“Elitat në Beograd besojnë se nëse jemi të mirë-armatosur, fqinjët tanë do të na marrin më seriozisht dhe ne do të jemi më në gjendje për ta vendosur Perëndimin dhe Rusinë kundër njëri-tjetrit”.
Sipas raportit “Balkan Defense Monitor 2024” të publikuar kohët e fundit, Serbia është vendi kryesor në rajon sa i përket shpenzimeve të mbrojtjes, të cilat arritën në 2 për qind të PBB-së së saj gjatë vitit të kaluar. Ajo pasohet nga Maqedonia e Veriut me 1.7 dhe Shqipëria me 1.6 për qind shpenzime të PBB-së për mbrojtjen.
Dy vendet e fundit, që të dyja anëtare të NATO-s, parashikohet që ta arrijnë këtë vit objektivin e aleancës për shpenzimet në mbrojtje në nivelin 2 për qind. Pra Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut parashikohet të kalojnë Serbinë, e cila pritet të zbresë në vendin e tretë në rajon me 1.8 për qind shpenzime në raport me PBB për këtë vit.
Ky ishte edicioni i tretë i “Balkans Defense Monitor”, që botohet që nga vitit 2022 nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP). Ai mbulon Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Kroacia, një vend tjetër anëtar i NATO-s, i ka mbajtur gjatë 3 viteve të fundit shpenzimet e saj në mbrojtje në nivelin 1.5 për qind të PBB-së së saj. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë shumë prapa pjesës tjetër të Ballkanit, me përkatësisht 1 dhe 0.7 për qind shpenzime për mbrojtjen gjatë vitit 2023.
Mali i Zi iu bashkua NATO-s në vitin 2017, ndërsa Bosnja iu bashkua në vitin 2010 një Plani Veprimi për Anëtarësim (MAP), një Programi Mbështetës i aleancës për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në të. Raporti analizon edhe pjesën e shpenzimeve që ndahen midis personelit dhe armëve e pajisjeve.
Ashtu si dikur, shpenzimet e Bosnjës për personelin janë më të mëdhatë, me 89 për qind të totalit. Pas tij vjen Mali i Zi që shpenzon 56 për qind të buxhetit të mbrojtjes vetëm për personelin dhe vetëm 24 për qind për armë dhe pajisje.
“Struktura kushtetuese e Bosnjës, e bën më të vështirë investimin në mbrojtje. Shumica e parave shpenzohen për personelin. Pra në thelb për kushtet më elementare në ushtri. Ky është një problem serioz dhe në të ardhmen Bosnja duhet të mendojë sesi të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes”- tha Harun Cero, Menaxher i Projektit në Friedrich Ebert Stiftung në Sarajevë, gjatë prezantimit të raportit.
Ndërkohë, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut e kanë ulur ndjeshëm përqindjen e parave të shpenzuara për personelin në krahasim me vitin 2020, thekson Balkan Defense Monitor.
Aktualisht Kroacia po shpenzon thuajse në mënyrë të barabartë për personelin (41 për qind) dhe për armët (39 për qind).
Në Maqedoninë e Veriut, personeli zë 38 për qind të shpenzimeve, ndërsa armët dhe pajisjet 26 për qind. Së fundi, Serbia i shpenzon paratë gati në mënyrë të barabartë - nga 39 për qind -për personel dhe armatime. Dokumenti thekson se gjatë viteve 2016-2022 ka pasur një tendencë të rritjes së shpenzimeve në Serbi, e cila më pas u ndërpre përkohësisht, por që pritet të jetë sërish në rritje.
Sipas dokumentit, është rritur ndjeshëm buxheti ushtarak i Kroacisë. Ai pothuajse është dyfishuar që nga viti 2017, kryesisht për shkak të blerjes së 12 avionëve luftarakë francezë Dassault Rafale në vitin 2021.
“Të gjithë po flasin tani për një garë armatimesh në Ballkan në kontekstin e luftës në Ukrainë. Në fakt ajo ka nisur që në vitin 2015 midis Serbisë dhe Kroacisë. Ky është një proces shumëdimensional. Nga njëra anë, shumica e arsenalit e ka origjinën nga ushtria jugosllave, ndaj nuk është e pazakontë që vendeve t'u duhet të blejnë diçka të re. Por ky proces duhet kryer në një mënyrë më pak toksike”- tha Vuk Vuksanoviq, kërkues në këtë institut dhe një nga autorët e raportit.
Ai thekson se në blerjen e armëve ka edhe një element të politikës së jashtme. “Elitat në Beograd besojnë se nëse jemi të mirë-armatosur, fqinjët tanë do të na marrin më seriozisht dhe ne do të jemi më në gjendje për ta vendosur Perëndimin dhe Rusinë kundër njëri-tjetrit. Ky proces është gjithashtu pjesë e politikës së brendshme dhe e marketingut politik të brendshëm, pasi ushtria është një nga institucionet më të besuara”- shton Vuksanovic.
Nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është e krahasueshme me tendencat që vihen re në vendet e tjera anëtare të NATO-s. Sipas vlerësimeve të NATO-s, shpenzimet në vitin 2023 brenda aleancës u rritën me 8.3 për qind, dhe kjo është deri më sot rritja më e madhe në 10 vjet.
Po vitin e kaluar, shpenzimet mesatare midis aleatëve ishin 1.82 për qind e PBB-së, dhe 11 nga 31 shtete anëtare të NATO-s shpenzonin më shumë se 2 për qind. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, ky numër pritet të rritet në 18 brenda këtij viti.
Kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2014, kur vetëm Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Greqia po e kalonin pragun prej 2 për qind sipas të dhënave të vetë NATO-s.
Çështja e shpenzimeve ka dalë më shumë më pah pas zgjedhjes president të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016. Por sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Në Ballkan, asnjë aleat i NATO-s nuk e ka arritur ende objektivin prej 2 për qind, ndonëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria parashikohen ta bëjnë këtë brenda këtij viti.
Ndërkohë, të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë ata në këtë rajon, po përmbushin një kërkesë tjetër, që të paktën 20 për qind e shpenzimeve në këtë fushë të përdoren për blerjen e pajisjeve ushtarake.
“Buxheti i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut ka pësuar një rritje të konsiderueshme që nga anëtarësimi i vendit në NATO në vitin 2020. Kjo rritje ka ardhur edhe si pasojë e një plani afatgjatë të modernizimit të ushtrisë”- thekson më tej Balkan Defense Monitor.
Këtë e ka konfirmuar edhe Radmila Shekerinska, ish-Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, e cila ka folur edhe në prezantimin e raportit në Beograd. “Ne e filluam me një normë nën 1 për qind në vitin 2017 dhe shkuam në 1.8 për qind këtë vit, dhe shpresojmë të arrijmë në 2 për qind vitin e ardhshëm. Pas Ukrainës, ne kemi parë se pa siguri gjithçka e merr lumi”- deklaroi ajo.
Shekerinska shtoi se, si ministre e Mbrojtjes nga qershori i vitit 2017 deri në fillim të vitit 2022, nuk ka pasur shumë takime me zyrtarë të BE-së. Lufta në Ukrainë e ka bërë BE-në të bëhet më serioze sa i përket mbrojtjes, shtoi Shekerinska, duke theksuar se Ursula von der Leyen do të shpalli krijimin e një fondi të madh për mbrojtjes nëse fiton një mandat të ri në krye të BE, gjë që mund të sjellë një ndryshim të madh.
Ndërkohë në Malin e Zi, buxheti i mbrojtjes ka pësuar luhatje vitet e fundit. Shpenzimet ishin 1.6 për qind e PBB-së në vitin 2019, por ranë në rreth 1 për qind pas vitit 2021. Kjo është pjesërisht pasojë e anëtarësimit të vendit në NATO dhe e modernizimit të ushtrisë për të përmbushur standardet e NATO-s, por edhe për shkak të krizës politike dhe ndryshimeve të qeverive thuhet në dokument.
Programi i kryeministrit aktual të Malit të Zi Milojko Spajic, i paraqitur në parlament në tetor të vitit të kaluar, premton një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 2 për qind të PBB-së dhe modernizimin e njësive të Forcave të Armatosura të Malit të Zi./ Përshtati Pamfleti nga “European Western Balkans”
Lini një Përgjigje