TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Janar 2025, 14:27

Janullatosi, dritë-hijet e priftit helen që udhëhoqi Kishën Ortodokse Shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

 Obituari për ndarjen nga jeta të Kryepiskopit Anastas

Janullatosi, dritë-hijet e priftit helen që udhëhoqi Kishën

Është ndarë nga jeta, pas një kalvari disa javësh me shëndetin, një nga personazhet më të rëndësishme dhe më influente të Shqipërisë së pas vitit 1990.

Një nga klerikët më të rëndësishëm jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë, si dhe një prej mendimtarëve e intelektualëve më të spikatur të botës së krishterë në Ballkan.

Kryepiskopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, që u nda nga jeta në moshën 95 vjeçare, është një nga klerikët e lartë më jetëgjatë të komuniteteve fetare në vend që pas rringjalljes së besimeve, pas rënies së komunizmit.

I ndjeri Janullatos është një klerik i shuguruar dhjakon, pra prift i thjeshtë, në vitin 1960, që misionin e parë e ka kryer në zonën e Peleponezit në Greqi.

Janullatos ka lindur në Pire në 4 nëntor 1929, por origjina e të parëve të tij është nga Qefalonia, ishulli i Jonit, afër Korfuzit dhe Shqipërisë.

Janullatos, përpara se të shugurohej prift i thjeshtë ka studiuar teologji dhe filozofi në Universitetin e Athinës. Ndërkaq, pas 4 viteve në rolin e priftit të thjeshtë, u emërua Peshkop në Andrusa. Një ngjitje karriere e shpejtë, të cilën e plotësoi me studime shtesë në Gjermani për Histori feje dhe misione. Në qëndrimin e tij studimor në Gjermani, kleriku u dallua për rezultate të shkëlqyera, sidomos në kërkimet shkencore mbi aspektet filozofike dhe teorike të marrëdhënieve mes religjioneve.

Rikthehet në Greqi në vitin 1970, ku merr titullin Profesor Doktor për teologji me rezultatet më të larta të mundshme. Gjatë shërbimit ushtarak, që Janullatos ka kryer në vitin 1954, ka studiuar edhe në Akademinë Ushtarake, ku ka marrë diplomën e oficerit reservist. Karriera e Janullatusit vjen duke u ngritur në vitin 1972, kur merr postin e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm Apostolik të Kishës Ortodokse Greke, që do të thotë “kryeministri” administrativ i saj.

Pas disa vitesh dërgohet me mission në disa vende të Afrikës, ku arrin të ngrejë dhe të fuqizojë misionet e krishtera ortodokse në Kenia, Uganda dhe Tanzani.

Në vitin 1991, Patriakana e Stambollit e dërgon Eksark në Shqipëri, priftin tashmë të famshëm grek, Anastas Janullatosin. Eksark do të thotë ambassador, i njëjtë me nuncin apostolik që Papa dërgon në shtetet ku Vatikani ka marrëdhënie diplomatike.

Por në vitin 1992, u pa qartë se nuk kishte ardhur thjesht për Eksark. Janullatosi u caktua nga Patriakana me titullin e Metropolitit të Andruzës dhe kryepeshkop i komanduar i Tiranës, Durrësit si dhe Primati i Shqipërisë.

Në 1992, ai u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse në një proces mjaft të ndezur e polemizues, pasi një pjesë e besimtarëve kërkonin një shqiptar në krye të kishës.

Në marrjen e këtij roli e ka ndihmuar shumë Sali Berisha, atëherë President i vendit.

Që nga ajo kohë e deri më tani, Anastasi arriti të ngrejë kishën ortodokse, duke siguruar fonde dhe ngritur institucione të reja e të rëndësishme. Më kryesoret janë Katedralja e Tiranës dhe Akademia e klerikëve në Shën Vlash të Durrësit.

Në këto ditë të agonisë së të ndjerit Janullatos, edhe sot ka mjaft fjalë të mira e ditirambe për të, ç’ka është humane dhe pjesë e traditës shqiptare në lidhje me përcjelljen për në amëshim.

Megjithatë, Anastasi, përveçse kryekleriku më jetëgjatë në fron i një feje në Shqipëri, ka qenë edhe një personalitet i rëndësishëm i lidhur me Athinën zyrtare.

Nuk ka pasur asnjë rast të ngjashëm të homologimit të religjoneve të tjera, përshembull prottestanëve ungjillorë me SHBA apo Britaninë e Gjermaninë; muslimanëve me arabët e turqit; Italisë me katolikët, ashtu si Athina e ka konsideruar Anastasin si një gjysëm zyrtar të saj.

Kjo jo vetëm përcaktimi në axhendën zyrtare të çdo takimi të nivelit të lartë, por edhe në lidhje me aktivitetet politike të Fortlumturisë së tij.

E fundit ishte komunikimi politik me Fredi Belerin, siç më e rënda ishte kur priftërinjtë e kishës ortodokse u përzinë në skandalin e eshtrave në zonën e Korçës dhe Përmetit. Ku u morën eshtra banorësh për t’i quajur si ushtarë grekë që të vendosen në varrezat që edhe sot e kësaj dite, janë bosh në Këlcyrë.

Asnjëherë Fortlumturia nuk e dënoi këtë akt, siç ka pasur një marrëdhënie jo të mirë me ato pak ortodoks shqiptare në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut.

Përkundrazi ai ka pasur marrëdhënie të afërta me Kishën Serbe, sa në një kuvend në Tiranë të ortodokseve, kreu famëkeq i Kishës Ortodokse serbe Irinej, tha para katedrales se “Kosova është Serbi”.

Deklaratë që i shkaktoi probleme mjaft Kryepiskopit në lidhje me marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe politikanët shqiptarë në rajon.

Ka shumë lavdërime nga analistë e politikanë në ekrane për rolin e tij në kthimin e Kishës ortodokse si Shqiptare, por fakt është se i ndjeri Janullatos mbajti larg ata priftërinj që i përkasin ashtit kombëtar, si Foti Cici apo Nikolla Marku, të cilët i ka dërrmuar me propagandën e tij. Siç duket ai nuk arriti të bashkojë ortodoksët në Shqipëri, e nga ana tjetër nuk arriti të zbusë apo afrojë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Edhe pse mori shtetësinë shqiptare, sa herë këto relacione kanë qenë të tendosura, Fortlumturia e tij mbajti anën e vendit të lindjes. Megjithatë, për të parë në përmbajtje veprën e tij, se si Ai e ka udhëhequr kishën orthodokse shqiptare, do të duhet më shumë kohë e durim. Për ta parë edhe të kompletuar misionin./Pamfleti 

janullatusi dritë hijet kisha ortodokse shqiptare

Lini një Përgjigje

Editorial