TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Tetor 2023, 11:00

Ilir Meta para SPAK-ut, si miu para maçokut!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Ilir Meta para SPAK-ut, si miu para maçokut!
Ilir Meta

Ilir Metës i mbaruan orët aktive. I paprekshmi nga drejtësia, i pandalshmi në grykësi, është në grykë të gropës...

Ilir Meta është frikësuar, dobësuar dhe dorëzuar... Hetimi për korrupsion dhe krime anti njerëzore, i ka ulur në minimum tensionet dhe tonet, ka djegur freksionin e pushtetit, ka nxirë misionin dhe dobësuar ambiciet, sa ka filluar të qajë si fëmijë të ardhmen, “duan të më fusin në burg”.

Gjuha i shkon tek dhëmballa që dhemb.

Shtrëngimet e shtrëngatave si “nuk ka Perëndi të më çojë përpara drejtësisë”, apo “pasurive të mija nuk guxon askush t’u afrohet”, kanë çuar në zbërthimin e mbërtheckave nga ambasadorja Yuri Kim, një specialiste e pasarelave të krimit.

Like Floririt, i janë ndryshkur hallkat e zinxhirëve që e mbanin sup më sup me Sali Berishën dhe Edi Ramën, i janë komplikuar sfidat me simbole lidershipi, i janë çjerrë meloditë e tankeve ruse deri në çburrërim, aq sa, as vetëvrasja nuk do ta vishte me mantel heroi.

Heroizmat epike nuk kanë as epsh.

I tredhur në tru, kërcen nëpër studio televizionesh, si miu që e ndjek maçoku trarëve plot blozë të historisë 32 vjeçare.

Nëpër dejet e betejës së turbullt, pulsojnë aq pasuri kriminale, sa edhe vargonjtë e diplomacisë mbanin më shumë pikëpyetje e pikëçuditëse, sa nuk i numërojmë dot.

Ilir Metës i mbaruan orët aktive.

I paprekshmi nga drejtësia, i pandalshmi në grykësi, është në grykë të gropës.

Në turbullirat ku është, Edi Rama ka filluar t’i duket Yuri Kim, tradhëtar i brishtë që dikush e detyron të presë degën e pemës ku kacavirren gjithë mafiozët.

Ekspozita ekstreme e kësaj vjeshte, nuk e paraqet aspak të fisëm kryehajdutin e Ballkanit. Sot, Ilir Meta para SPAK-ut, ngjan si miu para maçokut./Pamfleti

ilir meta spak miu macoku

Lini një Përgjigje