mandati i tij po shkon drejt asaj që quhet djegie. Në mos djegie, Sali Berisha nuk do ta shohë më sallën e Parlamentit live, por ndjekësit e tij do të bëjnë si të nxehur.
Agroni e Gazi do të vijojnë delegacionet zyrtare me Linditën, edhe pse nuk do të lënë seancë normale në Kuvend, dhe çdo ligj, sado i rëndësishëm, do të miratohet për 7 minuta. Siç u miratua ligji për bastet online, e sipas gjasave do të miratohet edhe amnistia, që do të shpëtojë Salianjin.
E në fund Edi Rama do të thotë: O Gaz po ku e ke doktorin, o trim. Siç bëri me të gjithë personazhet komike që sot ju bashkuan foltores: Selami Jenisheri, Kujtim Gjuzi, e me radhë. Të gjithë këta emra u sulmuan u ‘përmjérrën’ e u akuzuan nga Berisha dhe njerëzit e tij, por një pas një të gjithë sot janë pjesë e Rithemelimit.
Gazi e Goni, ishin qershitë e fundit, që u ‘përmjerrën’ më shumë. Por doktori i hëngri, si një sakrificë për demokracinë…/Pamfleti
Lini një Përgjigje